Lidhje


Saudia, sitemet piramidale, autokracia e trashëguar dhe democracia e huazuar/ Nga Alban Gorishti

Çfarë e përbën një komb, mos ndoshta aftësia gjuhësore për të diskutuar rreth motit? Apo mos ndoshta thashethemet me shije kafeje? Apo të qeshurit me të njejtat batuta, me të njejtat tragjikomedi? Besoj se ajo që duhet ta karakterizojë një popull është diskutimi i lirive dhe të drejtave, i përgjegjsive dhe detyrave, në këtë sens politika perëndimore është shumë më para se ajo lindore edhe pse ky është thelbi i vet Islamit, por shpesh jo i sistemeve me maxhorancë muslimane. Faktikisht sistemi demokratik, të cilin e gëzojmë edhe ne si vend më afër Europës, në fund të ditës është një vlerë e shtuar në krahasim me sistemet autokratike të shumë prej vendeve të lindjes Islame, e kjo nëse do të dimë të thithim më të mirat e secilit sistem.

 


Revolta arabe ka të bëjë me rrëfenjën lokale dhe globale të një nacionalizmi kompetitiv, si dhe e disa elitave të cilat shpalosën synimet e veta ekspansioniste. Saudia nuk është vetëm djepi i naftës dhe Islamit, por inkubatori i vjetër i popujve të lashtë semit (hebrenjtë dhe arabët). Ato dy ripa të ngushtë demografik (në foton e kopertinës) i kanë dhënë botës së njohur prej mijëvjeçarësh, pasuri kulturore dhe përshpirtshmëri historike. Niveli i disa prej shteteve të pasura arabe, me gjithë mesataren e lartë e të ardhurave personale, janë shumë dobët për nga përmbushja e drejtësisë sociale dhe politike, barazinë e mundësive etj. Raportet e Kombeve të Bashkuara, të cilat dëshmojnë për këto të dhëna shfaqin forma të ndryshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe korrupsionit në shumicën e shteteve me shumicë muslimane dhe praninë e vështirësive të shumta në jetesën e përbashkët me pakicat jomuslimane në shoqëritë përkatëse.
Në përmbledhje, sistemi i drejtësisë në shoqëritë me shumicë muslimane kalon nëpër sfida të mëdha, e kjo i bën muslimanët të përballen vazhdimisht me dukuri ekzistenciale. Përllogaritja e treguesit të zhvillimit njerëzor kryhet në varësi të disa kritereve, ndër to rënia e përqindjes së analfabetizimit, ngritja e përqindjes së arsimit sistematik, pjesëmarrja politike dhe ekonomike e nënshtetasve duke shtuar këtu edhe nivelin e jetesës dhe të ardhurat. Këto tregues nuk janë domosdoshmërisht kriter i zhvillimit perëndimor para se të jenë thelb i qënësishëm i hierarkisë monoteiste.


Saudia sot ka një popullësi prej 37 milion njerëzish. Pothuaj 80 % e popullisës së saj jetojnë në një shtrirje të habitshme gjeografike, ata popullojnë qendrën e dy zonave të ngushta gjeografike të cilat kryqëzohen me njëra tjetrën në një pikë të caktuar afër detit të kuq, ato e përshkojnë gjatë e gjerë teritorin e saj shkretinor. E para është zonë e cila ka ekzistuar edhe në antikitet, një zonë e vjetër kulturoro-fetare ajo përfshin në formë vertikale gjithë vijën bregdetare të gadishullit arab ndërsa e dyta po aq e ngushtë, ka filluar të popullohet pak a shumë në shekullin e 20-të, ajo përshkron mesin e Saudisë duke siguruar një shtrirje horizontale që nga deti i kuq deri në daljen e saj në gjirin Persik.


