Vdekja e Fatos Nanos
Nga Floriar Arapi
Për të respektuar dhimbjen e familjes dhe të mbështetësve, mendoj se heshtja në ditët e mortit është më e mirë sesa të flasësh, qoftë kjo edhe për të vërtetën. Gjykimi për figurën e tij nuk është më urgjent; ai i mbetet historisë. Cënimi i pakufizuar i miteve apo ikonave politike vetëm polarizon shoqërinë deri në armiqësi. Liderët shtetërorë, nga veprat e tyre, ndahen në memorien historike: disa si heronj, të tjerët si dështakë, tradhëtarë apo të korruptuar.
Në rastin e Nanos, mendoj se koha e qeverisjes së tij ishte pika më e ulët e qeverisjes së shtetit shqiptar në 113 vjet. Nuk do ta konsideroja si dështak, pasi kurrë nuk ka dëshiruar vërtet të qeverisë. Ai duket se ka pasur vetëm dëshirën për të konsumuar, për të luajtur bixhoz, për t’u argëtuar dhe për t’u tallur me njerëzit.
Papërgjegjshmëria
Papërgjegjshmëria e tejskajshme ishte tipari kryesor i tij dhe i qeverisjes së tij. Ajo kulmoi me premtimin kryesor të fushatës së vitit 1997, kur premtoi rikthimin 100% të parave të humbura në skemat piramidale, dhe vazhdoi deri në fund të pushtetit të tij, kur ai dëfrehej nëpër buzuqet greke ndërkohë që shqiptarët mbyteshin në det për të shkuar në Itali, me skafet famëkeqe. Personalisht mbaj mend se, duke qenë komshi i tij në pallatet e Shallvareve, çdo ditë ai nisej për punë rreth orës 12:00-13:00, me përjashtime të rralla.
Legalizimi i vjedhjes
Nano ishte personi që legalizoi vjedhjen e pushtetarëve. Gjatë qeverisjes së tij, vjedhja u bë qëllim kryesor i shumë zyrtarëve dhe arsyeja pse njerëzit shqyheshin të fillonin punë në administratë. Njerëzit paguanin deri në 10 milionë lekë për të ndjekur shkollën e policisë si dhe pagesa të ndryshme për të marrë pozicione në administratë. Shumë nga hajdutët kryesorë të administratës (gjthm të dyshuar) u bënë politikanë dhe deputetë, si p.sh. drejtori i përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, dhe drejtori i përgjithshëm i KESH, Andis Harasani ku ky i fundit pretendonte se pasuria e tij disa milionë euro, i vinte “nga qielli” nëpërmjet bursës. Nano futi në përdorim edhe shprehjen në zyrat e administratës: “A ke bërë ndonjë lekë?”, duke e përdorur gjerësisht edhe vetë.
Tradhëtia dhe shitja e interesit kombëtar
Pas rebelimit të vitit 1997, ku socialistët u mbështetën pothuajse qartazi nga qarqet greke, shteti shqiptar hyri nën ndikim të fortë grek, veçanërisht gjatë qeverisjes së Nanos, dhe kjo vazhdoi deri pak para fundit të pushtetit të tij.
Kjo u shoqërua me një pushtim ekonomik, ku kompanitë greke dhe të biznesmenëve filogrekë u favorizuan maksimalisht, u hapën një numër bankash greke, kompanitë greke celulare blenë kompaninë shtetërore celulare AMC dhe hapën në Shqipëri filialin e Vodafone Greqisë. Kompania AMC iu shit Greqisë megjithëse në Shqipëri erdhi kancelari gjerman Shcroder për të kërkuar që ajo ti shitej një kompanie gjermane.
Një manifestim tjetër i shitjes së interesit kombëtar ishte kur Nano u takua me kasapin e Ballkanit Millosheviç dhe i deklaroi atij se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi.
Islamofobia
Që nga ardhja në pushtet e Nanos filloi persekutimi i muslimanëve. Nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit (1997-2000), u dëbuan nga Shqipëria shumica e shoqatave islame dhe predikuesve fetarë arabë. Një numër hoxhallarësh u shoqëruan në polici dhe u pyetën pa arsye ligjore. Nano mbante deklarata publike provokative, duke premtuar zhdukjen e 555 viteve të historisë islame të Shqipërisë.
Të rendisësh zullumet e Nanos ndaj shqiptarëve mbase do duhet të shkruhen shumë libra, por tani nuk e kuptoj një dashuri të papritur që disa njerëz ndjejnë kur dikush vdes dhe fillojnë ta lavdërojnë si hero, thjeshtë sepse ka vdekur. Shpesh rastis që të njëjtët, po të kërkosh në profilet apo shkrimet e tyre, do të gjesh se nuk kanë lënë gjë pa thënë për atë që ka vdekur. Në vend të hipokrizisë, më mirë të thuhet e vërteta ose të heshtet. Vjedhja, papërgjegjshmëria, diskriminimi fetar dhe tradhtia kombëtare nuk amnistohen dhe nuk falen kurrë.