Vetëm drejtësia mund të jetë bazë për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza
Të ushtrosh presion mbi palestinezët që të pranojnë kushte të padrejta nuk është diplomaci, është shantazh. Paqja e vërtetë do të kërkojë përballjen me pandëshkueshmërinë izraelite, dhënien fund të rrethimit të Gazës dhe të sigurojë që palestinezët të trajtohen jo më si subjekte që duhen menaxhuar, por si një popull me të drejta, shtetësi dhe dinjitet.
Nga Ranjan Solomon “Middle East Monitor”
Raundi i fundit i bisedimeve për armëpushim në Gaza ka dështuar nën peshën e kushteve të pamundura, duke shtuar shkeljet e paktit nga izraelitët dhe thelluar një katastrofë humanitare që po përkeqësohet nga ora në orë.
Disa media në Perëndim e trajtojnë refuzimin e propozimit për armëpushim nga Hamasi si kokëfortësi apo si karshillëk politik. Por realiteti është më i ndërlikuar, më tragjik dhe më i rrënjosur në sulmin e pafund që ka përfshirë Gazën për më shumë se 2 vite.
Një armëpushim i negociuar nga poshtë rrënojave, nën sulmet e parreshtura të dronëve dhe artilerisë, nuk mund të jetë kurrë një rrugë drejt paqes. Ai është thjesht një kërkesë që të pushtuarit të pranojnë logjikën e pushtuesit të tyre.
Ajo që po ndodh sot në Gaza nuk është thjesht një konflikt ushtarak, por shkatërrim sistematik i një populli. Sipas agjencive të OKB-së, numri i të vdekurve ka kaluar 41.000, me gati 70 përqind të viktimave që janë gra dhe fëmijë. Janë vrarë më shumë se 13.000 fëmijë, një shifër që e ka pataksumë mbarë botën.
Izraeli ka bombarduar spitale, karvane me ndihma, strehimore të OKB-së, impiante shkripëzimi, rrjete kanalizimesh dhe furra buke. Rreth 80 përqind e popullsisë së Gazës është zhvendosur, shumë prej tyre disa herë, nga një cep i shkatërruar në tjetrin. Në një realitet të tillë, një marrëveshje armëpushimi që nuk arrin të garantojë dinjitet, siguri dhe sovranitet nuk është aspak një armëpushim. Është thjesht një ndërprerje e përkohshme në një fushatë më të gjatë.
Për të kuptuar arsyen pse Hamasi e hodhi poshtë propozimin, duhet ta kuptojmë vetë propozimin. Izraeli këmbënguli të mbante pushtetin për të rihyrë në çdo zonë të Gazës sipas dëshirës, madje edhe gjatë një qetësie të supozuar të situatës.Ai kërkoi të drejtën për të vazhduar mbikëqyrjen me dronë, për të ndaluar këdo që dëshiron dhe për të refuzuar kthimin e familjeve të zhvendosura në Gazën Veriore.
Ai refuzoi të angazhohej për një tërheqje të plotë të trupave apo për lejimin e një procesi që çon tek të drejtat politike afatgjata për palestinezët.
Në fakt, Izraeli donte një armëpushim në të cilin kontrollonte gjithçka - lëvizjen, territorin, rindërtimin, rrjedhën e popullsisë, policimin - ndërsa u ofronte palestinezëve vetëm një reduktim të përkohshëm të bombardimeve.
Nga ana tjetër nuk ofron asnjë lirim të burgosurish, asnjë përfundim të përhershëm të konfliktit, asnjë kornizë kuptimplotë të procesit të rindërtimit dhe asnjë horizont politik. Është e vështirë të imagjinohet ndonjë palestinez, fraksionist apo civil, që mund të pranojë kushte të tilla.
Khalid Meshal ishte i prerë kur paralajmëroi se “vrulli i bisedimeve për armëpushim mund të bjerë ndërsa afrohet fundi i fazës së parë të marrëveshjes”. Nuk mund ta lejohet që Izraelin të kryejë mizori të paturpshme, ndërkohë të pritet që Hamasi të qëndrojë duarbosh dhe i paaftë për të mbrojtur veten dhe popullin.
Shpeshherë, autorët e krimeve shpërfillin çdo lloj kufizimi etik vetëm për të arritur fitoren. Izraeli ndjek parimin e teoricienëve gjeopolitikë, pra që lufta vepron jashtë moralit konvencional, duke funksionuar mbi parimet e interesit të pastër dhe mbijetesës.