Rajoni i dytë më i populluar i Saudisë përfshin edhe Riadin, rreth viteve 60 afër kësaj zone u zbuluan fusha të pasura me naftë, ky zbulim i solli gjithë asaj hapësire një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe tjetërism urban, duke e mbushur atë me emigrantë të cilët u bënë shtresa më “aktive” e popullsisë së Saudisë. Kjo bëri që sot pothuaj 36% e popullsisë së Saudisë të jetë jo autoktone. Gjithë hapësira tjetër gjeografike e Saudisë është shkretëtirë. Shkretëtira përbën pjesën më të madhe të gadishullit arabik. Pjesë e saj është edhe një krahinë e madhe në jug të gadishullit e quajtur Çereku i zbrazët, i cili vetëm së fundmi është pajisur me rrugë që lidhin shtetet më jugore siç është Omani.


Saudia është prej vendeve në të të cilën nuk kalon asnjë lum. Ndërsa shiu bie kryesisht në pjesën perëndimore të saj në të cilën shtrihen edhe malet e saj , pjesë e cila laget po ashtu nga deti i kuq. Pikërisht rreth kësaj zone të ngushtë e cila shtrihet që nga veriu deri në Jemen është e përqëndruar edhe shumica më e madhe e popullsisë. Për shkak të zbulimit të naftës fshatrat e Saudisë u transformuan në metropole super moderne. Por ajo vazhdon të hasi vështirësi në sigurimin e burimeve jetësore sikurse uji apo ushqimet, pasi shumica e teritorit të saj është e përbërë nga shkretëtira. Kështu që e gjithë ajo popullsi që përqëndrohet rreth atyre zonave i detyrohet naftës e cila shkëmbehet në forma të ndryshme për të siguruar mjetet e nevojshme për jetesë. Po ashtu të ardhurat e naftës sot po përdoren për të siguruar Saudinë nga armiqtë e ndryshëm të saj duke investuar shuma të mëdha në logjistikë dhe teknologji ushtarake.
Sot Saudët po përpiqen të diversifikojnë të ardhurat e tyre duke shfrytëzuar sektorë të tjerë zhvillimi si turizmi, argëtimi etj në mënyrë që të kenë një alternativë të nesërme nëse nafta pakësohet apo mbaron, e gjithë kjo duke i kombinuar këto politika me progarme energjitike nukleare, solare etj. Fakti që shumica e ujit të pijshëm të Saudisë vjen nga impiantet që shfrytëzojnë ujin e kripur duke e kthyer në ujë të ëmbël, e tremb Saudinë nga ndonjë sulm i mundëshëm në këto objekte industriale, kjo do të kishte pasoja të rënda pasi do ta linte popullsinë e saj pa ujë të pijëshëm.


Sot Saudisë i sigurohet mbrojtje nga vende me fuqi bërthamore si SHBA-të, kjo kryesisht për shkak të prodhimit të madh të naftës, por nëse nafta do të mbarojë një ditë kam frikë se edhe mbrojta e SHBA-ve ndaj Saudisë me shumë mundësi do të përfundojë së bashku me naftën.Kjo e ekspozon së tepërmi Saudinë ndaj armiqëve të ndryshëm. Pra nëse nuk merren masa për një ndryshim të ardhëshëm rrënjësor atëherë Arabia Saudite rrezikon vet ekzistencën e saj si shtet. Shtet i cili që nga formimi i tij ka kaluar nëpër luftra dhe aleanca klanore shkretëtinore. Saudët, Rashidët, Hashimitët që prej fillim shekullit të 19-të, kanë qenë fise Saudiane të cilat kanë luftuar njëri-tjetrin të mbështetur nga fuqi të huaja, nëse Rashidët kanë qenë në anën e perandorisë Osmane, Saudët kanë krijuar shtetin e tyre të dytë të ndihmuar nga anglezët. Në fillimet e shekullit të 20, pasi kishin vuajtur një dëbim në Kuvajtin e afërt ata i shpallën luftë Rashidëve të cilët i kishin përzënë nga Nexhdi duke e rifituar me luftë tokën e të parëve të tyre. Ndërsa Hashimitët (pasardhës të familjes së profetit) u degëdisën në Jordani, duke krijuar shtetin e ri të Jordanisë, anglezët në vend të tyre mbështetën Ibn Saudin në misionin e krijimit të shtetit të ri i cili u quajt Saudi, sipas fisit të Ibn Saudit.
Fis i cili në 1924 sulmoi Hixhazin dhe ndërtoi shtetin e ri të Saudisë duke ia bashkuar atë pjesës tjetër të posedimeve të tyre të përfituara gjatë shteteve të para në shekullin e 18 dhe 19-të. Shteti i ri u krijua së bashku me një aleancë të vjetër midis familjes së ibn Saudit dhe asaj të Abdul Vehabit, sipas një modeli ultraortodoks të islamit.Kështu në vitet e para të ekzistencës ibn Saudi u përball me instabilitet politik për shkak të pretendimeve teritoriale të fiseve qoftë brenda apo jashtë Saudisë siç ishin edhe Hashimitët të cilët tashmë qeverisën Jordaninë dhe pjesë të Irakut. Por Ibn Saudi për të shuar pretendimet dhe konfliktet u martua me një vajzë nga gjithsecili prijës i klaneve të ndryshme rivale, kështu arriti të kishte deri në 20 gra të cilat i siguruan atij djem (pasardhës) të shumtë, gjashtë prej të cilëve do të ishin mbretërit e ardhshëm të mbretërisë, përfshi mbretin e tanishëm të Saudisë. Askush nuk ta mendonte se toka që ibn Saudi do të pushtonte në emër të familjes së vet do të rezultonte me kaq pasuri të fshehura, tokë e cila dikur dukej tërësisht e pavlerë. Kjo dikotomi pushtetesh solli një hegjemoni absolute sipas një interpretimi literalist të fesë, në emër të një aleance të vjetër klanesh.


