Shkodër-Ohër-Shkup, trekëndëshi i shpresës së shqiptarëve.
Wednesday, 28 August 2024 10:25
Nga studiuesi i historisë Behar Kaceli
Nëse shohim me kujdes se çfarë po ndodh në trojet tona, sidomos këto 30 vitet e fundit do të shohim se hapësira e lartpërmendur ndërmjet Shkodrës, Ohrit dhe Shkupit, është shpresa e vetme e kombit tonë. Nuk dua të thellohem shumë në histori, por të gjithë e dimë spastrimin etnik që ka ndodhur duke filluar nga Nishi në Janinë, nga Podgorica në Novi Pazar, etj. Hemorragjia demografike e organizuar nga ushtritë barbare të vendeve fqinje bëri që në shumicën e trojeve shqiptare popullsia shqiptare të mbetet pa rol. Problemi tjetër është periudha e regjimit komunist, i cili nëpërmjet ideologjisë "Mugoshiste" të importuar nga Beogradi krijoi shumë sllavë shqipfolës, të cilët i shohim edhe sot që kontrollojnë poste publike dhe media kombëtare të cilët helmojnë vazhdimisht vetëdijen kombëtare shqiptare. Propaganda sllave se muslimanët janë turq dhe se duhet të largohen nga këtu, apo se feja e parë e shqiptarëve është krishterimi dhe se shqiptarët duhet të kthehen në fenë e të parëve që të pranohen në BE, etj, sot po trumbetohet me të madhe më shumë se kurrë.
Komunizmi krijoi një brez të dobët dhe inferiorë ndaj fqinjëve tanë. Për këtë arsye ne sot shohim që emigrantët në Greqi kanë ndërruar emrin dhe përkasinë e tyre. Fëmijët e tyre pagëzohen nëpër katakombe greke përpara se të futen në sistemin arsimor. Brezi i dytë i emigrantëve në perëndim ( e kam fjalën për fëmijët e lindur në emigracion) kanë humbur gjuhën, fenë dhe përkatësinë e tyre. Shumica e tyre gjithçka mund të jenë por vetëm shqiptarë musliman jo.
Erozioni etnik në Jug të Shqipërisë i organizuar nga Greqia me pensione, joshje, kërcënime, e gjithçfarë marifetesh ka depërtuar gjer në përcaktimin e rezultatit zgjedhor.
Thënë shkurt, e vetmja shpresë për të ushqyer kombin shqiptar me gjak të ri kanë ngelur qarqet si: Shkodra, Kukësi, Prizreni, Gostivari, Prishtina, Ferizaj, Tetova, Shkupi, Dibra, Struga,Elbasani, Tirana, Durrësi, edhe ndonjë rreth në afërsi të tyre që mund të kem harruar ta përmend.
Prandaj është detyrë parësore e të dy qeverive shqiptare në të dy anët e kufirit që këto qarqe të lidhen me infrastrukturë moderne, me shkolla dhe universitete, me qendra spitalore dhe rehabilitimi, etj. Lugina e dy Drinave duhet të përshkruhet nga hekurudha dhe autostrada të cilat fillojnë nga Shkodra, Dibër, Ohër, Manastir e të lidhet në rrjetin ndërkombëtar. Kështu edhe nga Shkodra, Gjakova, Pejë, Mitrovicë, etj. Përndryshe edhe kjo kështjellë e fundit të detyrohet të marrë rrugët e emigrimit dhe të dobësohet përkatësia kombëtaro-fetare.