Për Izraelin, “etika” është dytësore në krahasim me arritjen e objektivave strategjikë. Dhe shpesh Izraeli i shpërfill kufizimet etike për të arritur fitoren. Dhe po shumë shpesh bota harron se negociatat për armëpushim nuk janë ushtrime diplomatike abstrakte.
Përkundrazi, ato janë të rrënjosura në jetët reale të njerëzve tashmë të shkatërruar. Në Khan Younis, një nënë me emrin Lina përshkroi se si kaloi 10 ditë duke kërkuar dy fëmijët e saj pasi një sulm ajror shkatërroi lagjen e tyre.
Ajo e gjeti vajzën e saj në një spital, gjallë por me djegie të rënda. Djali i saj nuk u gjet kurrë. Kur u pyet nëse mbështeste një armëpushim, ajo u përgjigj: “Një armëpushim ku ata na bombardojnë përsëri? Le ta ndalin luftën vërtet ose le të na lënë të varrosim në paqe të vdekurit tanë!”.
Pikëllimi i saj nuk është një argument politik. E fshehur në fjalët e saj është e vërteta e hidhur e Gazës: njerëzit nuk duan një ndërprerje por një fund të konfliktit. Shkeljet brutale nga ushtria izraelite të paktit paraprak edhe gjatë negociatave shkatërruan më tej çdo besueshmëri që kishte procesi.Kur delegacionet po udhëtonin midis Kajros dhe Dohës, Izraeli bombardoi në mënyrë të përsëritur Rafahun, pavarësisht se më parë i kishte siguruar ndërmjetësit se qyteti do të mbetej i paprekur gjatë bisedimeve.
Raportet nga agjencitë humanitare tregojnë se u goditën karvane ndihmash, duke vrarë punonjës të misioneve humanitare dhe komunitete të uritura. “Amnesty International”, dokumentoi se forcat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që prisnin në radhë për bukë dhe ujë në Deir Al-Balah dhe Xhabalia.
Këto nuk janë “gabime” të izoluara; ato janë pjesë e një modeli më të gjerë të përdorimit të urisë, zhvendosjes e ndëshkimit kolektiv si mjete lufte. Në një klimë të tillë, është cinike të presësh që palestinezët t’u besojnë premtimeve izraelite.
Fakti që Izraeli ka kryer deri tani 738 shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit ilustron se sa asimetrike janë marrëdhëniet. Pozicioni i Hamasit duhet të kuptohet brenda kontekstit më të gjerë të jetës politike palestineze. Lëvizja nuk po negocion thjesht për veten e saj; ajo po negocion përballë një popullsie që ka pësuar humbje të paimagjinueshme.
Çdo marrëveshje që ia lë Izraelit kontrollin e së ardhmes së Gazës do të shihej si një dorëzim. Ndërsa kryeqytetet perëndimore këmbëngulin se vetëm Hamasi është fajtor për refuzimin e një armëpushimi, ato anashkalojnë qëllimisht faktin se që të jetë domethënës një armëpushim duhet të jetë reciprok.
Ai duhet ta frenojë palën që ka një avantazh të madh ushtarak. Megjithatë, propozimi nuk ofroi një kufizim të tillë. Në vend të kësaj, ai kërkoi të ligjëronte aftësinë e Izraelit për të vazhduar operacionet ushtarake nën mbulesën e një armëpushimi.
Peizazhi humanitar e përforcon këtë realitet. OKB-ja ka paralajmëruar se kriza e urisë në Gaza i ka kaluar tashmë kushtet e zisë së bukës. Fëmijët po vdesin nga dehidratimi. Prindërit po ziejnë bar, po bluajnë ushqimin e kafshëve dhe po djegin plastikën për të gatuar.
Mjekët raportojnë se po presin gjymtyrë pa anestezi dhe po kryejnë operacione emergjente nën dritën e telefonave celularë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan Gazën veriore si “një varrezë fëmijësh”, sepse ushqimi dhe furnizimet mjekësore janë bllokuar nga hyrja.
Këto nuk janë të ndara nga negociatat e armëpushimit. Përkundrazi, ato janë të pandashme. Rrethimi i Izraelit është pjesë e fushëbetejës, dhe çdo armëpushim që nuk e heq rrethimin e zgjat krizën humanitare.