Ajo që shpesh ngatërrohet në mesin e musimanëve sot është koncepti i sitemeve, fakti që dikush posedon pushtetin ekonomik nuk do të thotë aspak që i njejti është meritor për pushtetin religjoz, si dhe historia religjoze nuk është sistem ekonomik ndaj edhe dobia e saj mundet të mbartet edhe në vende pa kulturë religjoze. Duke qenë sisteme të mëdha të përbëra nga sisteme dytësore më të vogla se ato i ngjasojnë funksionit piramidal, ku edhe pse ndoshta në pamje të parë nuk duket, çdo hallkë sociale- kulturore është e varur nga sistemi kryesor sipër saj, religjoni dhe autoriteti nuk përbëjnë asnjë përjashtim. Kështu korigjimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i pjesëve dytësore të sistemit janë të kërkuara për hir të disiplinimit aktiv të lëvizjes së sistemit.
Duhet thënë se në dekadat e para pas konstituimit të saj, Saudia u pozicionua si shtet ultra religjoz, në të cilin laicizmi institucional ishte tërësisht koncept i panjohur, kështu u implementuan ligje strikte, burimi i të cilave ishte sheriati Islam. Pas tërheqjes së trupave Amerikane nga Iraku në 2011, po në të njejtin vit shpërtheu pranvera arabe pothuaj në të tërë vendet arabe. Ajo u shqua si një lëvizje anti regjim e cila u ndez nga pakënaqësitë e mëdha që popullsitë e atyre vendeve kishin ndaj qeverive të tyre. Qeveri diktatoriale të cilat kishin dekada të tëra që nuk zhvillonin zgjedhje demokratike, duke i kthyer vendet arabe nga njëra anë në shoqëri me popuj religjoz ndërsa nga ana tjetër në vende me sisteme despotike. Këto kryengritjje prodhuan me qindra mijra të vdekur dhe shkatërrim afatgjatë. Jemeni ishte prej vendeve me një minorancë shiite e cila bëri një grusht shteti duke përmbysur regjimin e vjetër sunit dhe duke instaluar në pushtet, Huthitë një milici shiite pro Iraniane. Kjo u pa si një kërcënim ndaj monarkisë Saudiane e cila e shënjestroi Jemenin duke derdhur mbi të me qindra mijra tonë eksploziv. Ky konflikt deri tani ka shënuar një numër shumë të madh të vdekurish, më tepër se 400 mijë të tillë.


