Lidhje


Armëpushimi i Trumpit në Gaza, një teatër që maskon dëshirën e I.zraelit për ta zgjatur luftën

Pavarësisht raportimeve për tensione midis Trump dhe Netanyahut, presidenti amerikan nuk po i sfidon qëllimet izraelite në Gaza, përkundrazi po i përshpejton ato. Synimi është mbajtja e Gazës në një gjendje pezullie, pra një territor përgjithmonë në ngërç, pa sovranitet, pa zgjidhje politike dhe pa llogaridhënie për krimet që kryhen ndaj tij…

 

Nga Mahmoud Shehada, “Haaretz”

 

Mediat izraelite po flasin gjithnjë e më shumë për një përçarje në rritje midis presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu mbi “të nesërmen” e Gazës.

 

Por një lexim më i afërt – duke pasur parasysh se si qeveriset në të vërtetë Gaza, si merr furnizime, por edhe kufizimet me të cilat përballet – na zbulon një realitet të ndryshëm.

 

Mosmarrëveshja nuk ka të bëjë me të ardhmen e Gazës, por me atë se sa shpejt dhe sa dukshëm duhet të konsolidohen objektivat e Izraelit.

 

E vërteta është se Donald Trump nuk po sfidon qëllimet izraelite në Gaza. Përkundrazi, ai po kërkon të përshpejtojë përmbushjen e tyre, t’i paketojë ato si një arritje politike dhe të ecë përpara me planet e tij. Nga ana tjetër, Netanjahu vazhdon të mbështetet tek vonesat, paqartësitë dhe përshkallëzimi i kontrolluar.

 

Siç është parë edhe herë të tjera, kjo është strategjia e tij e zakonshme për të blerë kohë ndërsa riformëson faktet në terren. Ky tension u shfaq publikisht pas vrasjes së kohëve të fundit të një zyrtari të lartë të Hamasit nga Izraeli.

 

Sipas raportimeve nga gazetarët izraelitë, zemërimi i Trump për këtë veprim nuk buron nga kundërshtimi që ai ka ndaj përdorimit të forcës ushtarake, por më tepër nga shqetësimi se përshkallëzimet e kontrolluara të Netanjahut mund të sabotojnë përparimin e inskenuar politik që Trump dëshiron ta paraqesë si një sukses diplomatik.

 

Megjithatë, vetë “suksesi” i pretenduar mbështetet në themele të brishta. Vizioni i promovuar nga SHBA-ja - forcat ndërkombëtare të stabilizimit, strukturat kalimtare të qeverisjes, si dhe mënyrat e rindërtimit të Gazës - përballet me pengesa themelore.

 

Pak vende janë të gatshme të vendosin forcat e tyre në një territor që Izraeli vazhdon ta përcaktojë si “nën kontrollin e Hamasit”. Ky përcaktim funksionon më pak si një vlerësim sigurie dhe më shumë si një veto politike.

 

Ai e lejon Izraelin të bllokojë çdo lloj marrëveshjeje që mund të kufizojë lirinë e tij për veprim ushtarak. Edhe brenda establishmentit të sigurisë së Izraelit, ka pak besim se Hamasi mund të shpërbëhet vetëm nëpërmjet parandalimit ose se puna mund t’i delegohet një force ndërkombëtare.

 

Megjithatë, iluzioni vazhdon sepse i shërben një qëllimi strategjik: mbajtja e Gazës pezull në një periudhë të përkohshme që nuk ka fund në horizont, pa sovranitet, pa zgjidhje politike dhe pa llogaridhënie.

 

Çarmatimi paraqitet vazhdimisht si porta drejt stabilitetit. Por çarmatimi, pa tërheqje, pa një zgjidhje politike dhe pa sovranitet, nuk është zgjidhje, por vetëm një formulë për zgjatjen e dominimit izraelit.

 

Një Gazë e zhveshur nga kapaciteti mbrojtës dhe ndërsa mbetet nën bllokadën dhe kontrollin e jashtëm, nuk stabilizohet por neutralizohet. E njëjta kontradiktë dikton edhe forcën ndërkombëtare të propozuar në planin e Donald Trump.