E drejta ndërkombëtare nuk është e paqartë në këtë drejtim. Konventa e Katërt e Gjenevës ndalon ndëshkimin kolektiv, zhvendosjen me forcë, urinë si metodë lufte dhe shënjestrimin e infrastrukturës civile thelbësore për mbijetesë. Sjellja mizore e Izraelit i plotëson të gjitha këto kritere.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi disa masa të përkohshme, duke paralajmëruar se veprimet e Izraelit janë me shumë gjasa gjenocidale. Megjithatë, propozimi i armëpushimit nuk përfshinte asnjë mekanizëm llogaridhënieje, madje as një angazhim për të lejuar hetime të pavarura.
Për palestinezët, kjo mungëse nuk është teknike por ekzistenciale. Ajo sinjalizon se bota pret që ata të negociojnë në një boshllëk moral, ku drejtësia nuk ka vend. SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit, luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e propozimit për armëpushimin.
Në vend se ta ushtronte presion mbi Izraelin për vetëpërmbajtje, ajo e lejoi atë të hartonte kushte që ruanin çdo levë të kontrollit ushtarak. Deklaratat e Uashingtonit e paraqitën Hamasin si pengesën e vetme, duke shmangur çdo përmendje të bombardimeve të vazhdueshme mbi Gaza.
Duke refuzuar të zbatonte vijat e veta të kuqe, SHBA-ja dobësoi besueshmërinë e të gjithë procesit. Evropa ndoqi të njëjtin skenar, duke bërë thirrje për qetësi ndërsa vazhdonte shitjen e armëve dhe mbulimin diplomatik të veprimeve të Izraelit.
Kjo sjellje është kjo hipokrizi që zgjeron hendekun midis retorikës perëndimore dhe realitetit palestinez. Në mesin e gjithë kësaj, zëri i familjeve palestineze mbetet qendra morale.
Në kampin Nuseirat, Samir, një mësues i zhvendosur si pasojë e luftës, shprehet kështu për atë që pret nga negociatat: “Të ndalen vrasjet, të na lejojnë të kthehemi në shtëpitë tona. Dhe fëmijët tanë të flenë pa frikë në darkë. Nëse nuk garantohen këto, atëherë çfarë vlerë ka një armëpushim?”.
Fjalët e tij janë akuza më e thjeshtë por edhe më e fuqishme ndaj bisedimeve. Ato na kujtojnë se armëpushimi nuk është një trofe politik, por e drejta e një populli për të jetuar. Për këto arsye, refuzimi i Hamasit nuk është refuzim i paqes.
Përkundrazi, është refuzim i një kornize që e nguliti pushtimin, mbrojti dominimin ushtarak izraelit dhe që u ofroi palestinezëve vetëm një lehtësim të përkohshëm nga vdekjet dhe shkatërrimet. Një armëpushim pa drejtësi është thjesht një interval midis masakrave, atyre që kanë ndodhur tashmë dhe ato që pritet të ndodhin nëse nuk ndryshon rrënjësisht situata.
Ajo që po kërkojnë palestinezët nuk është e ndërlikuar: një ndërprerje e plotë e luftimeve, tërheqje e trupave izraelite, rikthim i familjeve të zhvendosura, qasje në ndihmën humanitare, rindërtim i shtëpive të rrënuara, lirim i të burgosurve dhe një rrugë e vërtetë drejt lirisë politike, pra krijimit të një shteti të pavarur.
Këto nuk janë kërkesa maksimaliste; ato janë kushtet minimale për mbijetesën njerëzore. Tani bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësinë që të ndalojë së pretenduari se negociatat mund të vazhdojnë ndërsa Gaza vazhdon të digjet.
Të ushtrosh presion mbi palestinezët që të pranojnë kushte të padrejta nuk është diplomaci, është shantazh. Paqja e vërtetë do të kërkojë përballjen me pandëshkueshmërinë izraelite, dhënien fund të rrethimit të Gazës dhe të sigurojë që palestinezët të trajtohen jo më si subjekte që duhen menaxhuar, por si një popull me të drejta, shtetësi dhe dinjitet.
Deri atëherë, propozimet për armëpushim do të vazhdojnë të dështojnë. Jo sepse palestinezët refuzojnë paqen, por sepse bota vazhdon t’u ofrojë atyre paqe pa liri.