Këto dy zona të ngushta toke duhet medoemos të merret në konsideratë edhe në një shtrirje tjerër, ajo historike. Kjo pasi konflikti fillestar nuk ishte domosdoshmërisht me perandorinë Osmane, por kryesisht me fiset e mbështetura nga fuqitë jashtë Saudisë. Osmanët nga njëra anë sundonin hixhazin dhe anglezët e kontestuan atë sundim nëpërmjet angazhimit ushtarak të vet fiseve arabe që popullonin Saudinë e dikurshme. Ibn Saudi i cili pretendoi një shtrirje më të gjerë të tokës së pretenduar, fillimisht pati Nexhdin si synim të vendosjes së monarkisë së tij, e cila e bënte atë automatikisht mbret. Nga ana tjetër Sherif Husejni me mbështetjen e Anglezëve shpalli xhihadin kundër Osmanëve në hixhaz. Kështu pas disa viteve përpjekje ai arriti ti largonte Osmanët nga Hixhazi. Kështu Sherif Husjeni i cili ridhte nga vet familja profetike u konsiderua si tradhëtar i perandorisë dhe shpejt e kuptoi se anglezët e kishin mashtruar duke i ushqyer ëndërra për tu bërë kalif i arabëve. Por, këto ëndërra shpejt u shndërruan në makth për të pasi disa vite pas revoltës që Sherfi ndezi në Hixhaz, një tjetër fis i madh siguroi mbështetjen e Anglezëve duke sulmuar Hixhazin tashmë të qeverisur nga Sherif Husejni , ata ishin Saudët. Të cilët i dhanë fund pushtetit të Sherif Husejnit në Hixhaz, duke siguruar kështu hegjemoninë absolute në ato ripa toke të përshtatshme për jetë, të cilat përbëjnë aksin kryesor të Saudisë moderne.


Faktikisht që prej 1800 shumë dinamika të ndryshme kishin zënë vend në një vend kryesisht shkretinor. Në një vend ku sistemi i sherifave, prijës lokalë që qeverisnin copa të ndryshme të gadishullit arab, ishte një stimul mjaft i fortë për fuqitë e huaja, nëpërmjet tyre ato kishin mundësi të nxisnin trazira të cilat do të preknin krejt botën arabe. Trazira që e projektuan lëvizjen ultraortodokse të Ibn Abdulvehabit si karburanti ideologjik i krahut politik të Saudëve, pra Saudisë moderne. Faktikisht lëvizja e Abdulvehabit erdhi nga stepat shkretinorë të gadishullit arab, aty ku edhe Saudët kishin fillimisht pretendimet e tyre më legjitime. Ajo u unifikua me politikën e ibn Saudit për të prodhuar një sistem teokratik, i cili tek shumë njerëz mbarti rolin e pa shprehur të një kalifati post devletit Osman. Por një kalifati i llojit shpirëtor më tepër sesa material. Kjo pasi rryma teologjike që Abdulvehabi mbolli tek popujt e tjerë u bazua tek ideja e trashgimisë së thirrjes së pastër të profetëve të vjetër , me në krye të saj pejgamberin tonë . A ka kush ta “kundërshtojë” këtë union? Faktikisht kjo luftë brenda llojit nuk është e re për nga manifestimi dhe as për nga pretendimet. Që pas kthimit të kalifatit në një sistem monarkik, vendet arabe kanë pasur vazhdimisht trazira dhe revolta të cilat flisnin me parime por vepronin me interesa, aleanca.


