Terrorizmi i kolonëve izraelitë po përshkallëzohet shumë, Perëndimi të reagojë sa nuk është vonë
Aktet e tyre janë një përzierje e shëmtuar e banditizmit, burracakërisë dhe një versioni të shtrembëruar dhe ekstremist të Judaizmit dhe Sionizmit. Sot, ata mbrohen nga fuqia joproporcionale e përfaqësuesve të tyre në qeverinë aktuale të Netanjahut. Ndërkohë heshtja shurdhuese nga ana e pjesës tjetër të shoqërisë izraelite shihet si një licencë për të vazhduar në këtë rrugë…
Nga Yossi Mekelberg “Arab News”
Me mbërritjen e sezonit të përvitshëm të vjeljes së ullinjve në Palestinë, shohim një rritje eksponenciale të terrorizmit të kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor që vjelin pemët e tyre të ullirit.
Ka kaluar më shumë se një vit që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, vendosi që pushtimi izraelit i tokës palestineze ishte i paligjshëm dhe duhet të përfundojë pothuajse menjëherë. Edhe pse për fat të keq, ky skenar nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, edhe nëse Izraeli e hedh poshtë këtë vendim, është ende e pakuptueshme përse qeveria dhe forcat e saj të sigurisë nuk po bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre për të ndaluar dhunën e shkaktuar nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor ndaj fqinjëve të tyre palestinezë.
Aty një grup relativisht i vogël kolonësh, megjithëse jo i parëndësishëm, po bëhet gjithnjë e më i guximshëm në aktet e tyre kriminale dhe të neveritshme, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është gjetkë, dhe teksa në pushtet në Tel Aviv është një qeveri në të cilën dominon krahu ultra i djathtë.
Për pasojë, edhe pas vitesh të tëra dhune të ngjashme, këta kolonë gëzojnë një pandëshkueshmëri pothuajse të plotë. Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, vetëm këtë vit ka pasur “1.680 sulme nga kolonët në më shumë se 270 komunitete, ose 5 të tilla në ditë”.
Ky është një numër tronditës. Një dhunë e tillë nga kolonët nuk është diçka e re, por rritja e vazhdueshme e këtij fenomeni dhe intensiteti dhe paturpësia e tij në rritje - ndërsa mbrohet fizikisht nga forcat e sigurisë dhe politikisht nga përfaqësuesit e kolonëve në qeveri - nënkupton një kërcënim shumë më të madh për popullsinë lokale palestineze dhe për një paqe të ardhshme të bazuar tek një zgjidhje me dy shtete.
Mos kini asnjë iluzion: ata që janë të përfshirë në këto akte dhune, nuk janë thjesht banditë të rëndomtë dhe rastësorë. Ata janë banditë shumë të organizuar që bazohen tek një ideologji supremaciste hebraike.
Ata zotërojnë armë ushtarake, përfshirë pushkë sulmi plotësisht automatike, dhe në shumë raste, mbërrijnë në vendin e krimeve të tyre me kamionçina, duke lënë përshtypjen e një milicie të organizuar dhe të mirë-financuar.
Kjo i lë në përgjithësi të pambrojtur palestinezët e paarmatosur, edhe sepse forcat izraelite të sigurisë, janë ironikisht më të shqetësuara për sigurinë e kolonëve të dhunshëm sesa për ata që ata viktimizojnë.
Për shembull, organizata izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” raportoi se 8 kolonë të maskuar mbërritën në shtëpinë e familjes Daramin në zonën Uadi Ejheis në kodrat e Hebronit Jugor në fund të tetorit, duke mbajtur në duar shkopinj dhe doreza hekuri.
Prindërit, Uafa dhe Mahmud, dhe 4 fëmijët e tyre, midis tyre një foshnjë 6-muajshe, të cilët ishin në oborr, u futën me shpejtësi brenda kur mbërritën kolonët dhe e kyçën derën nga brenda. Në një akt brutaliteti të pastër, sulmuesit u përpoqën të thyenin derën kryesore ndërsa ulërisnin në arabisht: “Hapeni derën!”.
Ata thyen dritaret dhe spërkatën me sprej djegës brenda, duke vazhduar të thyenin xhamat e makinës së familjes. Pastaj prishën vathen e deleve, vranë 10 dele dhe plagosën rëndë 4 të tjera, si dhe i vunë flakën një mullari me bar aty pranë.
Mjafton të imagjinoni terrorin që ndjeu familja dhe traumën e fëmijëve të tyre, të cilët përjetuan nga vështirësi në frymëmarrje për shkak të sprejit djegës dhe kishin nevojë për trajtim spitalor. Mjerisht, ky nuk është një incident i izoluar.
