Feja, dhuna dhe ideja e të qenit “i zgjedhur”
Fetë i formësojnë shoqëritë dhe shpesh nxisin konflikte përmes besimit se ato janë të “zgjedhura” nga Zoti. Në këtë aspekt, Judaizmi është në krye të listës. Ndërkohë, Islami është e vetmja fe në të cilën ideja e të qenit i zgjedhur, nuk ka marrë një karakter shoqëror. Në krahasim me besimtarët e feve të tjera, myslimanët janë më pak të prirur drejt të konsideruarit të vetes si “të zgjedhur” dhe kësisoj më pak të ngarkuar nga përgjegjësitë e këtij roli
Nga Ekrem Demirli “Daily Sabah”
A i shtyjnë në ndonjë formë besimet fetare shoqëritë drejt dhunës? Edhe pse të gjitha fetë e portretizojnë veten si avokate të paqes, mirëqenies, dhembshurisë dhe nderimit për jetën, është e habitshme që në epokën moderne, ato lidhen shpesh me konfliktin dhe luftën.
Ndërsa duket që Islami është subjekti më i shpeshtë i akuzave të tilla sot, edhe fetë e tjera janë shoqëruar me dhunën, megjithëse në shkallë të ndryshme. Për një mysliman që e kupton Islamin si një burim paqeje, sigurie dhe bamirësie ndaj botës, etiketimi si i dhunshëm mbart një peshë shumë më të madhe se sa thjesht një shpifje.
Megjithatë, realiteti mbetet: çdo fe e madhe, në një moment apo në një tjetër, është përballur me akuza për dhunë, dhe Islami nuk bën përjashtim. Midis të gjitha feve, Judaizmi ishte padyshim feja më e mbrojtur dhe më e shmangur nga debati.
Ai përfitoi nga mbrojtjet ligjore dhe ndikimi i tij në sferat intelektuale, shkencore dhe kulturore ndihmoi në përforcimin e këtij pozicioni. Megjithatë, vitet e fundit, marrëdhënia midis Judaizmit dhe dhunës ka filluar të vihet re, dhe diskutimet rreth fesë dhe dhunës kanë filluar të diskutohen përmes provave dhe fakteve shumë të qarta.
Edhe pse shumë njerëz, mund të mos e shohin këtë çështje si teologjike, ata që janë të njohur me kompleksitetin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, e dinë se ato janë thellësisht të ndërthurura me faktorë teologjikë, historikë dhe politikë.
Prandaj, çdo dhunë e lidhur me komunitetet hebraike, duhet të konsiderohet brenda një konteksti më të gjerë dhe më universal, domethënë teologjik. Shoqëritë që prej kohësh krenohen me kontributet e tyre shkencore dhe kulturore në botë, duhet të marrin gjithashtu përgjegjësi dhe të përballen me sfidat që rrjedhin nga veprimet e tyre politike.
Nga ana tjetër, kur përmendet dhuna në Indi, shpesh na vijnë në mendje hindutë, së bashku me sektet e tyre të shumta. Edhe pse Hinduizmi, ashtu si Krishtërimi, i ka projektuar botës imazhin e të qenit një fe e paqes dhe dashurisë, është bërë e qartë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë.
Hindutë “fetarë”, të cilët veprojnë me motivin e “mbrojtjes së vendeve të tyre të shenjta”, duket se kanë nxjerrë në pah ndarjen dhe elitizmin e natyrshëm në këtë fe. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se pafajësia e statujave të hyjnive të tyre, me buzëqeshje të qeta dhe me pamje të vetëkënaqura siç propagandohen në Perëndim, është thjesht një maskë, dhe se agresioni i fshehur poshtë saj po nis tani që të perceptohet shumë qartë.
Nga ana tjetër, Krishtërimi ka qenë feja e të fuqishmëve në një botë moderne, që rrezikon të shkatërrojë njerëzimin ndër breza me bombat bërthamore që zotërojnë shtetet me shumicë kristiane. Ai ka qenë intelekti themelues i politikës evropiane për shekuj me radhë.
Duket se nuk ka pasur ndryshim në qëndrimin me dy standarte të të krishterëve që nga koha e Romës së lashtë: ndërsa udhëheqësit e shndërrojnë botën në një Ferr përvëlues, shprehjet plot përlotje të klerit të krishterë janë përpjekur të pastrojnë disi imazhin e qytetërimit perëndimor.
Nga ana tjetër, myslimanët përdorin më shumë dhunë midis tyre. Miliona njerëz kanë vdekur në konfliktet e brendshme në Siri, Afganistan, Pakistan, Afrikë, Irak dhe Iran gjatë 50 viteve të fundit.