Reformat dhe transformimet kërkonin po ashtu të ishin pjesë dinamike e perandorisë osmane, në përpjekje për ti shpëtuar teokracive ezauruese apo dokeve të ngurta tradicionaliste. Prej tyre ishte lëvizja Kadızadelite. Ata ishin një lëvizje fetare reformiste puritane e shekullit të shtatëmbëdhjetë në Perandorinë Osmane që ndoqi Kadızade Mehmed (1582-1635), një predikues islamik rilindës. Sikurse lëvizja e ibn Abdulvehabit, Kadızade dhe pasuesit e tij ishin rivalë të paepur të sufizmit ekstrem dhe fesë populiste. Ata dënuan shumë nga praktikat osmane që Kadızade i konsideronte si bidat "risitë joislame" dhe mbështetën me pasion "ringjalljen e besimeve dhe praktikave të brezit të hershëm të islamit në shekullin e parë hixhri. Po ashtu më pas erdhi reforma e tanzimatit e cila e gjeti perandorinë të dobët, të korruptuar me prijësit fetarë që shpesh përdornin pushtetin për qëllime personale ndërsa institucionin e sulltanit e gjeti jo funksional për shkak të vet administratës qeveritare, administratë e cila për shkak të vjedhjes dhe abuzimit me detyrën e shpunë perandorinë drejt një ngërçi të përgjithshëm. Këtu më kujtohet parimi i periudhës së stabilitetit, nga Skyttner, që thotë se: "Ekuilibri i sistemit nuk realizohet vetëm nëse periudha e stabilitetit brenda sistemit është më e gjatë se koha e anarkisë" Shih' General systems theory . Problemi më i madh që shpesh këto vende kanë pasur ka konsistuar në anarki dhe etropi afatgjatë, për këtë periudha e ekulibrit ka qenë ose shumë e shkurtër ose e mbushur me ndryshorë egocentrist.


Ajo që shpesh i mungon sistemeve autokratike, jo demokratike (demokracia si formë e të drejtave thelbësore) është "Parimi i (vitalitetit) gjallësirë": Gjallëria është një prej funksioneve të sistemit, e cila shfaqet në ekuilibrin e vërtetë mes progresit personal në sistemet dytësore njëkohësisht me ruajtjen e integritetit të tyre me sistemin qendror, ose ekuilibrin mes qëndrueshmërisë së totales dhe progresit të pjesëve". Për këtë periudha e tyre e stabilitetit dhe drejtësisë është e shkurtër dhe jo ndikuese në nivel global apo rajonal. Ndërsa shpesh vitaliteti i resurseve apo programeve pëson një regres derisa tenton të shndërrojë "trompozat" kultrore në arritje personale apo teori piramidale.


Në këtë prizëm njeriu duhet të mbështesë atë që është më afër drejtësisë, më afër interesave afatgjata, më afër urtësive të dukshme dhe të padukshme. Nuk duhet të harrojmë se që prej padrejtësive të Haxhaxhit e deri në ditët tona sistemet që kanë sunduar lindjen shpesh janë karakterizuar nga e kundërta e asaj që e stolis sheriatin, për të cilën Ibn Kajmi r.a është shprehur: “Baza dhe themeli i sheriatit ngrihet mbi urtësi dhe interesat e njerëzve në jetën e tyre në këtë botë dhe në të përtejmen. Ai i tëri është drejtësi, mëshirë, urtësi, përfitim. Cilado çështje që del nga drejtësia në padrejtësi, nga mëshira në të kundërtën e saj, nga përfitimi në dëm, nga urtësia në kotësi, nuk është pjesë e sheriatit, edhe pse mund të futet në të me interpretim” Shemsudin Ibn el-Kajim, I’lam el Muveki’ine, Darul xhil, bl. 3, fq. 3, Bejrut 1973.


Saudia është djepi i lëvizjeve të mëdha të popullsive semite para erës së re, lëvizje që i dhanë identitet një pjese të botës së sotme. Padyshim djep i kulturës tonë shpirtëore, por de fakto jo asaj demokratike, pra flas pë atë demokraci që si thelb ka intencat e sheiatit, interesat e tij madhorë. Siç është ruajtja e fesë, mendjes, jetës, pasardhësisë dhe nderit. Ndaj ai djep i madh i dikurshëm semit sot është shndërruar në një grumbull aleancash dhe politikash të gabuara. Politika që ushqejnë barkun e apatikëve me interesa të ndryshkur dhe metodologji të gabuar. Ndërkohë që pejgamberi a.s e ka nxitur gjallërinë dhe aktivizmin, ai pati thënë : "Engjëjt nuk janë të pranishëm në asnjë nga lojërat tuaja, përveç gjuajtjes me hark dhe kalërimit." . Po ashtu ai a.s ka nxitur aleancat me llojin e njejtë sidomos në momente të vështira, aleanca të cilat nuk e fundosin konceptin e të qenit parimor dhe i drejtë, por i japin shtysë forcimit të domosdoshmërive dhe nevojave sociale, të cilat nuk e shikojnë fenë me thjerrzën e interesit dhe as me lentet e hallkës më të dobët.