Në një rast tjetër, një kolon i maskuar u kap në kamera duke rrahur me shkop një grua 55-vjeçare palestineze ndërsa ajo po mblidhte ullinj në fshatin Turmus Aja. Për fat, ajo i mbijetoi atij brutaliteti kafshëror. Po në emër të kujt dhe të çfarë po i kryejnë këta kolonë këto akte kriminale?
Ato janë një përzierje e shëmtuar e banditizmit, burracakërisë dhe një versioni të shtrembëruar dhe ekstremist të Judaizmit dhe Sionizmit dhe lidhjes midis tyre. Mënyra flagrante se si veprojnë këta kolonë, është rezultat i shfaqjes së një mendësie midis segmenteve më ekstreme, se ky është një moment i përshtatshëm që mund të mos kthehet më.
Sot, ata mbrohen nga fuqia joproporcionale e përfaqësuesve të tyre në qeverinë aktuale të Netanjahut, nga ushtria izralite që nuk bën pothuajse asgjë për t’i ndaluar. Ndërkohë heshtja shurdhuese nga ana e pjesës tjetër të shoqërisë izraelite, shihet si një licencë për të vazhduar me këto akte.
Edhe pse elementët e dhunshëm midis 700.000 kolonëve të paligjshëm në Territoret e Pushtuara janë një pakicë e vogël, lidershipi i tyre ka mbështetje në parlamentin dhe qeverinë izraelite, dhe përbëhet nga njerëz me një mendësi të njëjtë kriminale.
Këtu përfshihet Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe Ministri i Financave Bezalel Smotrish. Ky i fundit mbron hapur përdorimin e një qasjeje më të ashpër ndaj popullsisë palestineze. Sipas tij, atyre duhet t’i jepet mesazhi se “të zotët e shtëpisë janë të çmendur, ndaj duhet të kenë kujdes”.
Dhe ka prova të mjaftueshme se kjo qasje është bërë model për kolonët e dhunshëm, të cilët nuk kursejnë as vendet e kultit, siç e tregon kryerja e sulmeve me zjarrvënie në xhami, siç ishte rasti muajin e kaluar në Xhaminë Hamida, pranë Deir Istija.
Duke e ditur se Netanyahu nuk ka asnjë hapësirë politike apo moral për të shkarkuar ministrat ultra të djathtë në qeverinë e tij, për sa kohë që vazhdon gjyqi i tij për korrupsion, dishepujt e tyre gëzojnë liri të plotë për ta trajtuar popullsinë palestineze ashtu siç dëshirojnë.
Ata nuk ka gjasa të përballen me akuza, e lëre më pastaj me ndjekje penale apo ndonjë dënim me burgim, edhe në rastet kur kolonët kanë qëlluar dhe vrarë palestinezë të paarmatosur në sulme tërësisht të paprovokuara.
Këto akte vandalizmi dhe terroriste, janë një manifestim i falimentimit moral dhe ideologjik midis atyre që i kryejnë, por edhe midis atyre që nuk i ndalojnë. Në mendjet e tyre të shtrembëruara, ata besojnë se duke imponuar një mbretërim terrori mbi popullsinë lokale, do të arrijnë nënshtrimin e plotë dhe absolut të palestinezëve ndaj tekave të tyre.
Ose edhe “më mirë”, se kjo valë terrori do t’i bëjë ata të besojnë se do të ishte më mirë të linin shtëpitë e tyre dhe mërgojnë, duke e lënë Izraelin të aneksojë të gjithë Bregun Perëndimor.
Fakti që kjo dhunë e motivuar politikisht, lejohet që të mbetet e pandëshkuar, e bën qeverinë izraelite bashkëfajtore në këto akte dhe potencialisht në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pasi ato synojnë një grup specifik etnik.
Por bashkëfajtore është edhe bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht aleatët më të ngushtë të Izraelit, të cilët po dënojnë formalisht si dhunën e kolonëve ashtu edhe pandëshkueshmërinë me të cilën ajo kryhet, por vetëm me gjysmë zemre dhe pa ndërmarrë asnjë hap të vendosur për t’i ndaluar ata.
Presioni mbi qeverinë izraelite, të paktën nga BE-ja, Britania dhe Kanadaja, si dhe nga fuqitë në rajon, duhet të jetë i qartë dhe pasojat e tij të ndihen nga individët dhe organizatat që janë të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në këto akte kriminmale. Zvarritja e kësaj çështjeje shqetësuese, nuk do ta zhdukë por vetëm sa do ta përkeqësojë këtë atë.
Shënim:Yossi Mekelberg, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor i Programit MENA në think-tankun “Chatham House”.