Pedagogu Vehap Kola reagon ashpër ndaj iftarit të Ramës.
Sunday, 08 March 2026 15:35
Nga Vehap Kola
Edi Rama shfaqet në arenën ndërkombëtare si një nga liderët që ka mbështetur hapur Izraelin gjatë luftës në Gaza. Ai shkoi në Knesset, takoi Benjamin Netanyahu, që përballet me akuza shumë të rënda për krime lufte, dhe lavdëroi ushtrinë izraelite në një moment kur në Gaza po bëhet gjenocid: dhjetëra mijëra civilë të vrarë, mbi 20 mijë fëmijë të vrarë sipas shifrave të raportuara, shkatërrim sistematik i infrastrukturës civile dhe një bllokadë ushqimore e mjekësore që po e shtyn territorin drejt katastrofës humanitare.
Por brenda vendit ndodh diçka krejt tjetër.
I njëjti politikan organizon iftare, promovon libra me simbolikë islame dhe projekton një imazh afërsie me komunitetin mysliman shqiptar, i cili përbën një pjesë të madhe të popullsisë së vendit.
Ky kontrast nuk është rastësi. Është politikë.
Jashtë vendit ndërtohet një narrativë për audiencën perëndimore: Shqipëria paraqitet si një vend me shumicë myslimane që duhet “menaxhuar”, dhe Rama projektohet si lideri i vetëm që mund ta mbajë këtë shoqëri të kontrolluar dhe të rreshtuar me interesat e aleatëve strategjikë.
Brenda vendit ndërtohet narrativa tjetër: një figurë që shfaq simpati ndaj traditës islame dhe që kërkon afërsi simbolike me besimtarët.
“Në mbretërinë e të verbërve, ai me një sy është mbret.”
Nëse një lider mund të shkojë në Knesset, të lavdërojë ushtrinë që po shkatërron Gazën dhe pastaj të kthehet në Tiranë për të organizuar një iftar dhe për të promovuar një libër me simbolikë islame, dhe kjo mjafton për të marrë duartrokitje, atëherë problemi nuk është vetëm tek lideri.
Problemi është edhe tek shoqëria që kënaqet me simbolikë dhe harron realitetin politik