Lidhje


Kompleksi i inferioritetit dhe kriza e vetëdijes muslimane në diskursin shqiptar

Nga Adnan Qaka
 
 
"Intelektuali shqiptar nuk mund t'ia lejonte vetes luksin e mangësive të mëdha në njohuritë mbi sistemin e mendimit islam". “Si shqiptar dhe iliro-shqiptar, u linda këtu ndër të parët dhe nuk erdha nga askund. Askujt, madje as Evro-Amerikës, nuk do të provoj t’i vardisem me ndërrimin e fesë dhe as të emrit”- (Mr.Ukshin Hoti)
 
 
Diskursi mbi identitetin musliman në Evropë, dhe veçanërisht në hapësirën shqiptare, vazhdon të jetë i ngarkuar me tensione historike, politike dhe kulturore që shpesh prodhojnë keqkuptime sistematike. Intervista e dhënë nga Alija Izetbegović për revistën Stern më 5 nëntor 1994, në kulmin e tragjedisë boshnjake, përbën një artikulim të rrallë të qartë dhe dinjitoz të një vetëdijeje muslimane që nuk kërkon as justifikim dhe as aprovimin e tjetrit për të ekzistuar. Ajo intervistë nuk ishte vetëm një reagim ndaj akuzave për “islamizim”, por një ndërhyrje konceptuale mbi mënyrën se si Evropa e percepton fenë, historinë dhe vetveten.
 
 
Thelbi i mesazhit të Izetbegović-it qëndron në dy shtylla: rikthimi te feja si fenomen post-totalitar dhe burimi autentik musliman i tolerancës së tij. Ai e relativizon termin “islamizim” duke e vendosur në të njëjtin plan me “kristianizimin”, duke demaskuar kështu standardin e dyfishtë të një Evrope që e percepton zgjimin fetar musliman si kërcënim, ndërsa zgjimin e vet si normalitet kulturor. Kjo analizë mbetet thellësisht aktuale edhe sot, kur në hapësirën shqiptare vërehet një presion i vazhdueshëm për ta paraqitur identitetin musliman si problematik, si pengesë për integrimin, apo si element që duhet relativizuar për hir të një pranueshmërie ndërkombëtare.
 
 
Në këtë kontekst, deklarata e Izetbegović-it se toleranca e tij është para së gjithash muslimane, e pastaj evropiane, sfidon një narrativë të brendësuar në diskursin publik shqiptar: idenë se për të qenë modern, progresiv apo evropian duhet domosdoshmërisht të zbehësh apo të distancohesh nga identiteti yt fetar. Kjo ka prodhuar një formë servilizmi kulturor dhe një kompleks inferioriteti tek një pjesë e elitave muslimane shqiptare, të cilat shpesh ndihen të detyruara të dëshmojnë “neutralitetin” e tyre përmes mohimit të vetvetes. Në vend që identiteti musliman të artikulohet si një burim etik i paqes, solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore, ai shpesh reduktohet në një çështje private që duhet mbajtur jashtë hapësirës publike për të mos “shqetësuar” të tjerët.
 
 
Por përvoja historike e shqiptarëve dëshmon të kundërtën: bashkëjetesa ndërfetare, kultura e mikpritjes dhe ndjenja e solidaritetit kolektiv nuk kanë lindur nga imitimi i modeleve të jashtme, por nga një traditë e brendshme, ku Islami ka qenë një komponent i rëndësishëm formues. Nëse sot bota shqiptare përballet me valë islamofobie në media dhe në diskursin politik, problemi nuk qëndron në ekzistencën e identitetit musliman, por në mungesën e një artikulimi të qartë, dinjitoz dhe intelektualisht të mbrojtur të tij. Mungesa e një orientimi të qartë dhe e një lidershipi që përfaqëson me integritet interesat kombëtare dhe fetare krijon një boshllëk që mbushet me zëra ekstremë ose me heshtje oportuniste.
 
 
Refuzimi për të qenë “Tupperware identitare” – pra, enë boshe që mbushen sipas pritshmërive të të tjerëve – është thelbësor për një vetëdije të shëndetshme kolektive. Të jesh musliman dhe evropian nuk është kontradiktë, por rend logjik i përkatësisë: identiteti fetar si burim etik dhe identiteti qytetar si hapësirë veprimi. Problemi lind kur rendi përmbyset dhe feja trajtohet si barrë që duhet justifikuar. Në këtë pikë, mesazhi i Izetbegović-it bëhet një thirrje për dinjitet intelektual: Evropa duhet vlerësuar, por jo idealizuar; duhet bashkëpunuar me të, por jo duke internalizuar paragjykimet e saj.
 
 
Orientalisti i shquar shqiptar Ermal Bega, në librin e tij Shqiptari, muslimani dhe europiani – ky jam unë, f.33-36, thotë: "Askush nga shqiptarët në trojet tona nuk ka të drejtë të mendojë se Europa na ka dashur dhe/apo na do vërtet ne si shqiptarë. Europa, në asnjë pjesë të historisë së saj si rajon i tërë, nuk ka qenë në krahun e shqiptarëve. Europa nuk na ka dashur kur kemi qenë paganë dhe idhujtarë; ajo nuk na ka dashur kur shumica e shqiptarëve pranuan krishterimin; sërish nuk na kanë dashur kur shumica e shqiptarëve pranuan islamin; sërish nuk na kanë dashur kur u ndamë nga shteti osman, ku fuqitë e mëdha të Europës na ndanë e na përçanë si mos më keq; nuk na kanë dashur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi; nuk na donin as në “demokraci”; nuk na duan as sot. Fatkeqësisht, gjatë historisë, Europa ka punuar kundër nesh."
 
