Lidhje


Ben Blushi “godet në gur”: kur retorika përplaset me historinë

Nga Alban Gorishti

 

Në diskursin publik Ben Blushi, ka një frustrim emocional të vazhdueshëm për ta thjeshtuar historinë në slogane. Një nga këto është pretendimi se Perandoria Osmane ishte “flama më e madhe” për Shqipërinë dhe se ajo la pas një “dështim arkitekturor”, duke mos ndërtuar asgjë me vlerë. Arkitektura është forma më kokëfortë e historisë. Ajo nuk është interpretim, por dëshmi. Nuk është opinion, por material. Dhe në rastin e Shqipërisë, kjo dëshmi është e shpërndarë në çdo qytet të vjetër, në çdo lagje me kalldrëm, në çdo strukturë që ka mbijetuar shekuj. Studimet historike tregojnë se gjatë periudhës osmane (shek. XV–XX), në territorin shqiptar u zhvilluan: fortifikime ushtarake dhe kala , objekte kulti dhe institucione arsimore, pazare, hane dhe rrjete tregtare , tipologji të avancuara të banesës qytetare. Këto nuk janë interpretime ideologjike, por përfundime të kërkimeve akademike.

 

Nëse do të kuptosh një periudhë historike, shiko qytetet që ajo ka lënë pas.  Berati me strukturën e tij të organizuar, Gjirokastra me kullat monumentale, Shkodra me traditën urbane, Tirana me zhvillimin e saj si qendër tregtare, Elbasani me planifikimin e tij brenda mureve. Vlora me kala multifunksionale etj.

 

Një nga studiuesit më seriozë të kësaj periudhe, Machiel Kiel, ka dokumentuar në mënyrë sistematike arkitekturën osmane në Shqipëri. Në veprën e tij (Ottoman architecture in Albania) ai evidenton qindra monumente: xhami, medrese, teqe, hamame, ura, kala, një rrjet i tërë ndërtimor që mbulonte territorin shqiptar. Por Kiel ngre edhe një alarm të rëndësishëm: një pjesë e madhe e këtyre monumenteve është zhdukur ose shkatërruar në shekujt e fundit. Kjo ndryshon të gjithë narrativën e Blushit. Sepse problemi nuk është se “nuk u ndërtua”, por se nuk u ruajt. Kur sot thuhet se “nuk ka mbetur asgjë”, kjo shpesh është rezultat i një iluzioni historik.

 

Shumë objekte të periudhës osmane janë zhdukur për shkak të: politikave ideologjike të shekullit XX , prishjeve sistematike të objekteve fetare , mungesës së konservimit institucional (prishja e sarajëve të Vlorajve një element multifunksional i periudhës osmane ej). Pra, boshllëku që perceptohet sot nuk është dëshmi e mungesës së ndërtimit, por e një ndërprerjeje të kujtesës historike.

 

Perandoria Osmane nuk ishte thjesht një fuqi pushtuese që kalonte dhe zhdukej, ajo funksiononte mbi një model administrativ që në shumë raste integroi elitat vendore në vetë qeverisjen. Në provinca si Shqipëria, pushteti nuk ushtrohej vetëm nga “të huaj”, por shpesh nga vetë vendasit , bejlerë, spahinj, administratorë lokalë, të cilët vepronin brenda kornizës osmane, por mbi një realitet konkret shqiptar.Kjo është arsyeja pse zhvillimi urban nuk ishte një imponim artificial, por një proces i brendshëm. Qytetet nuk u ndërtuan kundër popullsisë, por me pjesëmarrjen e saj.

 

Edhe në veprën e tij mbi arkitekturën osmane në Shqipëri, Machiel Kiel thekson se zhvillimi i qyteteve dhe i monumenteve nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontekstin social, demografik dhe administrativ të kohës,një sistem ku elementi lokal luante rol kyç. Pra, nuk kemi një arkitekturë “të importuar”, por një bashkëprodhim historik.Siç e kanë theksuar historianë si Halil İnalcık dhe Suraiya Faroqhi, administrimi osman nuk ishte thjesht një mekanizëm sundimi, por një sistem që shpesh përfshinte dhe fuqizonte elitat vendore në organizimin ekonomik dhe urban.

 

Një perandori që ndërton ura dhe rrugë, si Ura e Mesit dhe Ura e Tabakëve, që lidhin qytetet dhe gjallërojnë tregtinë, që ngre hamame si Hamami i Durrësit si institucione publike higjiene dhe jete sociale, si dhe organizon pazare e hane që strukturojnë ekonominë urbane, nuk mund të quhet “dështim arkitekturor”, sepse këto nuk janë thjesht ndërtime, por një sistem i tërë funksional që prodhon qytet, shoqëri dhe zhvillim, nuk mund të quhet‘dështim arkitekturor”sepse dështimet nuk lidhin qytete , i ndajnë ato.

 

Një gjë është e qartë, të reduktosh një periudhë pesëshekullore në një fjali si “dështim arkitekturor” nuk është analizë është frustrim ideologjik në rastin më të mirë dhe në atë më të keqin mercenarizëm politik. Historia e Shqipërisë nuk është e shkruar vetëm në libra. Ajo është e gdhendur në gur. Dhe guri… nuk gënjen.

XS
SM
MD
LG