Trilluesit e hadithit profetik, vargjet satanike dhe hipokritët modernë
Nga Alban Gorishti
Kur ibn Xheuzi (v.1201) shkroi librin e tij ikonik, Koleksioni i traditave të fabrikuara, (arabisht: الموضوعات الكبرى, el-Mewḍū‘āt el-Kubrā), dukuria e trillimit të haditheve profetike tashmë kishte arritur me kohë kulminacionin e saj. Maadje thuhet që trillimi i haditheve është dukuri që ka filluar që me trazirën e Uthmanit prej së cilës kalifi i tretë, prej prijësave të udhëzuar drejtë gjeti vdekjen tragjike. Kjo dukuri, e shpikjes së haditheve është një fenomen i cili nuk mundet të ishte produkt i armiqëve të përbetuar të profetit gjatë kohës së tij dhe as atyre që shpifën për të në narrativat e tyre personale (si Gjoni i Damaskut). Por ky medoemos duhet të ishte një fenomen i brendëshëm, pra i prodhuar nga vet ata që iu atribuan islamit qoftë me fjalë, vepra apo “tesha”!
Libri i ibn Xheuzit, përbëhet nga transmetime, të paraqitura si hadithe, të cilat janë klasifikuar si të trilluara (meuduʻ) nga autori dhe më pas të renditura sipas subjektit. Ai përbëhet nga rreth 1847 transmetime, kjo vepër është një kontribut i jashtzakonshëm pasi nuk merret fare me përmbledhjen dhe klasifikimin e haditheve të sakta, hasen apo të dobëta por denoncon transmetime që qarkullojnë në popull duke u shtirur si fjalë apo vepra të pejgamberit tonë alejhi selam.
Duhet pohuar se vargjet e ashtuquajtura 'satanike'nuk kanë origjinën nga Selman Rushdia. Në burimet islame e gjithë saga njihet si hadithi i “el-Gharanika el-Ula” por as burimet islame nuk janë përgjegjës për një titull të tillë kaq teatral e jo më pas të kenë lidhje me shtrembërimet e Selmanit, në veprën e tij kaq shumë të komentuar “Vargjet satanike”. Por kush e adoptoi më pas termin 'vargje satanike'? Siç tregon tradita e shpifjes kundër Islamit, mund të kishin qenë vetëm disa njerëz. Në të vërtetë, ishte një misionari anglez, Sir William Muir, i cili e luftoi fenë, që krijoi termin 'vargje satanike'. Me pak fjalë e tyre thuhet se pejgamberi a.s., i ka recituar këto dy versete së bashku me ajetet e tjera të sures En-Nexhm në namaz. Idhujtaret e Mekes te cilet ishin te pranishem ne Qabe ne ate kohe iu bashkuan atij ne namaz, sepse ai i lavderoi zotat e tyre dhe keshtu sipas narrativës ai fitoi zemrat e tyre derisa ata u ulën në sexhde së bashku me pejgamberin a.s. Pra kur pejgamberi po lexonte suren Nexhm (historia është e vërtetë) para idhujtarëve Mekas, kaloi tek versetet: ““Pra, a e keni parë Lat-in dhe el-Uzën? Dhe atë të tretin e të fundin, Menatin?” Nexhm 20-21. Kështu sipas narrativës së trilluar pasi përfundon këto vargje pejgamberin e frymëzon djalli duke i shtuar në recitim dy vargje të tjera: “Këta janë ata që qëndrojnë lart (Gharanik el ula), ndërmjetësimi i të cilëve duhet shpresuar!”. Këtë narrativë që përmendet në disa libra historikë (si tek Taberiu) e morrën orientalistët duke ngritur pikëpyetje në mendjet e disa njerëzve. Kështu disa thanë se si mundet djalli të manipulojë një profet, atëherë ai nuk mundet të jetë më i tillë.
Michael Fischer dhe Mehdi Abedi, duke shkruar në lidhje me çështjen e romanit të Salman Rushdie, Vargjet Satanike, thonë se: “Historia që Muhamedi mund të kishte përdorur “sugjerimin satanik” është refuzuar nga pothuajse të gjithë ekzegetët (hadithologët)......”. Të njejtën gjë pohon edhe vet Ibn Xheuzi në librin e tij “Kitab el kusas vel mudhekirin”, ai e solli këtë narraativë si një shembull të "historive të pabesueshme dhe interpretimeve të trilluara" të cilat i përdorën persianët mes komentatorëve të Kuranit. Kjo është pika kulmore e këtij shkrimi tek e cila desha të ndalem pak më tepër sesa tek demantimi shkencor i kësaj historie e cila realisht nuk është prej qëllimeve të këtij shkrimi.
