“Guantanamo e I.zraelit”: Tortura dhe vdekje e dhjetëra palestinezëve në paraburgim
Rrëfimet nga ish-të burgosurit dhe hetimet nga organizatat e të drejtave të njeriut kanë çuar në akuza për tortura sistematike në qendrat e paraburgimit izraelite. Të paktën 98 palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite vetëm 2 vitet e fundit. Por debati në Izrael, është përqendruar diku tjetër....
“Der Spiegel”
7 tetori 2023 supozohej të ishte dita e dasmës së Husein Al-Zueidi. Ai kishte rezervuar një sallë të madhe, kishte ftuar 2.500 miq dhe të afërm dhe kishte paguar qiranë për fustanin e nusërisë. Por në vend se të shkëmbenin premtimet, ai dhe e fejuara e tij u detyruan të largoheshin nga veriu i largët i Rripit të Gazës.
Zueidi përfundoi me familjen e tij në një shkollë në Xhabalija, ngjitur me qytetin e Gazës. Dasma u zhvillua atje një muaj më vonë, pa festë dhe pa fustan. Pastaj, një muaj më vonë, Zueidi u zu rob nga ushtria izraelite kur ajo mori kontrollin e shkollës ku ata po strehoheshin. Më 13 tetor të këtij viti, ai u lirua pas 22 muajsh në robëri si pjesë e shkëmbimit me 20 pengjet e fundit izraelite që kishin mbajtur në Gaza Hamasi dhe grupet e lidhura me të.
Sot 26 vjeç, Zueidi flet nga tenda e familjes së tij në Deir Al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Shtëpia e prindërve të tij në veri u shkatërrua në luftë. Disa të afërm u vranë. Por Zueidi nuk mësoi asgjë nga kjo. Ai thotë se mbetet i tronditur nga shkatërrimi dhe nga mjerimi i familjes së tij.
Por mbi të gjitha, duket i traumatizuar nga ajo që duroi në robëri. Pasi u kap rob, Zueidi u çua në kampin izraelit Sde Teiman, ku kaloi 18 ditë me duar të lidhura dhe sytë e mbyllur. Ai dhe të burgosurit e tjerë lejoheshin rrallë të përdornin banjën.
Shumicën e kohës ata duhej të kryenin nevojat e tyre aty ku ishin të përkulur. Ata nuk lejoheshin të shtriheshin, të flisnin dhe as të ngrinin kokën. Natën lejoheshin të flinin vetëm për 5 orë, teksa rriheshin vazhdimisht. Vaktet e tyre përbëheshin nga një copë e vogël bukë dhe gjysmë luge ton të konservuar.
Dyshekët ishin të hollë, ashtu si edhe batanijet, pavarësisht të ftohtit në korridoret ku ishin mbyllur. Zueidi thotë se është rrahur brutalisht edhe në kampe të tjera paraburgimi. Kur u sëmur me sëmundjen e lisë, nuk mori asnjë mjekim për një kohë të gjatë.
“Mendova se do të vdisja. Dhe çdo ditë e falënderoja Zotin që isha ende gjallë” - tregon Zueidi. Ai ka ende ankthe, dhe kur ha, gjunjëzohet në dysheme dhe përkulet përpara në mënyrë refleksive, siç detyrohej të bënte në burg. DER SPIEGEL ka shqyrtuar praninë e Zueidit në mediat sociale.
Postimet e tij tregojnë simpati të mundshme për grupet militante. Por nuk ka prova se ai ishte anëtar i Hamasit. Sidoqoftë, asnjë nga këto nuk justifikon muaj abuzimi dhe torture. Zueidi ishte një nga rreth 1.700 palestinezë nga Gaza që u kapën gjatë luftës dhe u liruan në mesin e tetorit 2025.
