Ndërtimi i një vizioni për antisionizmin hebraik

Nga Marilyn Garson “Overland”
Hebrenjtë antisionistë po thonë: na duhen institucione të reja. Në Londër, Toronto apo Nju Jork, kjo është një thirrje e mirëfilltë për organizatat laike dhe fetare që me veprimtarinë e tyre nuk i përsërisin dëmet e sionizmit.
Megjithatë, institucionet janë praktika të dakordësuara shumë kohë para se të shndërrohen në ndërtesa të forta. Që hebrenjtë antisionistë të rrëzojnë sionizmin në nivel global, ne duhet të institucionalizojmë një identitet pozitiv dhe çlirimtar hebre dhe praktika të reja fetare, kulturore dhe politike.
Judaizmi ka një histori të rikrijimit të vetes gjatë krizave. Ne u përshtatëm me shpërndarjen dhe i kemi dëbuar Mesiat e rremë. Judaizmi ortodoks rabinik i shekullit XVIII, solli lindjen e lëvizjes reformatore të Hasidizmit. Kulmi monstruoz i sionizmit, na ballafaqon sot me një krizë të të ngjashme.
Çfarë do të bëjmë tani me hebraizmin? Shkatërrimi i Gazës nga Izraeli, po e shkatërron botën që shumë hebrenj mendonin se banonin. Disa madje e kanë lejuar sionizmin të zëvendësojë fenë e tyre. Të tjerë e shihnin hebraizmin e tyre liberal si një fortesë të sigurt dhe të arsyeshme brenda një rendi botëror të qëndrueshëm.
Të përballur me dështimin e tij moral, duke parë urinë e fëmijëve palestinezë, disa po qëndrojnë apatikë, ndërsa të tjerët po thonë: “Nuk mund të heshtim më!”. Një pakicë hebrenjsh ka punuar prej vite për të pasur drejtësi dhe paqe të vërtetë në Palestinë.
Pavarësisht nëse jemi të ankoruar tek feja apo ndonjë politikë radikale, mjetet tona të veprimit, datojnë shumë kohë para krijimit të shtetit të Izraelit. Sjellja kriminale e shtetit të Izraelit dy vitet e fundit po pohon atë që ne e dinim.
Prandaj misioni i rivendosjes së hebraizmit klasik dhe rrëzimit të sionizmit, është pjesë integrale e politikës sonë urgjente në lidhje me Palestinën. Ne i refuzojmë sulmet e padrejta për “antisemitizëm”, që synojnjë t’i mbyllin gojën palestinezëve.
Ne e sfidojmë monopolin që përpiqet të pohojë sionizmi. Dhe e bëjmë të gjithë këtë si një akt të dekolonizimit të identitetit tonë. Pa të, jemi të humbur. Në vitin 2019, grupet hebraike anti-sioniste në një duzinë vendesh filluan të takoheshin online, për ta përhapur këtë vizion në jetë përtej kufijve.
Lëvizja Hebrenjtë Globalë për Palestinën (GJP), filloi si një akt rezistence ndaj fushatës së koordinuar të përkufizimit zyrtar të IHRA-s për antisemitizmin, një klishe e frikshme që e ngatërron në mënyrë djallëzore kundërshtimin ndaj sionizmit me urrejtjen ndaj hebrenjve.
Krijimi i një forumi organizativ në nivel global, duhet që të kapërcejë më parë shumë dallime. Gjuhët e politikës së krahut të majtë, të atyre identitetit dhe të drejtave të njeriut, bien ndonjëherë ndesh me njëra-tjetrën.
Ajo që funksionon në Afrikën e Jugut ose Irlandë, me historitë e tyre të aparteidit dhe kolonizimit, u tingëllon amerikanëve si diçka e çuditshme. Dekolonizatorët e gjeneratës së ardhshme, mund të ndihen të penguar nga ritmi i veteranëve të drejtësisë sociale.
Zërat Alternativë Hebraikë të Aotearoas, për vite me radhë grupi më i vogël, u bënë themeli për zgjerimin e lëvizjes. Gjatë 6 viteve të fundit, GJP u bë një bashkësi vlerash dhe praktikash, me degë në 21 vende në të gjashtë kontinentet e botës.
Ndërsa Gaza u bë pikëmbështetja mbi të cilën bazohet një rend i tërë botëror, detyra jonë u bë më themelore. Të themi të vërtetën, të përqendrojmë zërat dhe përvojën e palestinezëve, të jemi globalë. Megjithatë, aktorët e sionizmit e bëjnë edhe më të vështirë veprimtarinë e antisionizmit hebraik.
Udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, po vazhdojnë të përvetësojnë emrin tonë. Ata marrin simbolet dhe gjuhën e hebraizmit. Në SHBA, Britani, Gjermani, njerëzit arrestohen si antisemitë dhe si terroristë vetëm sepse tërheqin vëmendjes ndaj gjenocidit.
Duke qenë dëshmitarë të brutalitetit të Izraelit në Gaza dhe instrumentalizimit të identitetit hebre për të shtypur protestat diku tjetër, a është e kotë të mbahemi ende të kapur pas identitetit hebraik dhe të vazhdojmë të protestojmë si hebrenj? A i ka shkatërruar Izraeli hebrenjtë si popull?