Disa ekzegjetë lidhin midis këtyre vargjeve dhe atyre të sures Isra 73-74 duke përmendur se ai ndikim që përmendet këtu ka të bëjë pikërisht me historinë e sures Nexhm, Allahu thotë: “Në të vërtetë ata (idhujtarët) gati arritën të sprovojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, e të trillosh tjetër nga çka të shpallëm, e atëherë do të zinin ty mik. Dhe sikur Ne të mos të kishim forcuar ty, ti gati anove diçka pak nga ta” Isra 73-74. Pjesa e parë tregon se ishin jobesimtarët që u përpoqën të bindnin Profetin për të bërë një kompromis me ta, jo se ai e donte këtë. Pjesa më tej thotë se Allahu e bëri zemrën e Profetit të qëndrueshme ndaj përpjekjeve të tilla të jobesimtarëve dhe se po të mos e kishte bërë Ai këtë, Profeti a.s ndoshta do të kishte anuar pakëz nga propozimi i jobesimtarëve. Kush ishte ky propozim? Mosbesimtarët e Mekës bënë maksimumin e tyre për ta larguar profetin a.s nga mesazhi i tij i Teuhidit në mënyrë që ta detyronin atë të bënte kompromis me idhujtarinë dhe zakonet e injorancës. Kështu njëherë i propozuan atij të adhuronin një vit Zotin e Muhamedit e më pas ai, Muhamedi a.s, të adhuronte zotat e tyre të shumtë. Ata tunduan me lakmi për pasuri dhe femra, e kërcënuan si dhe ushtruan presion ekonomik dhe bojkot shoqëror kundër tij. Me pak fjalë, ata bënë gjithçka që mund të bëhej për të mposhtur vendosmërinë e tij.
Kjo më kujton lëshimin modern të parimeve, kompromiset, mungesën e përfaqësimit, ngrënien në një tavolinë së bashku me padrejtësinë, të korruptuarit madje edhe vepruesit e mëkateve të rënda siç është vrasja e të pafajshmëve apo laicizimi i mesazhit fetar. Me pak fjalë alienimi i tërësishëm prej besimtarëve dhe përfaqësimit të denjë të të drejtave të tyre, prej ecjes në rrugën e tyre të përbashkët. Por si është e mundur që një shpirt që citon Zotin dhe urtësitë e të dërguarit të Tij të veprojë në kundërshtim me shumëçka prej asaj që thotë. Të kundërshtojë besimin në shtyllat më thelbësore të tij, moralin dhe largimin nga çdo kompromis i cili ta dëmton besimin në Zot, moralin me të cilin erdhi pejgamberi. Për këtë Zoti e këshilloi atë si më sipër në Kuran. Ashtu sikurse thuhet në një fjalë të urtë: “Mos ano tek askush përveç Allahut Një, të gjitha strehat pos strehës së Tij nuk janë asgjë”. Ai po ashtu thotë:” Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” Hud 112
Ngjashëm po mendoja, sesi është e mundur që kjo kategori njerëzish të tradhëtojë amanetin e marrë përsipër, si është e mundur që të shkelin mbi shenjtëritë e muslimanëve, si mundet të mbyllin sytë para qëndresës profetike duke hapur veshët e zemrat ndaj joshjeve djallëzore? Kështu mu kujtua libri i ibn Xheuzit, mu kujtuan mijëra hadithet e trilluara nga muslimanët, mu kujtua trillimi i historisë rreth “vargjeve satanike”, e kështu e kuptova që relativizuesi i brendëshëm i së keqes është më i dëmshëm sesa antagonisti i jashtëm i së mirës. I kemi të qarta arsyet e një orientalisti jomusliman. Po si ka mundësi që një musliman të gënjej për fenë, për profetin e saj dhe për të vërtetën, duke shpikur narrativa si ato të vargjeve satanike?
Ndoshta ai që shpif dhe shpik narrativa të paqena në fenë tonë , qofshin ato risi shpirtërore apo metodologjike, mendon se po bën mirë, se po përhap të mirën se po mbron interesat e muslimanëve se po ...se po....Pejgmaberi a.s për ata që përdorim gënjeshtrën dhe manipulimin si mjet për të bërë mirë pati thënë: “Kushdo transmeton prej meje një hadith për të cilin ka përshtypjen (e di) se është i rremë, ai është prej gënjeshtarëve” Transmeton Muslimi. Këtu pejgamberi as nuk po relativizon dhe as nuk po justifikon qëllimet e disave, por qartë po e quan gënjeshtar e ne e dimë mirë se çfarë pozite do të kenë gënjeshtarët në botën tjetër.