 

Izraeli këmbëngul që çdo forcë e tillë, duhet të përqendrohet ngushtësisht vetëm tek çarmatimi i Hamasit, ndërsa shpreh mosbesim në efektivitetin e saj për të kryer punën dhe rezervon të drejtën për të vepruar në mënyrë të njëanshme.

 

Rezultati është një model vetë-shkatërrues: një prani ndërkombëtare e zhveshur nga autoriteti, legjitimiteti dhe horizonti politik. Ndërkohë, realiteti civil i Gazës nuk është zgjidhur, ai thjesht menaxhohet.

 

Në këto kushte, ndihma shndërrohet në një instrument kontrolli në vend të një mjeti për rimëkëmbjen nga lufta. Rindërtimi shtyhet, kushtëzohet dhe militarizohet. Financimi për Gazën diskutohet jo si dëmshpërblim për shkatërrimet e pësuara, por si një levë e lidhur me standardet e sigurisë, të cilat mbeten të papërcaktuara dhe të ndryshueshme në pafundësi.

 

Pikërisht këtu bëhet më e qartë axhenda e Trump. Edhe kur ai ushtron presion ndaj Tel Avivit, presidenti amerikan mbetet fort brenda parametrave izraelitë. Ai nuk synon të çmontojë logjikën e luftës, por të administrojë në mënyrë efikase rezultatin e saj.

 

“E nesërmja”, nuk është formuluar si çlirim apo rindërtim kombëtar, por si një qeverisje pa sovranitet: këshilla teknokratike, organe stabilizimi të situatës dhe zgjidhje menaxheriale të hartuara enkas për të anashkaluar përfaqësimin politik në vend se ta rivendosin atë.

 

Kjo qasje, shpërfill një realitet qendror të dukshëm në terren: siguria nuk mund të imponohet vetëm përmes arkitekturës administrative. Karburanti, ushqimi, lëvizja dhe rindërtimi diktohen tashmë përmes kontrolleve të shtresëzuara burokratike.

 

Pa një horizont politik, shtimi i shtresave të reja menaxheriale nuk prodhon kurrfarë stabiliteti. Ai riprodhon brishtësinë e njohur tashmë, por thjesht nën një emër tjetër.

 

Fiksimi pas formulave, të cilat vënë në plan të parë sigurinë, garanton vazhdimin e konfliktit.

 

Një ripozicionim izraelit, i cili ruan kontrollin mbi kufijtë, hapësirën ajrore, qasjen në det dhe zonat tampon, nuk është fundi i luftës. Përkundrazi, është një luftë me mjete të tjera.

 

Ajo që po ndodh në Gaza, nuk është një dështim i ndërmjetësimit apo mungesë e ndikimit amerikan.

 

Është haptazi një zgjedhje politike e qëllimshme. Shtetet e Bashkuara zotërojnë mjete të pakrahasueshme për të ushtruar presion mbi Izraelin, por vazhdimisht përmbahen nga përdorimi i tyre.

 

Nga ana tjetër, Izraeli e shfrytëzon këtë tolerancë për të zbrazur nga thelbi nismat diplomatike, ndërkohë që vazhdon të përdorë retorikën boshe të “ruajtjes së stabilitetit”.

 

Rrjedhimisht Gaza mbetet e bllokuar, midis refuzimit të Izraelit për t’i dhënë fund luftës dhe refuzimit të Uashingtonit për ta imponuar atë qëllim.

 

Vuajtjeve të saj nuk u jepet fund njëherë e mirë, por ato “administrohen”. E ardhmja e saj shtyhet për më vonë, ndërsa shkatërrimi i saj në dy vitet e fundit normalizohet nën zhargonin e “menaxhimit të sigurisë”.

 

Për të gjitha arsyet që rendita më lart, kjo që po shohim nuk është kurrsesi një rrugë drejt paqes. Ajo është arkitektura e një lufte të zgjatur, e projektuar me kujdes për t’u dukur si progres, kur e vërteta është ndryshe.

 

Shënim: Mahmoud Shehada, është udhëheqës i operacioneve humanitare në Gaza. Ai koordinon shpërndarjen e ndihmës, mbrojtjen e civilëve dhe përpjekjet për armëpushim, operacionet e evakuimit dhe negociatat humanitare me të gjitha palët në konflikt.

XS
SM
MD
LG