Jo, ne nuk e pranojmë këtë. Shumë prej nesh frymëzohen nga hebraizmi i vjetër, dhe nuk do ta lejojmë nacionalizmin e sotëm që të na e vjedhë atë identitet. E ardhmja jonë nuk qëndron në negocimin e reformës së udhëheqësve të vetëshpallur që po i turpërojnë institucionet tona.
Ne kemi nevojë për institucione të reja. Të udhëhequr nga një etikë drejtësie sociale po aq e vjetër sa edhe profetët, Torah jonë është një thirrje për solidaritet me të shtypurit. Na thuhet se çdo brez e shkruan Torah për kohën e vet, dhe ne po e shkruajmë tonën duke e hedhur poshtë nacionalizmin e shtetit të sotëm të Izraelit, duke e rivendosur ndërgjegjen hebraike, dhe duke e mbjellë atë fuqishëm brenda një solidariteti më të gjerë.
Midrash është një formë letrare hebraike që e nxjerr historinë midis fjalëve. Ne e nxorëm historinë e një komuniteti hebraik që mbështet Gazën. E shkruam atë nënjë manifest që skicon parimet që vlerëson dhe zbaton një komunitet hebraik etik, gjithëpërfshirës dhe solidar.
Dr. Sheryl Nestel, hartuesja kryesore shkroi ndër të tjera se: ”Kjo nismë vjen si një reagim kuptimplotë ndaj mbështetjes dërrmuese për gjenocidin në Gaza nga institucionet hebraike aktuale. Kjo mbështetje i vërtetoi shumicës prej nesh, se këto institucione janë moralisht të pambrojtshme dhe kanë qenë të tilla për dekada.
Ato nuk janë të shpëtueshme, prandaj hebrenjtë me ndërgjegje duhet të refuzojnë t’i mbështesin ose të bashkëpunojnë me to. Për më tepër, ne duhet të hedhim poshtë publikisht pretendimet e tyre për të përfaqësuar të gjithë hebrenjtë. Një taktikë përdoret për të shpifur dhe zbehur kundërshtimin dërrmues ndaj asaj që po bën Izraeli”.
Institucioni i parë antisionist që po ndërtojmë në secilin prej vendeve tona, është vetë komuniteti i ri hebraik. Aspektet e judaizmit origjinal, janë të miratuara nga të gjithë anëtaret e grupimit. Komuniteti është jetik, por institucionet sioniste kanë adoptuar një praktikë brutale të dëbimit të gjithë jo-sionistëve.
Taktika e dëbimit, përpiqet të imponojë një vdekje shpirtërore. Kur u ktheva nga misioni humanitar në Gaza, qëndrova e lidhur me sinagogën time për 6 vje, sepse nuk dija sesi të isha hebre pa të. Të tjerët pësojnë trauma të ngjashme brenda familjeve të tyre ose në kampuse.
Të largoheshe dikur nga komuniteti sionist-hebraik, ishte si të largoheshe nga një vizion në një boshllëk. Por sot nuk është më rasti. Komuniteti hebre antisionist fetar dhe shoqëror po lulëzon. Si folëse publike, ndiej një dëshirë për të ndërtuar diçka përtej mospajtimit.
Gjatë vitit të kaluar jam pyetur shpesh: “A ka diçka që mund të nënshkruaj?’. Në një qytet rajonal, dy nga katër hebrenjtë anti-sionistë e bënë këtë pyetje. Në Uellington, një burrë në të shtatëdhjetat tha se “nuk kishte bërë kurrë shumë” për të qenë hebre, por tani do të donte të nënshkruante emrin e tij në lëvizjen anti-sioniste.
Firma tregon anëtarësimin në lëvizje. Beatriz Kalicher shton se nënshkrimi i manifestit të GJP-së “do të thotë që nuk jemi të vetmuar, dhe kjo është njëlloj si të rimarrim të drejtën tonë për të qenë hebrenj, pasi e ndjejmë se ajo na është hequr për shkak të refuzimit tonë ndaj Izraelit”.
Rezistenca është relacionale. Ajo lulëzon në hapësirat midis nesh, ku ne bëjmë dhe njohim angazhime. Nuk është gjë e vogël të institucionalizosh një praktikë parimore dhe globale të hebraizmit. Kjo siguron që puna jonë për Palestinën të rrjedhë nga identiteti ynë hebraik dhe ta ushqejë atë.
Kjo thotë që ne e kemi tejkaluar refuzimin e thjeshtë të identiteteve që na janë imponuar nga sionizmi. Çfarë fshihet përtej parafjalës anti në frazën anti-sionist? Nuk është asgjë më pak se një hebraizëm çlirues në format shpirtërore, laike dhe politike. Është identiteti hebraik për kohën tonë.
Shënim: Marilyn Garson, është një shkrimtare kanadeze, bashkëthemeluese e organizatës “Zëra Hebrenj Alternativë”. Librat e saj më të fundit titullohen “Ende gjallë:Kujtime nga Gaza” dhe “Hebreje, jo sioniste”.