Media austriake Der Standard: Rama po sulmon sistemin gjyqësor në Shqipëri!
Prestigjiozja austriake Der Standard i ka kushtuar një analizë të detajuar zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, duke e vendosur në qendër të vëmendjes përplasjen mes Kryeministrit Edi Rama dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në një shkrim të firmosur nga gazetarja Adelheid Wölfl, media austriake me ndikim në hapësirën gjermanishtfolëse e përshkruan debatin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku si një moment kritik për ndarjen e pushteteve dhe për të ardhmen e reformës në drejtësi në vend.
Në fokus është tentativa për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, si një nismë që ngre pikëpyetje mbi balancën mes ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe mbi barazinë e qytetarëve para ligjit.
Në vijim, shkrimi që sjell jehonën e përplasjes me mazhorancës dhe gjyqësorit në një kontekst më të gjerë europian, duke nënvizuar se zhvillimet në Tiranë po ndiqen me vëmendje në Bruksel.
Ajo thjesht nuk u paraqit. Në fillim të javës, parlamenti shqiptar zhvilloi një debat për kërkesën e prokurorisë antikorrupsion për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres shqiptare Belinda Balluku, deputete e Partisë Socialiste. Megjithatë, ajo reagoi me shpërfillje. Politikania dyshohet se ka ndërhyrë në një proces tenderimi publik për shtatë projekte të mëdha ndërtimi rrugësh, duke favorizuar një ofertues të caktuar.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e ka hetuar Ballukun prej muajsh, ndërsa kryeministri Edi Rama, në mënyrë autoritare, po e përdor çështjen për të zhvilluar një betejë personale kundër gjyqësorit. Duke vepruar kështu, ai po minon në mënyrë efektive ndarjen e pushteteve në vend. Kur SPAK kërkoi pezullimin e Ballukut në nëntorin e kaluar, Rama paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Ai e quajti vendimin një “precedent unik dhe të rrezikshëm” dhe e cilësoi pezullimin “absurd në vetvete”. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të pezullimit në fillim të shkurtit.
Rama ishte i zemëruar. Në të kaluarën, nëse diçka nuk i përshtatej, ai do të përplaste grushtin mbi tavolinë si një shef i inatosur. Tani po shkon edhe më tej. Javën e kaluar, Partia e tij Socialiste propozoi ndryshimin e Nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas ndryshimit të propozuar, zyrtarë kyç, përfshirë presidentin, Avokatin e Popullit, kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk do t’i nënshtroheshin më pezullimit nëse dyshohen për korrupsion.
Joproporcionale?
Ndryshimi i propozuar do të përbënte një cënim serioz dhe joproporcional të pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit dhe një hap prapa në luftën kundër korrupsionit dhe klientelizmit. Ndryshimi i ligjit do të minonte barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, pasi do t’u jepte trajtim preferencial zyrtarëve publikë.
Për më tepër, pezullimi në hetimet për korrupsion synon të garantojë integritetin e hetimeve penale dhe të minimizojë rrezikun e manipulimit të provave ose dëshmitarëve. Eliminimi i mundësisë për pezullimin e zyrtarëve të ekzekutivit do të minonte gjithashtu balancën e pushteteve midis ekzekutivit dhe gjyqësorit.
Ermal Hasimja nga Forumi për Dialog Politik beson se ndryshimet e propozuara i shërbejnë Ramës për të parandaluar një pezullim të mundshëm të tij në të ardhmen dhe për të përforcuar teorinë e tij se gjyqësori ndërhyn në degën ekzekutive. Si pjesë e reformave në drejtësi, Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) u krijuan në Shqipëri vitet e fundit. Ato zhvillojnë hetime efektive, duke u dhënë shumë shqiptarëve shpresë se drejtësia dhe barazia para ligjit mund të kenë një shans në vend. SPAK-u u mbështet dhe u mbrojt nga SHBA dhe partnerët e saj në BE.
Megjithatë, SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme janë bërë tashmë një kërcënim për pushtetin e Ramës. Përveç Ballukut, kryetari i bashkisë së Tiranës, disa ministra dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm janë akuzuar ose dënuar. “Çështja Balluku e ka shtyrë Ramën të braktisë qëndrimin e tij të mëparshëm disi të rezervuar”, i tha politologu STANDARD-it.
Fushatë kundër gjyqësorit
Rigels Xhemollari nga OJQ-ja “Qëndresa Qytetare” e kritikon projektligjin si një hap të qartë prapa për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe për shtetin e së drejtës. “Kushdo që mund të provohet se ka keqpërdorur fondet publike duhet të ndiqet penalisht. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo të gëzojë një status të privilegjuar krahasuar me qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, i tha Xhemollari STANDARD-it.
Për më tepër, projektligji u diskutua ekskluzivisht mes Kryeministrit dhe ministrave të tij dhe nuk iu nënshtrua asnjë shqyrtimi ekspertësh apo debati publik. “Procesi ishte i paqartë dhe mungoi çdo konsultim institucional”, kritikon ai.
Rama ka nisur një fushatë agresive kundër gjyqësorit, përmes sulmeve publike dhe mediatike, me qëllim dobësimin e SPAK-ut. Në të njëjtën kohë, megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se SPAK-u konsiderohet institucioni më i besuar nga popullsia shqiptare. “Kjo e vendos klasën politike shqiptare në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë”, shpjegon Xhemollari.
OJQ-ja vlerëson pozitivisht paralajmërimin e fortë të Parlamentit Europian për pasojat që Shqipëria do të përballej nëse Partia Socialiste do të sulmonte pavarësinë e gjyqësorit. Komisioni Europian ende nuk ka mbajtur një qëndrim kaq të qartë; ai po përpiqet ta paraqesë Shqipërinë si një pararojë në procesin e anëtarësimit dhe një model të suksesshëm. Megjithatë, vendimi i fundit i Ramës për të lejuar Shqipërinë t’i bashkohet të ashtuquajturit “Këshilli i Paqes” i Presidentit amerikan Donald Trump ka ngritur brenda BE-së./ DerStandard (Adelheid Wölfl nga Sarajeva, 24 shkurt 2026)