Pastaj, të thuash se nuk ka lidhje midis fesë dhe dhunës, të mendosh se dhuna buron tërësisht nga shkaqe politike dhe të jashtme, të pretendosh se njerëzit fetarë i kryejnë të gjitha këto vepra të liga ndërsa “mbrojnë fenë”, do të thotë të mos e njohësh rëndësinë e çështjes.
Para së gjithash, duhet ta shqyrtojmë problemin jo në lidhje me ndonjë fe të veçantë, por me fenë në përgjithësi dhe të pyesim: A i kanë sjellë fetë vërtet paqe, vëllazëri dhe dashuri njerëzimit, apo përmbajnë një kuptim që çon në konflikt dhe luftë?
Pa dyshim, këto pyetje kërkojnë diskutime të gjata, dhe përgjigjet duhen gjetur duke marrë në konsideratë kundërshtimet ndaj fesë, pavarësisht nga burimi i tyre. Kur shqyrtohen arsyet që e shtyjnë fenë të përdorë dhunën, duhet theksuar se më e rëndësishmja ndër to është besimi tek të qenit “të zgjedhuri”, ideja që një fe i konsideron ithtarët e vet të privilegjuar dhe superiorë ndaj të tjerëve.
Fetë priren drejt dhunës ose shtypjes, në masën që ato përmbajnë idenë e të zgjedhurit; në masën që ato pretendojnë të jenë të ndara dhe superiore ndaj njerëzve të tjerë, ato nisin të kenë një qëndrim që i poshtëron të tjerët. Pa dyshim, të gjitha fetë përmbajnë idenë e të zgjedhurit në një farë mase; nuk ka dyshim për këtë.
Edhe Islami, i cili i kushton më pak rëndësi të zgjedhurit, e mbart konceptin përmes kuptimit të tij të “udhëzimit”. Megjithatë, Islami dhe Krishterimi shfaqin më pak nga ideja e të zgjedhurit krahasuar me Judaizmin.
Kjo situatë, i jep fesë mundësinë dhe legjitimitetin për të ndërhyrë më fuqishëm në jetë dhe për të organizuar njerëzit për të arritur qëllime të caktuara. Nëse një fe u thotë ithtarëve të saj: “Ju jeni arsyeja pse Zoti krijoi tokën; ju jeni të zgjedhur!”, atëherë, siç e shohim në gjithë historinë hebraike, e gjithë historia bëhet një histori lufte me Zotin në krah, dhe me njerëz të tjerë që i vuajnë pasojat.
Në masën që ideja e të qenit i zgjedhur ekziston në një fe, ekzistenca e njerëzve të tjerë do të shihet si e pakuptimtë, dhe ata nuk do të konsiderohen si qenie të respektueshme ose të besueshme. Kjo ndodh sepse detyra në tokë u është dhënë “të zgjedhurve”, ndërsa të tjerët janë “aksidentalisht” të pranishëm dhe konsiderohen si një barrë për botën.
Për më tepër, të zgjedhurit ndihen përgjegjës vetëm ndaj atij që i zgjodhi. Njerëzit që ekzistojnë “aksidentalisht”, nuk mund të sjellin shpresë as në jetën e përtejme, sepse jeta e përtejme do të mbetet gjithashtu pronë e popullit të zgjedhur.
Duhet theksuar, jo për të “mbrojtur” Islamin, por për të nxjerrë në pah faktet, se Islami është e vetmja fe në botë, në të cilën ideja e të qenit “i zgjedhur”, nuk ka marrë një karakter shoqëror. Kur krahasohen me besimet e tjera të botës, myslimanët janë më pak të prirur drejt të qenit i zgjedhur, dhe për këtë arsye, më pak të ngarkuar nga përgjegjësitë e këtij roli.
Për këtë arsye, myslimanët duhet të jene relativisht më rehat në marrëdhëniet e tyre me të tjerët, më të prirur drejt një kulture bashkëjetese dhe më tolerantë. Megjithatë, historia e shoqërive myslimane, e mbushur me shekuj disfatash, e ka dëmtuar aftësinë e tyre për të menduar qartë dhe për të prodhuar koncepte dhe vlera.
Ajo e ka penguar aftësinë e tyre për humanizëm universal, dhe ka shkaktuar pasiguri dhe një agresion të pakuptimtë, të shkaktuar nga shtypja e gjatë. Arsyeja kryesore për prirjen për dhunë midis popujve myslimanëve, duhet të jetë pikërisht kjo barrë historike, dhe kjo situatë i ka dëmtuar shoqëritë e tyre më shumë se sa sa çdo gjë tjetër.
Shënim: Ekrem Demirli, profesor në Departamentin e Sufizmit në Fakultetin e Teologjisë, Universiteti i Stambollit.