Shumica ishin civilë, të burgosur pa akuza si të ashtuquajtur luftëtarë të parregullt. Shumë prej tyre, si Zueidi, që atëherë kanë treguar histori urie, abuzimi dhe kushtesh të padurueshme paraburgimi. Rrëfimet e tyre janë në përputhje me raportimet nga mediat ndërkombëtare, përfshirë DER SPIEGEL, që nga mesi i vitit 2024, si dhe raportet nga organizatat izraelite dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Që nga ajo kohë, Sde Teiman është bërë i njohur si “Guantanamo i Izraelit”. Por abuzimi nuk kufizohet vetëm në kampin ushtarak në shkretëtirën Negev. Ai duket se është i zakonshëm në gati të gjitha kampet dhe burgjet e tjera. “Tortura është bërë një mjet i qëllimshëm dhe i përhapur i politikës shtetërore izraelite” - thuhet në një raport të paraqitur së fundmi nga disa organizata izraelite për të drejtat e njeriut në Komitetin e OKB-së kundër Torturës.
“Ajo ndodh gjatë gjithë procesit të paraburgimit - nga arrestimi, marrja në pyetje dhe më pas burgimi” - thekson më tej raportimi. Zyrtarë të lartë izraelitë i kanë denoncuar këto abuzime, pohon raporti, por mekanizmat gjyqësorë, administrativë dhe mjekësorë nuk kanë arritur që të ndërhyjnë në kohë.
Të paraburgosurve, shton raporti, u mohohet shpesh qasja tek avokatët dhe kujdesi mjekësor për periudha të gjata. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka kërkuar qasje te të paraburgosurit vitet e fundit. Por më kot, nuk është lejuar. Izraeli po mban aktualisht 9.200 palestinezë si të ashtuquajtur “të burgosur për qëllime sigurie”.
Por nuk bëhet fjalë vetëm për abuzim. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut “Mjekët për të Drejtat e Njeriut” (PHRI) ka shqyrtuar deklaratat e dëshmitarëve, të dhënat zyrtare dhe prova të tjera, duke dokumentuar 98 vdekje që nga fillimi i luftës. Më shumë se 2/3 e tyre ishin palestinezë nga Gaza, ndërsa të tjerët vinin nga Bregu Perëndimor.
PHRI nënvizon se 52 të burgosur vdiqën në kampe ushtarake, më shumë se gjysma e tyre në Sde Teiman. Organizata kërkoi herë të parë informacion mbi të burgosurit përmes gjykatave në dhjetor 2023, thotë Naxhi Abaz, një nga autorët e raportit të PHRI-së të publikuar së fundmi.
“Pas kësaj, na u tha jo zyrtarisht se në Sde Teiman po vdisnin njerëz çdo javë” - theksoi ai. Vetëm pas 7 muajsh, thotë ai, ushtria përmendi një shifër për herë të parë. “Dhe deri më sot, ajo refuzon të publikojë informacione të mëtejshme, siç janë për shembull shkaqet e vdekjes” - thotë Abaz, duke shprehur bindjen se numri i vërtetë i vdekjeve është shumë më i lartë.
Në raportin e PHRI-së thuhet se ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ndoqi enkas një politikë të përkeqësimit të qëllimshëm të kushteve të paraburgimit në burgje si një formë “ndëshkimi shtesë”. PHRI arrin në përfundimin se "vrasja e palestinezëve në paraburgim është bërë një praktikë e normalizuar".
“Në 10 raste kur një mjek arriti të kryente ekzaminimin trupor të një viktime nëpërmjet gjykatave, shenja dhune dhe neglizhence u gjetën në pothuajse të gjitha rastet” - shprehet Abaz. Por për shkak se familjeve të të vdekurve nuk u është ofruar asnjë dokumentacion i autopsisë në shumicën dërrmuese të rasteve, shkaqet e sakta të vdekjes në përgjithësi nuk përcaktohen.
Eksperti citon rastin e një 33-vjeçari, të cilit iu thyen brinjët dhe sternumi (kocka kryesore e kafazit të kraharorit) në burgun Megido në Izraelin verior. Të burgosurit e tjerë panë mbi 12 roje burgu duke e rrahur atë për disa minuta. Husein Al-Zueidi konfirmon se dhuna ishte e zakonshme jo vetëm në Sde Teiman, por edhe në 3 vendet e tjera të paraburgimit ku ai u mbajt për gati 2 vite.
