A po ndryshon Shqipëria për mirë?
Në emisionin e pasdites në tv Klan drejtuar nga Ardit Gjebrea, pikërisht në rubrikën "Shihemi në gyq" e paditur ishte Hajria, 87 vjece. Hajria është e pranishme në debatin që po zhvillohet në “Shihemi në Gjyq” mes dhëndrit, Bujarit dhe vajzës së saj, Haxhiresë. Deri më tani, 87-vjeçarja ka dëgjuar deklaratat e Bujarit që kërkon mos ta mbajë më vjehrrës në shtëpi pas 23 vjetësh që jeton me ta dhe refuzimin këmbëngulës të Haxhiresë për ta lënë të vetme nënën.
Në debat u prek edhe dhuna që e moshuara ka përjetuar nga njëra prej vajzave të saj, dhuna që Bujari ka pësuar nga vëllai dhe nipi i Haxhiresë, momente që e bënë 87-vjeçaren të përlotej. I prekur nga situata, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea vendos që të shkojë vetë te Hajria dhe ta largojë nga studioja që ajo të mos dëgjojë më deklarata të tilla.
Kur dëgjon ngjarje të tilla shumë pyetje ta mbushin kokën me dilema, a jemi ne Shqipëria e traditës, e cila ka bërë edhe të huajt të "dashurohen" pas nesh? A jemi ne duke keqkuptuar kapitalizmin dhe liritë pa kufij? A jemi ne vend që po lë pas tradita pozitive për pak rehatllik më shumë?
“Eh si u bë kjo punë! Më mirë vdekur se pleqëri!” -tha Hajria , para se Ardit Gjebrea ta largonte nga studioja me lot në sy . Aq e prekshme ishte kjo pamje saqë të duket se i gjithë procesi i modernizimit në Shqipëri është kapur nga pjesa e bishtit dhe jo kokës. Shumë shqiptar duket se kanë harruar socializimin i cili ishte thelbi i mardhënieve tradicionale.
Në procesin e socializimit, transmetimi i vlerave nga e kaluara është i lidhur thellësisht me stabilitetin e roleve familjare: respekti ndaj prindërve kushtëzon respektin për shkak të vlerave që ata përcjellin; nëna i përkushtohet kryesisht detyrave edukative ndërsa babai është garantues i përcjelljes së këtyre vlerave, pa harruar moshën e tretë e cila është dëshmi (për fëmijët) se kjo familje nuk vjen nga asgjëja, por mbart trashgimi që duhet përcjellë vazhdimisht tek brezat e tjerë.
Gjyshja që të tregon përralla, është shija më e ëmbël e një jete plot sakrifica, është gjumi më i qetë dhe ushqimi më i shijshëm. Ndaj ky rast, me atë që po shohim përditë, nuk është i pari, por shpresoj të jetë një zile alarmi për kulturën tonë. Ashtu që kjo e fundit të themelohet mbi mirënjohjen dhe mbështetjen kurrsesi mbi mosmirnjohjen apo braktisjen e një jete të tërë të mbushur me sakrifica. Tek e fundit kjo është arsyeja e vërtetë e identitetit tonë.