Lidhje


Propozimi i hershëm nga Shoqëria civile: Të rritet mosha minimale e kryerjes së mardhënieve seksuale

Në një artikull të 12 Qershor 2022 nga dosja. al, propozohet nga shoqëria civile rritja e penaliteteve që përfshijnë ata të cilët kryejnë mardhënie seksuale me një të mitur, apo rritja e moshës minimale në mënyrë që këto penalitete të hyjnë në fuqi. Vendet e zhvilluara perëndimore kanë patur tendencë, dhe ende sot e kësaj dite kanë tendencën, që të mos lënë moshën 14 vjeç si moshën minimale, por ta rrisin atë dhe ta çojnë në 15 apo 16 vjeç.

 

 

Kodi Penal, (neni 100) i Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar moshën 14 vjeç si moshën minimale, apo moshën kufi, që një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale. Por nga ana tjetër do të thotë që një i rritur mund të kryejë marrëdhënie seksuale pa u penalizuar nga ligji, pa u cilësuar pedofil, apo grabitqar seksual.

 

Aty po ashtu shkruhet se "Ne mendojmë që Shqipëria duhet të bëjë një hap për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual. Ne do të kërkojmë shumë shpejt nga Kuvendi i Shqipërisë që mosha e hyrjes në marrëdhënie seksuale, pra mosha e konsentit, dakordësisë, të jetë 16 vjeç, duke iu përafruar legjislacionit të shumicës së vendeve të BE-së.

 

Nëse iu referohemi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shumë përvojë në mbrojtjen e fëmijëve, ku atje, përmend faktin që, është mosha 16 kur nisin marrëdhëniet seksuale, personi me të cilin adoleshenti kryen marrëdhënie seksuale duhet të jetë më pak sesa 5 vjet diferencë. Nëse është më shumë se 5 vjet atëherë konsiderohen si marrëdhënie pedofilie."

 

Faktikisht sot fëmijët, të rinjtë kanë nevojë për një shtysë, një ëndërr, një shoqëri e cila mos ti bombardojë këto mendje me imazhe dhe tinguj seksualisht manipuluese dhe indoktrinuese. Një projekt që mos të ketë si qendër rëndese programe si big brother apo përputhen, një kod kulturor nëpërmjet të cilit të deshifrohen ambiciet dhe pikëpyetjet e së ardhmes. Sot jemi në momentin që brezi i ri është në trajtat e një "sufllaqeje konsumi", ku çdokush mundet të fusi në të çfarëdolloj ingredienti mjafton të shtojë sasinë e valutës në dispozicion. Në një kohë ku hormonet nuk stimulohen vetëm nga ushqimet gjenetikisht të modifikuar por mbi të gjitha nga vizualiteti i një modeli kulturor pa të brendshme dhe i një vendi sociologjikisht të mbingarkuar nga 'vlerat' e tipit fast food. 

 

Ajo që sot na shqetëson nuk është vetëm ligji por edhe trendet psikologjike dhe kulturore të shoqërisë shqiptare, mënyra e sjelljes së të rinjve pasionet etj. Kjo pasi kërkesat e kohës janë të mbingarkuara nga modelet 'seksualisht të transmetueshme' apo nga dukuritë mediatike lehtësisht manipuluese. Ndaj nuk na del si prioritet vetëm mbrojtja e të miturve nga 'hormonet e brezit të patatinave' por mbi të gjitha nga e keqja e vetvetes, e cila shpesh mbështillet çuditshëm në perversitet e shoqërisë. Ndaj mbrojtja e këtij kufiri moshe dhe rregullimi me ligje penalizuese për shkelësit, ka më tepër dobi sesa dëme. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ti dhënë kohë të miturve të njohin veten e tyre para sesa të njohin trupin. 

 

Ajo që stimulon liritë nuk duhet të jetë kurrsesi trupi, por thelbi dhe intelekti ndërsa askush në këtë moshë nuk mundet ti perceptojë konceptet e duhura të cilat janë aq thelbësore për ti ndihmuar të rinjtë të kenë një jetë sa më larg delireve seksuale apo psikologjike. 

 

Asnjë pjekuri nuk mundet të shijojë më tepër sesa ajo që mbrrin kohën e duhur për tu vjelë. 

 

XS
SM
MD
LG