Si është të mbijetosh në Gaza kur të vriten fëmijët
Përmes postimeve dhe intervistave në Facebook, 4 nëna palestineze të pikëlluara ndajnë historitë e tyre të humbjes së paimagjinueshme, duke reflektuar një shkatërrim që nuk ka kursyer asnjë shtëpi në Gaza...
Nga Ahmed Abu Artema “Middle East Eye”
Tragjeditë njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi i vazhdueshëm i Izraelit në Gaza janë të panumërta. Gati 2 milionë palestinezë po përjetojnë dhimbje dhe pikëllim të skajshëm. Çdo familje mbart historinë e vet të shkatërrimit mes masakrave të tmerrshme dhe rrënimit të shtëpive.
Për një nënë, vdekja e fëmijës është një pikëllim që zgjat gjithë jetën. Në Gaza, kjo tragjedi ka arritur një shkallë të paparë dhe të paimagjinueshme. Vdekja nuk ka ardhur një nga një, por në grupe. Më 24 maj, mjekja pediatre Ala Al-Naxhar humbi 9 nga fëmijët e saj në një sulm të vetëm ajror izraelit.
Shtëpia e saj u bombardua ndërsa ajo ishte në punë në Spitalin Naser në Kan Junis, duke u përpjekur të shpëtonte të plagosurit. Asnjë fjalë nuk mjafton për të përshkruar atë që kanë duruar këto nëna. Megjithatë, disa prej tyre kanë zgjedhur të ndajnë me publikun historitë e tyre.
Varrosur për së gjalli
Poetja Ala Al-Katraui humbi të katër fëmijët e saj menjëherë, në rrethana të tmerrshme. Më 13 dhjetor 2023, ajo gjendej në shtëpinë e familjes së saj në Gazën Qendrore, ndërsa fëmijët po qëndronin me babanë e tyre në Kan Junis. Kur ushtria izraelite pushtoi qytetin dhe arrestoi babanë e tyre, fëmijët mbetën të izoluar në shtëpi me gjyshen.
Vajza e Ala-s, Orkida, arriti t’i telefononte të ëmës duke iu lutur për ndihmë. Ajo tha se nuk mund të dilnin nga shtëpia sepse snajperët izraelitë e kishin rrethuar. Pak më vonë, ushtarët izraelitë ua morën telefonat celularë, duke ndërprerë për katër muaj çdo lloj kontakti midis Ala-s dhe fëmijëve të saj.
Më vonë mbërriti lajmi se Izraeli kishte shkatërruar shtëpinë ku ishin strehuar fëmijët. Ala shkruan, duke iu drejtuar vajzës së saj, Orkida: “Nuk mund ta imagjinoj që trupi yt i butë dhe flokët e tu të bukur janë nën rrënojat e një shtëpie trekatëshe prej betoni. Por ende e mbaj mend zërin tënd para se të ndërpritej lidhja telefonike, duke më thënë se do të prisje që unë të të nxirrja që andej dhe se po kujdeseshe për motrën tënde të vogël, Karmelin”.
Në prill 2024, pasi ushtria izraelite u tërhoq nga Kan Junis, u konfirmua e vërteta tragjike. Katër fëmijët ishin vrarë: Jameni, 8 vjeç; binjakët Kinan dhe Orkida, 6 vjeç; dhe Karmeli, vetëm 3 vjeç. Trupat e tyre mbetën nën rrënoja për katër muaj. Pasi u shpall armëpushimi në tetor 2025, Ala vëren: “Nuk mund ta besoj që lufta ka ndaluar, por mund të besoj se pushtimi është një përbindësh dhe se njerëzimi është preja e tij e preferuar”.
Nën rrënoja
Më 15 janar 2024, Aja Shama ishte në shtëpi me tre fëmijët e saj: Jamenin, 7 vjeç; Naserin, 5 vjeç; dhe foshnjën Rajan, vetëm 51-ditëshe. Një aeroplan izraelit bombardoi shtëpinë ndërsa fëmijët po flinin. Shtëpia u shemb mbi ta. Jameni vdiq nga asfiksimi nën rrënoja.
Vogëlushja Rajan u flak nga kati i tretë te një shtëpi fqinje nga forca e shpërthimit. Aja dhe djali i saj, Naseri, u nxorën të gjallë nga rrënojat prej fqinjëve. Aja nuk ndalet së qari për dy fëmijët që humbi. “Nëse lotët mund të risillnin sërish në jetë të dashurit, atëherë lotët e mi do t'ju kishin rikthyer juve” - shkruan ajo.
Duke iu drejtuar të birit, Jamenit, ajo kujton se doli nga rrënojat dhe ndjeu zemrën e saj që ende rrihte, duke e bindur veten se edhe fëmija i saj duhet të ishte gjallë. Ajo shkroi: “A isha vërtet kaq naive saqë harrova se secili prej nesh ka një zemër të veçantë?”.
Aja e përshkruan Jamenin e ndjerë si “filozofin e vogël”, pasi edhe pse vetëm 5 vjeç, ai e pyeti njëherë pse kafshët hanë njëra-tjetrën dhe pse nuk mund të jetojnë të gjitha në livadh, në paqe. Ajo u përpoq ta mbronte nga mizoria e botës, por kjo mizori e goditi duke e vrarë. “Nuk pata një lamtumirë të gjatë. Vdekja ishte më afër tij sesa përqafimi im!” - shkruan ajo.