Por sikurse fabrikuesit e haditheve, trilluesit e parimeve dhe narrativave të paqena kanë një të përbashkët, të dyja janë një kompozim i ri dhe aspak koherent. Një vështrim i thjeshtë tregon se ajetet e supozuara satanike nuk përshtaten në asnjë vend me tërë suren En-Nexhm. I gjithë teksti nga vargjet e para e deri në fund të sures ka një unitet dhe vazhdimësi si në temë ashtu edhe në sekuencë por edhe moral apo objektiva, teksa dy vargjet dallohen qartë që kundërshtojnë doktrinën islame pikërisht në thelbin e saj më kryesor, monoteizmin, moralin dhe koherencën etike me të cilën Kurani karakterizohet. Por pyetja të tingëllon “dhunshëm” në kokë, si ka mundësi që muslimani të shesë parimet, objektivat sheriatike, llojin e vet madje edhe fjalët e pejgamberit për ndonjë të mirë materiale të kësaj bote, kur i tilli beson në pakufishmërinë e botës tjetër? A nuk e beson i tilli se besimi nuk është “pronë e tij” por ndodhet në gishtat e Rahmanit, a nuk frikësohet se ai e kthen zemrën e tij në një gur pa ndjenja e pa besim?
Pejgamberi urdhërohet po ashtu në suren Kafirune, të distancohet qartë nga paria, mos të trillojë fe të paqenë, intresa personale (Thuaj o ju jobesimtarë unë nuk kam për të adhuruar kurrë fenë tuaj) por të qëndrojë qartë në anën e së drejtës sado e brishtë të jetë ajo tek njerëzit. Ai kishte mundësi të zbukuronte qëndrime, të ndryshonte mimikën e interesave personale duke u justifikuar me të mirën e përgjithëshme, por nuk e bëri për asnjë moment.
A nuk e vrau narrativa e trilluar kalifin e tretë Uthman ibn Afanin? A nuk u nxit lufta midis shokëve të profetit (Aliut dhe Muavijes) nga ata që e tjetërsuan narrativën dhe diskursin në sytë e tyre? Po ashtu ndër faktorët që kontribuan në falsifikimin e haditheve nga muslimanët janë ruajtja e interesit politik, mosmarrëveshjet juridike, tërheqja e simpatisë së publikut, ngjallja e përpjekjeve për të qenë më afër Allahut, interpretimi njëanshëm i disa vargjeve, në mënyrë që të afrohen tek sundimtarët duke fituar rehati të kësaj bote. Këto janë objektivat e vërteta të çdokujt që në këto kohë po luan me “zjarrin” duke intrepretuar fenë sipas qëllimeve personale, trilluesit e tillë janë hipokritët e modernizmit, të cilët nuk e dinë se feja, morali dhe qëndrimet e dikujt janë të lidhura me njëra tjetrën sikurse lidhëset e këpucëve të tij. Ndaj edhe pejgamberi a.s pati thënë: “ Morali i keq e prish besimin sikurse uthulla prish mjaltin” Hadith i saktë. Pjesë thelbësore e moralit janë edhe qëndrimet, veprat, pasi fjalët ndryshohen sipas brendësisë së zemrës derisa njeriu nuk e kupton më se cilat janë objektivat e Allahut nga ato të shejtanit. Nëse orientialistët islamofobë i shfaqin mjaft qartë “vargjet e tyre satanike”, muslimanët trillues mendojnë se islami flet edhe me “gojën e shejtanit”, me fjalët e trilluara të një fabrikuesi që justifikon veten para njerzve por nuk mundet dot ti shpëtojë drejtësisë hyjnore. Por kam frikë për të dhe të gjithë mbështetësit e një hipokrizie të tilllë nga pasojat e një zemre e cila është mjeti kryesor i cili do të kalohet në “skaner” në botën tjetër, nëse është e njollosur me hipokrizi dhe gënjeshtra rreth pejgamberit a.s apo islamit atëherë pakçka i bën dobi. Kjo sepse mendoi sadopak trillin për atë (pejgamberin) i cili : “Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy).” Nexhm 11.
O relativizues të së mirës, promovues të fshehtë të amorales dhe trillimit, mos e mohoni atë që panë dhe ndjenë zemrat tuaja në momentin që Zoti ju begatoi me jetë (fe), me din dhe iman! Sepse: “ ...në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor.” Haxh 46