Lidhje


A tregon legjitimiteti i rremë moral i Lajçak ndonjë gjë për ne?

Nga Sidorela Vatnikaj

 

Shqipëria doli nga një regjim totalitar e rrënuar institucionalisht, por me një aspiratë të fortë politike dhe morale: t’i përkiste Evropës dhe Perëndimit, jo thjesht si hapësirë gjeografike, por si projekt vlerash për demokraci, dinjitet njerëzor, barazi dhe shtet të së drejtës. Integrimi evropian u ndërtua si një premtim për t’u shkëputur nga dhuna, izolimi dhe instrumentalizimi i njeriut, veçanërisht i grave.


Përdorimi i legjitimitetit moral, të projektuar dhe të indoktrinuar për vite me radhë ndër shqiptarë nga institucionet evropiane, për ta shfrytëzuar Shqipërinë si një hapësirë ku mund të vidhet, të mbështeten autokratë dhe, në mënyrë poshtërusese,“të takohen vajza të jashtëzakonshme”, përbën një turp të jashtëzakonshëm. Deklarata e Lajçak nuk tregon vetëm mendimin e individit, por është dëshmi e një marrëdhënieje thelbësisht të pabarabartë, ku vlerat e shpallura shndërrohen në instrument pushteti dhe jo në parime etike.


Në këtë marrëdhënie, legjitimiteti “në emër të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut” përdoret si mbulesë për praktika kolonizuese dhe shfrytëzuese, ku vendet periferike trajtohen si terrene eksperimentale: për korrupsion, për stabilitet autoritar dhe për imunitet moral të atyre që vijnë nga qendra e pushtetit. Shqipëria nuk shihet si subjekt politik me dinjitet, por si hapësirë e disponueshme.


Është e qartë se, në një kontekst tjetër, takimet mes njerëzve, qofshin “vajza të mrekullueshme” apo jo, nuk përbëjnë asnjë interes publik dhe janë çështje private. Por kjo logjikë bie poshtë kur këto deklarata dhe praktika dalin në dritë në kontekstin e dosjeve Epstein, ku abuzimi seksual, trafikimi dhe shfrytëzimi i grave dhe vajzave janë të dokumentuara si pjesë e një rrjeti elitar, të mbrojtur për vite me radhë nga pushteti politik, ekonomik dhe institucional.


Në këtë rast, marrëdhënia e pabarabartë mes burrave të pushtetshëm, burokratë europianë apo biznesmenë, dhe vajzave kryesisht të reja, të vendosura në pozita vulnerabël ekonomike dhe shoqërore, nuk duhet trajtuar si një çështje morali individual, por si pasojë direkte e pabarazive të thella ekonomike dhe strukturore. Statusi, kapitali ekonomik dhe pushteti institucional përdoren për të ndërtuar marrëdhënie shfrytëzimi dhe abuzimi, ku palët nuk janë të barabarta, por të pozicionuara qartë si shfrytëzues dhe të shfrytëzuara. Nuk është e rastësishme që, ashtu si dikur vajzat shqiptare shfrytëzoheshin nga rrjete europiane për shkak të varfërisë dhe mungesës së alternativave, sot vajza nga vende edhe më të varfra, si Kolumbia, Kina apo Ukraina, përfundojnë të shfrytëzuara nga grupe shqiptarësh, pikërisht sepse ndodhen në të njëjtat kushte vulnerabiliteti ekonomik dhe social. Ky cikël tregon se problemi nuk është kombësia, por struktura e pabarazisë që riprodhon vazhdimisht marrëdhënie dominimi dhe shfrytëzimi.


Fakti që emra zyrtarësh, diplomatësh dhe figurash të lidhura me institucione që predikojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut shfaqen në këto dosje, e zhvesh plotësisht këtë diskurs nga çdo autoritet moral. Ai tregon se për disa, vlerat nuk janë parime universale, por monedhë negociimi, që zbatohet selektivisht: ndryshe për qendrën, ndryshe për periferinë.


Kjo nuk është thjesht hipokrizi individuale. Është një strukturë pushteti, ku Shqipëria dhe vende të ngjashme përdoren si hapësira ku standardet ulen, ku dhuna banalizohet dhe ku gratë reduktohen në narrativë folklorike ose objekt shfrytëzimi. Pikërisht për këtë arsye, ky diskurs nuk është vetëm fyes; është politikisht i rrezikshëm dhe moralisht i papranueshëm.


Në këtë kuptim, edhe marrëdhënia që Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbajtur ndaj vlerave të prezumuara të Perëndimit na ka bërë të jemi të kolonizuarit që kolonizimin e kemi përbrendësuar. Prandaj, legjimiteti i rremë moral i Lajçak, sa për Lajçik vetë dhe Epstein, tregon gjithashtu për Perëndimin dhe Shqipërinë, se si të dyja kanë zgjedhur, në mënyrë të pasinqertë të jenë dy anët e një marrëdhënie të pabarabartë.


Shqipëria dhe shqiptarët duhet, para së gjithash, të zgjedhin dinjitetin e tyre dhe dinjitetin e vendit, duke mësuar të ndërtojnë vetë institucione të drejta, të barabarta dhe realisht demokratike. Iluzioni se integrimi apo afrimi me Europën garanton automatikisht standarde morale dhe drejtësi ka rënë prej kohësh, pasi morali i prezumuar “europian” rezulton, të paktën, i pjesshëm dhe jo gjithmonë i vërtetë. Prandaj, emancipimi politik dhe shoqëror nuk mund të importohet, por duhet të ndërtohet nga brenda, mbi parime të dinjitetit, barazisë dhe përgjegjësisë kolektive.

XS
SM
MD
LG