Lidhje


I have a dream -Kam një ëndërr, ëndërroj

Dalja përsëri në pah e skandalit Rama-McGonigal dhe lobimi i të veshurve me pushtet në agjensitë e huaja, nga të gjitha kahet poltike, më kujtoi edhe njëherë sagën shqiptare të shtetformimit. Dikur Martin Luter kingu do të bëhej i famshëm me fjalimin e tij "I Have a Dream", i mbajtur në vitin 1963, në të cilin ai foli për ëndrrën e tij, për një Amerikë që nuk ka ndarje dhe as racizëm. King gjithashtu mbrojti metodat jo të dhunshme të protestës dhe organizoi marshime dhe bojkotime të panumërta. Ai ishte më i riu në moshë, që fitoi çmimin Nobel për paqe, ai e fitoi kauzën e tij, sot njerëzit me ngjyrë gëzojnë privilegje pothuaj të barabarta me shtresat e tjera etnike. Ai punoi pak ndërsa të tjerët, për shkak të tij, fituan shumë.

 


Endërra ime është më e thejshtë se kaq, është e tillë pasi vërtitet brenda llojit, brenda etnisë dhe ngjyrës. Por këtë ëndërr e kanë ndotur lobimet pikërisht në atë Amerikën e të drejtave civile dhe të kauzave të drejta. Përse vallë njerëz që ftojnë shqiptarët ta "jetojnë" ëndrrën në vendin e tyre kërkojnë të paguajnë më qindramijra dollarë tek njerëz, si amerikanët, të cilët e kanë realizuar ëndrrën e tyre duke e dashur vendin e tyre, duke dhënë jetën për të, duke shpenzuar paranë e "fituar në lobime" jashtë tij në komoditete dhe aksesorë brenda "ëndrrës Amerikane"?

 


Kam një ëndër, të cilën ma trubullon urrejtja që kemi për njëri tjetrin, ma trubullojnë maskarenjtë dhe hajdutët e rëndomtë, ma trubullojnë farësosurit e padinjitet, ma trubullon madje edhe i vogli i cili e kalon adoleshencën në shpresë për tu bërë i paskrupullt?

 


Unë kam një ëndër, ajo është ky vend, lumenjtë e tij, malet, fushat, detet, drita dhe nostalgjia e cila më pushton shpirtin sapo largohem prej tij. Unë kam një ëndërr, por jo si ato të tipit McGonigal-Rama, as Basha-Nik Muzin, por si ato të ku shqiptarët do të lobojnë tek Zoti i botrave për një Shqipëri më dinjitoze. Shpresoj shumë që në këtë ëndërr të shoh dritë, por mbi të gjitha të dëgjoj Zotin e botrave duke siguruar brezat që me kaq mund po i rrisim, të dëgjoj ashtu sikurse u sigurua edhe Musai:"O Musa, t'u dha ajo që kërkove!" Ta ha 36.

 


Kam një ëndërr që ma shqetëson zemrën, ëndërr që shqiptarët e lexuan në histori me rilindas, por nuk e panë asnjëherë në realitetet e sapolindura të rilindjes, kam një ëndërr ashtu sikurse pati edhe Martin Luteri, për një vend në të cilën njeriu mos të shihet nga ngjyra e teserës partiake dhe as nga miqtë e pushtetëshëm që i dhurojnë privilegje. Në ëndrrën time askënd nuk e privilegjon shtëpia e madhe dhe as makina e fuqishme, por arritjet dhe kontributi për këtë vend. Por ëndërra ime nuk mundet të shihet dot nga komplekset lluksoze në periferi të qyteteve, as pas lobimeve të arritura me taksat apo pasurinë kombëtare.

 


Në fund Martin Luterin e vranë, por ëndërra e tij i mbijetoi ekzistencës së tij fizike. Endërra jonë (Shqipëria) po vritet çdo ditë nga njerëz pa ëndrra dhe politikanë pa ideale. Ajo po masakrohet nga udhëtime lluksi në atraksione të krijuara nga vizionet futuristike të arit të zi apo të verdhë. Atë e vranë konspiracionet të cilat ushqejnë materien e zezë, atë materie që nuk të lë të ëndërrosh. Nuk është e vështirë të ëndërrosh, vetëm mos i vrisni ëndërrat tuaja nga iluzioni i ateizmit materialist. Ndoshta ëndrrat e shqiptarëve kanë ndryshuar, unë akoma edhe sot ëndërroj......

 

XS
SM
MD
LG