Kryemafiozi Ergys Agasi dhe kryegylenisti Klodian Allajbeu, ortakë në “Equos Resort”
Policia e Shtetit ka zbarkuar këtë të mërkurë në kompleksin “Equos Resort”, ku po ekzekutohet vendimi për sekuestrimin e pasurive të dyshuara të lidhura me Ergys Agasin. Sipas hetimeve, në qendër të operacionit janë disa vila brenda resortit, të cilat dyshohet se janë ndërtuar pa leje dhe më pas janë legalizuar në mënyrë të kundërligjshme, si pjesë e një skeme më të gjerë pasurish të dyshimta.
Në kuadër të hetimit të SPAK për dosjen e AKSHI-t, janë sekuestruar pasuri që kapin vlera disa milionë euro, të lidhura me Ergys Agasin, ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqirin. Vendimi i Gjykatës së Posaçme përfshin sekuestrimin e 39–40 pasurive në total, të shpërndara në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe zona të tjera të vendit: mbi 10 apartamente dhe garazhe në Tiranë, disa apartamente në Durrës, toka dhe truall me sipërfaqe qindra deri mijëra metra katrorë, si dhe ndërtesa banimi shumëkatëshe në zona si Petrela dhe Lundra.
Po ç’lidhje ka Ergys Agasi me një nga njerëzit më të fuqishëm të organizatës Gylen në Shqipëri, Klodian Allajbeun? Lidhja kalon pikërisht përmes “Equos Resort”, kompleksit ku Agasi ka disa vila, sipas raportimeve mediatike të ndërtuara pa leje. Në këtë resort, sipas të njëjtave raportime, BKH ka gjetur edhe një koleksion verërash të shtrenjta me vlerë rreth 1 milionë euro në qilarin e një vile të Agasit. Një kërkim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit zbulon se kush e zotëron dhe kush e administron këtë pronë në kodrat e Mulletit, vetëm 13 kilometra nga Tirana.
Sipas ekstraktit të kompanisë “Equos Resort”, me emrin tregtar “Panto Resort”, sot ortakë janë kompania ARIMO BV me 85% të aksioneve dhe Shkëlqim Hoxha me 15% të aksioneve, ndërsa administrator i kompanisë është Fadil Allajbeu, babai i Klodian Allajbeut. Por pas kësaj strukture aktuale fshihet një histori e gjatë rikonfigurimesh: në vitin 2010 shoqëria themelohet nga Arbër Shtylla, i cili në vitin 2016 ia kalon 100% të aksioneve Klodian Allajbeut; brenda të njëjtit vit pronësia kalon te Klodian Shehi; në vitin 2018 struktura bëhet me dy ortakë, me hyrjen e Shkëlqim Hoxhës (45%) dhe mbajtjen e shumicës nga Shehi (55%); në vitin 2022 kjo shumicë kalon te kompania ANAMARK, e cila pas rritjes së kapitalit arrin në 85%, ndërsa Hoxha zbret në 15%; dhe në vitin 2023 kontrolli transferohet te kompania e huaj ARIMO B.V., që merr 85% të aksioneve. Në të njëjtën kohë, administrimi ka kaluar nga Arbër Shtylla te Klodian Allajbeu, më pas te Klodian Shehi, Astrit Llupa, Arbër Teqja, Albi Toska, Marvin Keçi dhe aktualisht te Fadil Allajbeu (nga viti 2026).
Kur këto lëvizje lexohen në tërësi, bashkë me lidhjet konkrete mes personave dhe subjekteve, tabloja bëhet e qartë: Klodian Shehi është kunati i Klodian Allajbeut; Arbër Teqja është i lidhur familjarisht me drejtimin e Spitalit Amerikan në pronësi të tij; Fadil Allajbeu është babai i tij; ndërsa kompanitë ANAMARK dhe ARIMO B.V. janë pjesë e të njëjtit rrjet biznesi të lidhur me Allajbeun. Edhe emrat e tjerë të përfshirë lidhen me këtë ekosistem ekonomik. Kjo e bën të dukshme se rotacioni i aksioneve dhe i administratorëve nuk ka qenë shpërndarje reale e kontrollit, por një qarkullim i brendshëm brenda të njëjtit grup interesi, ku pronësia ndryshon në letra, por jo në thelb.
Në këtë kuadër, lidhja mes Ergys Agasit dhe Klodian Allajbeut del e zhveshur nga çdo kamuflim formal: njëri shfaqet si pronar i drejtpërdrejtë i vilave brenda resortit, ndërsa tjetri si pronari de facto i gjithë strukturës që i mban ato nën kontroll. “Equos Resort” nuk është thjesht një investim turistik, por një mekanizëm i mirëstrukturuar ku pasuritë qarkullojnë dhe maskohen përmes emrash dhe kompanish, ndërsa kontrolli mbetet i përqendruar. Vila pa leje, legalizime të dyshimta dhe investime milionëshe brenda të njëjtit kompleks nuk janë episode të veçuara, por pjesë e një modeli të përsëritur funksionimi.
Në përfundim, i gjithë zinxhiri i lëvizjeve të pronësisë dhe emërimeve, i kombinuar me lidhjet familjare dhe biznesore, nxjerr në pah një realitet të fortë dhe të drejtpërdrejtë: “Equos Resort” është de facto në duart e Klodian Allajbeut, ndërsa prania e pasurive të Ergys Agasit brenda tij nuk është rastësi, por shprehje e një bashkëjetese të qartë interesash. Pas një fasade kompanish, emrash dhe transferimesh, qëndron një qendër e vetme kontrolli, duke e kthyer këtë resort në simbol të një modeli ku pushteti ekonomik i krimit të organizuar në dosjen e AKSHI-t, rrjetet e lidhura me strukturat gyleniste dhe interesat e ndërthurura biznesore operojnë përtej çdo transparence reale.