Kështu qëllimi i “ruajtjes së mendjes” zbatimi i të cilit deri në një periudhë të afërt gati ka qenë i kufizuar në çështjen e ndalimit të lëndëve dehëse është zhvilluar për të përfshirë, siç përmendet në studimet bashkëkohore “përhapjen e mendimit shkencor”, “udhëtimin në kërkim të dijes”, “luftimin e shpirtit të tufës”, “mposhtjen e fenomenit të largimit të trurit nga shoqëritë islame”, e të tjera. Nuk mundet të ndalet emancipimi mendor me një sërë dogmash të cilat shohin primet e përgjithshme (kulijat) të sundohen nga dispozitat e pkjesëshme (xhuzijat), as universalitetin isam nga lokalja individualiste.


Në vitin 1981 u botua “Karta botërore islame për të drejtat e njeriut” . Këtë kartë e ka botuar UNESCO . Karta botërore e të drejtave të njeriut”, përmend nene ku përfshihet e drejta e jetës, e lirisë, e barazisë, e drejtësisë, gjykimi i drejtë, ndalimi i torturës, e drejta e azilit, liria e besimit, liria e shprehjes, liria e grumbullimit, liria e të mësuarit dhe liria e lëvizjes etj. Por duket se këto të drejta dhe liri, për sa i përket botës arabe, janë errësuar shpesh nga zjarri i konflikteve ose nga "lartësia" e rrokaqiejve. Edhe pse të pasura, një pjesë e vendeve arabe vazhdojnë të vuajnë prej vet sistemeve të tyre qeverisëse, vende me risurse , të pasura, por tashmë të pafuqishme për të gjetur një shprehje të llogjikshme fuqie dhe vitaliteti, vitalitet i cili i solli nga lashtësia në modernizëm si i vetmi popull semit i cili ka ruajtur tiparet natyrore të atij populli. Çdo sistem që aspiron të përmbushë objektivat e tij, duhet të ketë aftësinë e shndërrimit të disa faktorëve ose hyrjeve (input) në pasoja ose daljeve (output). Ky proces i shndërrimit në sistemet e gjalla ka një natyrë ciklike. Paaftësia e një sistemi për të shndërruar konceptet në cilësi apo resurset në mund dhe kapacitet, e frenon natyrën ciklike duke e shndërruar vet sistemin në konsumues të vetvetes dhe jo të karburantit kulturor në dispozicion të këtij sistemi.


Sot po përjetojmë fatkeqësinë e Palestinës, atrofizimin e sistemeve me shumicë islame ndërsa në vendin tonë një sekt me akide pirmidale, mesanike. Kjo tregon tërësinë e entropisë që ka kapluar sistemet tona, entropi e cila nuk mundet të stabilizohet pa sjell dinamizmin e të mirës dhe dakordësimin e shumicës se qendra e sistemeve është religjoni dhe kurrsesi ata vet ose dikush prej tyre.


Por ajo me të cilën desha ta përmbyll shkrimin është një vëzhgim i eksperiencave njerëzore, ku çdo “sistem i gjallë” duhet patjetër të jetë i hapur. Ky rregull gjen zbatim mbi qeniet e gjalla, e po ashtu mbi çdo sistem që dëshiron të mbetet i përjetshëm. Si i tillë sistemi i sukseshëm është ai i cili e ndërton vitalitetin e qendrës mbi aplikimin e drejtësisë në çdo njërën prej hallkave dytësore, ashtu që pasuria dhe pushteti mos të bëhet lojë në duart e pasanikëve ndërsa shembulli personal të bëhet forca gravitacionale e çdo hallke të sistemit.

 

Nga Alban Gorishti

 

Për më tepër shih:
https://www.youtube.com/watch?v=uz88EurZdrI
https://www.youtube.com/watch?v=txmzVsBniZQ

XS
SM
MD
LG