Fëmijëri të vjedhura
Aja Hasuna është një tjetër nënë palestineze, zemrën e së cilës Izraeli e theu duke i vrarë dy fëmijët dhe bashkëshortin. Më 9 gusht 2024, bashkëshorti i saj, Abdullahu, po luante me fëmijët e tyre, Hamzën, 4 vjeç, dhe Ragdin, 2 vjeç, përpara tendës që kishin ngritur në Kan Junis pasi u zhvendosën me forcë nga Qyteti i Gazës.
Si e mbijetuara e vetme nga ajo masakër, Aja shprehet në një postim: “Dikur kisha një familje të bukur që e doja aq shumë, dhe zemra ime është ende e lidhur me ta. Çdo mëngjes zgjohem dhe shikoj nga dritarja e tendës sonë - tendës që dikur ishte e mbushur me zërat dhe të qeshurat tuaja - drejt vendit ku ju u vratë...”.
Ajo përshkruan se si shoku i ngushtë i Hamzës, Maliku, me të cilin ai kishte luajtur, mbijetoi vetëm sepse nëna e tij e kishte thirrur brenda pak çastesh para se të godiste raketa. Maliku tani vjen çdo ditë, duke e parë tendën nga larg përpara se të afrohet dhe ta pyesë Ajën: “Kur do të kthehet Hamza?”.
Ajo përpiqet t’i shpjegojë se Hamza ka vdekur dhe nuk do të kthehet më. Fëmija nuk e kuptoi se çfarë do të thoshte kjo. Ai u përgjigj: “Pse? Thuaji të kthehet që të luajmë së bashku”. Ai e pyeti pse Hamza nuk mund t’i telefononte me video ose t’u dërgonte fotografi.
Aja shkruan: “O Zot, kjo luftë ia ka vjedhur vetë fëmijërinë!”. Ajo vazhdon të shpjegojë pse refuzon t’i përshkruajë fëmijët e saj si të vdekur: “Ata po luanin dhe pastaj papritmas u zhdukën. Fëmijët e mi janë gjallë me Zotin e tyre, duke luajtur në Parajsë!”.
Një varr i përbashkët
Asma Al-Mugari humbi 23 anëtarë të familjes kur avionët izraelitë bombarduan shtëpinë e saj në kampin e refugjatëve Bureixh më 17 tetor 2023. Sulmi ajror vrau dy fëmijët e saj - Ajanin, 6 vjeç, dhe Abdullahun, 5 vjeç, të cilin ajo e quante me dashuri Abud - së bashku me prindërit, vëllezërit, motrat dhe nipërit e mbesat.
Trupat e tyre mbetën nën rrënoja për 29 ditë, përpara se të varroseshin së bashku në një varr të vetëm. Asma tregon: “Nuk do ta harroj kurrë kur dikush më tha: 'Mblodhëm trupat e 8 fëmijëve në një varr të përbashkët'. Ajo refuzoi t'i shihte trupat e fëmijëve të saj, duke zgjedhur të ruante imazhin që mbante për ta në jetë”. “Më fal... nëse do të mundja, do të të kisha mbrojtur dhe do të të kisha mbajtur në krahët e mi”- shton ajo.
Duke komentuar mbi një fotografi të fëmijëve të vrarë, Asma shkruan: “Në një univers paralel, një fëmijë bën banjë dhe vesh pizhame të pastra. Ai ha një vakt të shëndetshëm dhe nëna e tij e vendos në një shtrat të ngrohtë, në një dhomë plot ngjyra e lodra. Ajo i lexon një përrallë para gjumit për dashurinë dhe paqen, dhe ai bie në gjumë i qetësuar. Por në Gaza, kjo histori nuk tregohet; është ajo që dëshmohet në këtë imazh. Ose ndoshta mundësia tjetër është që fëmija nuk është më gjallë fare”.
Pas fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump në parlamentin e Izraelit, Knesset, më 13 tetor, Asma komentoi: “Personi më i rëndësishëm në botë nderon një ushtar që mori pjesë në vrasjen e fëmijëve të mi. Ndërkohë, ai as nuk i njohu 29,000 fëmijët, jetët e të cilëve u vodhën. Ai nuk dinte asgjë për sytë e Ajas dhe Abudit, të shuar padrejtësisht”.
Kjo është drejtësia e botës, e manifestuar si zero, dhe e bën nënën e një fëmije të vrarë të shohë gjithçka përreth saj me neveri dhe zhgënjim. Pas shpalljes së asaj që supozohet të jetë një armëpushim, ritmi i vrasjeve të përditshme në Gaza është ngadalësuar.
Por për prindërit e pikëlluar, plagët janë të pashërueshme. Populli i Gazës sot po përjeton një tragjedi të papërshkrueshme, e cila duket se nuk ka fund. Ata jetojnë mbi dhjetëra miliona tonë rrënoja pasi Izraeli ua shkatërroi shtëpitë dhe qytetet. Zia do t’i shoqërojë për gjithë jetën, ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt në mungesë të një vullneti serioz ndërkombëtar për të rindërtuar Gazën ose për të mbajtur përgjegjës regjimin që kreu këto mizori.
Deri atëherë, dëshmia e këtyre nënave mbetet, duke refuzuar reduktimin e fëmijëve të tyre në thjesht numra dhe duke artikuluar një humbje të pakuptueshme që vazhdon të përcaktojë gjenocidin në Gaza.