 
Ka qenë dijetari i madh shqiptar, Hafiz Ali Korça, i cili në librin e tij të njohur “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, kur përmend se Europa na vuri kusht që nëse heqim dorë nga Islami, ata do ta pranonin Shqipërinë si shtet, ndryshe do të na copëtonin tërësisht, kishte qëllim të tregonte padrejtësitë e Europës që ka bërë ndaj kombit tonë, edhe pasi na shpërbënë si komb me luftë dhe dhunë. At Gjergj Fishta, si një shok që ka qenë me Hafiz Ali Korçën, duke plotësuar shprehjen më lart, ka thënë: “Në rast se ata (Europa) nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi na thonë se shqiptarët qenkan muslimanë, atëherë ne të krishterët do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bëjmë fishekë, për të mbrojtur vëllezërit tanë muslimanë shqiptarë”. Pranimi i Islamit nga shumica e shqiptarëve, krahas asaj se e pranuan si të vërtetë hyjnore nga Zoti, shqiptarët i ndihmoi shumë edhe që mos të asimilohen në grekë, serbë e latinë. Këtë e mbështet edhe thënia e njohur e shkrimtarit të madh shqiptar, Faik Konica, i cili ka thënë: “Po të mos ishte Islami dhe pranimi i tij nga shumica e shqiptarëve, kombi shqiptar do të ishte shumë më i madh në numër, po nuk do të ishte më shqiptar”.
 
 
Duke u mbështetur në këtë rrjedhë historike dhe në këto vlerësime të figurave të rëndësishme shqiptare, shqiptarët nuk duhet të humbin kohë në rrugën e integrimeve europiane, pasi kjo rrugë për shqiptarët do të thotë koncesione të dhimshme dhe humbje të mëdha sa i përket identitetit tonë kombëtar dhe atij fetar islam, dhe nuk mendohet se shqiptarët do të arrijnë të jenë pjesë ndonjëherë e Bashkimit Europian. Shqiptarët duhet të fokusohen në fuqizimin e tyre ekonomiko-social, në rritjen e faktorizimit të tyre dhe në krijimin e një konfederate shqiptare, duke synuar të bëhen faktor numër një në Ballkan, si dhe të zgjerojnë aleancat dhe partneritetet me Lindje dhe Perëndim, mbi baza të interesit kombëtar dhe ruajtjes së identitetit tonë.
 
 
Sot, muslimanët shqiptarë kanë nevojë për një vetëbesim të artikuluar, për një elitë që nuk negocion identitetin për kapital simbolik ndërkombëtar, dhe për një vizion që ndërthur idealizmin me progresin. Të promovosh paqe, mirëkuptim dhe solidaritet nuk do të thotë të zhbëhesh; përkundrazi, do të thotë të kontribuosh nga pozita e vetëdijes së plotë për atë që je. Dinjiteti nuk është izolim, por marrëdhënie e barabartë me tjetrin.
 
 
Në fund, për ta ruajtur saktësinë e mesazhit, po e paraqes intervistën e plotë:
 
 
"Do të jem shumë i hapur: nuk janë thjesht thashetheme. Rikthimi te feja është pothuajse një fenomen i përgjithshëm në të gjitha zonat ku komunizmi e shtypi besimin brutalisht për pesëdhjetë apo shtatëdhjetë vjet.
 
 
Islamizimi, siç e quani ju, ekziston në Bosnjë, por në të njëjtën masë ekziston edhe kristianizimi, pra rikthimi i interesit për fenë mes katolikëve dhe ortodoksëve boshnjakë. Por Evropa e krishterë nuk e regjistron 'kristianizimin'; ajo nuk është e ndjeshme ndaj këtij fenomeni, gjë të cilën unë e kuptoj dhe nuk më pengon.
Më duhet vetëm t'ju korrigjoj diçka: toleranca ime nuk është me origjinë evropiane, por myslimane. Nëse jam tolerant, jam i tillë fillimisht si mysliman e më pas si evropian.
 
 
Evropa ka disa keqkuptime prej të cilave nuk mund të çlirohet kurrë, me gjithë faktet e qarta. Në Bosnjë, për shembull, gjatë kësaj lufte u shkatërruan qindra kisha e xhami. Të gjitha u shkatërruan nga 'evropianët', asnjë nga boshnjakët. Sundimi osman nuk ishte tamam 'prej mëndafshi', por të gjitha kombet e krishtera dhe monumentet e tyre më të rëndësishme mesjetare i mbijetuan pesëqind viteve të sundimit osman. Ky është fakt.
 
 
Manastiret e famshme të Frushka Gorës, jo larg Beogradit, i mbijetuan 300 viteve të qeverisjes osmane, por nuk i mbijetuan dot tre viteve të qeverisjes evropiane; ato u dogjën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
 
 
Fashizmi dhe komunizmi nuk janë produkte aziatike, por evropiane. Madje as tani Evropa nuk ka treguar ndonjë ndjeshmëri të madhe ndaj fenomenit të fashizmit në Ballkan. Unë e vlerësoj Evropën, por mendoj se ajo ka një mendim tepër të lartë për veten."- Alija Izetbegović
Intervistë për "Stern", 5 nëntor 1994, Sarajevë (botuar në librin "Mrekullia e rezistencës boshnjake", 1995(
XS
SM
MD
LG