Shteti na veshi me të zeza. Tragjedia e fëmijëve në Durrës, si episod i radhës
Nga Floriar Arapi
Duke ndjekur lajmet për tragjedinë e tmerrshme të ndodhur në Durrës, më bëri përshtypje një e vërtetë e hidhur që tha një nga banorët fqinj të fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. I trishtuar dhe i pashpresë ai tha: “Ne skemi më kujt ti ankohemi. Shteti na veshi me të zeza.”
Lotëve të dhimbjes u shtohet zemërimi që vjen nga vrasja e shpresës. Banorët ishin ankuar shumë herë në polici për kriminelin që kreu këtë makabritet, për ecjen me shpejtësi dhe drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, por ndaj tij nuk ishte marrë asnjë masë.
Përtej këtij rasti tragjik pyetje që na shqetëson të gjithëve është; a ishte kjo tragjedi një rast i izoluar, apo një tjetër episod që po përsëritet?
Fatkeqësisht nuk është një rast i izoluar dhe ajo që po ndodh është jo vetëm përsëritja, por edhe normalizimi i këtyre tragjedive.
Siguria e jetës në Shqipëri është në një nivel alarmant të ulët, duke përfshirë shumë aspekte të jetës së përditshme. Kjo rrezikshmëri vjen si pasojë e kaosit infrastrukturor dhe urbanistik, të ushqyer nga babëzia, por edhe nga mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni.
Për sa i përket rrugëve në Shqipëri, çdo qytetar është i rrezikuar në çdo moment, aq sa kur vijnë njerëz nga jashtë na thonë se këtu kanë frikë të ngaqsin makinën.
Në rrugët ndërurbane disa nga faktorët kryesorë të rrezikut janë:
1. Cilësia shumë e dobët e rrugëve, rrugë me gropa, autostradat të pakta dhe pa standarte, rrugë me shumë kthesa në të cilat nuk ke mundësi parakalimi
2. Sinjalistikat janë të pakta sidomos kjo tek rrugët që janë në ndërtim, ndërkohë që po ecën me shpejtësi rruga mbaron dhe duhet te devijosh, tabela vendoset shumë pak para fundit dhe në fund të pret një trafikndarës prej betoni, zakonisht i gërvishur dhe dëmtuar nga makinat e shumta që përplasen me të.
3. Drejtuesit histerikë të mjeteve që i kanë kthyer autostradat në pista garash. Ndërkohë që je në parakalim, të vjen dikush nga mbrapa, të ngjitet dy metra larg, ta bën me drita dhe i bie borisë, nëse nuk ia hap rrugën për disa sekonda futet menjëherë në parakalim nga krahu i djathtë dhe e parakalon para teje, mjetin që ti je duke parakaluar.
Në rrugët urbane situata është totalisht kaotike dhe me rrezikshmëri, sidomos kjo në Tiranë.
⁃ Shpesh pallatet e reja që ndërtohen zaptojnë 100% të sipërfaqes së truallit dhe për të mos mjaftuar kjo, pushtojnë edhe një pjesë të trotuarit duke e zvogëluar atë dhe si pasojë duke rrezikuar këmbësorët dhe ata që drejtojnë biçikletat të cilët duhet të dalin në rrugët e makinave.
⁃ Tashmë është bërë praktikë që pallatet në ndërtim zaptojnë përkohësisht, përkohësisht dmth 5 deri në 10 vjet të gjithë tratuarin, madje ka raste edhe një pjesë të rrugës dhe këmbësorët kalojnë në rrugë në mes të makinave duke rrezikuar.
⁃ Gropat në fillim të ndërtimit përbëjnë rrezik më vete, ato janë më shumë se 10 metra të thella, shumë herë të paizoluara mirë dhe këmbësorët kalojnë pranë tyre.
⁃ Në shumë vende, në rrugica, të fortët zaptojnë parkime, duke ngulur shufra, duke salduar hekura, duke vendosur vazo betoni që rrezikojnë këmbësorët, sidomos moshën e tretë.
Këto që thamë më sipër janë kryesisht për qendrën e Tiranës, kurse në pjesën e re urbane të Tiranës e cila është mbase 5 apo 10 herë më e madhe se pjesa e vjetër, situata ndryshon në mënyrë drastike - aty është si xhungël. E gjitha është ndërtuar pa asnjë plan. Të gjithë kanë ndërtuar ku kanë dashur dhe kanë zaptuar ku kanë mundur dhe në fund çfarë ka ngelur, e kanë bërë rrugë. Shumica dërrmuese e këtyre rrugëve nuk kanë trotuare ose kanë një trotuar 50 cm deri në një metër. Në këtë trotuar kaq të vogël shumë dyqane kanë hapur shkallë për ngjitje apo për zbritje. Kryetarët tanë të bashkive të cilët të gjithë parqet i kanë bërë pallate, në këtë trotuar 50 cm ose një metër kanë mbjellë pemë, e cila zë të gjithë trotuarin. Për të kaluar me karrocën me fëmijë në këto tratuare është trishtim dhe rrezik, pasi herë pas here do të duhet të dalësh në rrugët e makinave.
Këto janë vetëm disa pika të dukshme nga çdo qytetar, por problematika e sigurisë është shumë më e gjerë.
Mungesa e zbatimit të ligjit, papërgjegjshmëria institucionale dhe paprekshmëria e të fortëve kanë krijuar një klimë pasigurie të vazhdueshme, ku rreziku për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve rritet çdo ditë. Kur shkeljet mbeten pa ndëshkim dhe interesat e individëve të pushtetshëm vendosen mbi ligjin, si në rastin Durrësit, cenohen standardet e sigurisë, dobësohet besimi te shteti dhe normalizohet neglizhenca që shpesh sjell pasoja të rënda për jetën njerëzore.
Ne të gjithë si shoqëri jemi përgjegjës për këtë situatë ku ndodhemi. Ne i votuam ata kryetarë bashkish duke filluar nga Edi Rama, që shkatërruan qytetet tona duke dhënë leje ndërtimi gjithkund, duke mos lënë vend për fëmijët dhe për diellin.
Ne po vazhdojmë ta votojmë Edi Ramën.
Ne e votuam Berishën që shkatërroi shtetin ligjor duke lejuar pushtimin dhe zaptimin e pronave dhe duke i bërë periferitë e qyteteve katrahurë.
Ne po vazhdojmë ta votojmë atë.
Fëmijët tanë nuk dalin dot nga shtëpia për të luajtur apo për të ngrënë akullore sepse s’kanë se ku. As nënat nuk dalin dot me korrocat e bebave, sepse s’ka trotuar dhe s’ka lulishte. As prindërit tanë nuk dalin dot sepse që të jesh i sigurtë në rrugët tona duhet të dëgjosh mirë, të shikosh mirë dhe të reagosh shpejt. Ne i votuam ata, por ata i bënë qytetet tona të pabanueshme dhe e kthyen vendin tonë nën sundimin e të fortëve, mafiozëve dhe kriminelëve.
Trishtimi bëri që fqinji i Eneos dhe Klersit (fëmijëve që humbën jetën) të thotë saktësisht një të vertetë të hidhur “shteti na veshi me të zeza”, por shteti ka emër dhe shteti në Shqipëri e ka emrin Edi Rama dhe Sali Berisha.