Gjatë një marrjeje në pyetje, dëshmon ai, gardianët e lidhën në një karrige për 12 orë dhe e rrahën vazhdimisht në organet gjenitale. Më pas, thotë ai, kishte gjak në urinë. Zueidi pohon se ka qenë edhe dëshmitar i një vdekjeje. Ai kaloi disa muaj me një mësues në pension, afërsisht 70 vjeç, në një qeli në burgun e Negevit.
Kur në fund të shtatorit nisi të qarkullonte lajmi për një armëpushim të mundshëm, të burgosurit filluan të festonin. Ushtarët izraelitë u tërbuan nga inati dhe i rrahën e i qëlluan me plumba gome. Burri i moshuar, tregon Zueidi, u godit në kokë, e cila filloi të rridhte gjak dhe humbi ndjenjat.
Ata iu lutën ushtarëve që ta çonin të plagosurin te një mjek, por kaluan plot dy ditë para se ta nxirrnin nga qelia, thotë Zueidi. “Ata nuk e kthyen kurrë në qeli, dhe për ne ishte e qartë se ai kishte vdekur” - tregon i riu. Në fillim të dhjetorit, Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut (PCHR) në Gaza publikoi një raport mbi “përdhunimin sistematik dhe torturën seksuale” të të burgosurve.
Ndër format e tjera të abuzimit, ai përshkruan futjen në rektum të një shkopi druri në një rast dhe të një shisheje në një rast tjetër. Një raport tjetër i komisionit të ekspertëve të OKB-së në mars 2025, thotë se “frekuenca, përhapja dhe egërsia” e këtyre veprave penale tregon “se dhuna seksuale po përdoret gjithnjë e më shumë si një metodë lufte nga Izraeli”.
Megjithatë, kjo mohohet ose injorohet nga politika dhe nga pjesë të mëdha të shoqërisë izraelite. Mediat izraelite raportojnë rrallë për abuzimin e të burgosurve, dhe kur e bëjnë këtë, ato paraqiten zakonisht si raste të izoluara. Shpesh, zemërimi nuk drejtohet kundër autorëve, por kundër atyre që flasin për abuzimin.
Kjo u ilustrua në një rast që shkaktoi një skandal në Izrael dhe që i kushtoi punën prokurorit ushtarak disa javë më parë. Skandali nisi në korrik 2024 kur një i burgosur nga Sde Teiman u shtrua në spital me lëndime të rënda. Përveç plagëve, fillimisht u tha se ai ishte përdhunuar.
Më vonë u zbulua se ai ishte penetruar “me një objekt të mprehtë”, duke i dëmtuar rektumin. Pesë rezervistë u akuzuan për abuzim me të burgosurin dhe u arrestuan. Burrat i përkisnin një njësie speciale përgjegjëse për ruajtjen e të burgosurve në Sde Teiman. Pak më pas, një turmë e krahut të djathtë - përfshirë anëtarë të Knessetit (parlamentit izraelit) - sulmoi fillimisht Sde Teiman dhe më pas një bazë tjetër ushtarake në një përpjekje për të liruar rezervistët.
Ministri i Sigurisë Ben-Gvir, që mbikëqyr punën e policisë, i quajti arrestimet e autorëve të dyshuar si “asgjë më pak se sa një akt të turpshëm”. Disa ditë më vonë, një stacion televiziv izraelit publikoi pamje nga kamerat e mbikëqyrjes brenda Sde Teiman që tregonin abuzimin ndaj palestinezit.
Në Izrael, debati i nxitur nga videoja është përqendruar kryesisht te autori i publikimit të videos dhe më pak te përmbajtja e imazheve. Në fillim të nëntorit, më shumë se një vit pas ngjarjes, u gjet fajtorja: prokurorja ushtarake përgjegjëse për çështjen, Jifat Tomer-Jerushalmi.
Ajo e kishte marrë videon dhe ia kishte dhënë një gazetari. Ajo u burgos për disa kohë, ndërsa hetimet mbi këtë çështje janë duke vazhduar. Në letrën e saj të dorëheqjes, prokurorja ushtarake tha se kishte miratuar publikimin e videos “për të kundërshtuar propagandën e rreme të drejtuar kundër autoriteteve ushtarake të zbatimit të ligjit”.
Në fillim të nëntorit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu reagoi mbi videon e publikuar, duke thënë: “Ky akt është ndoshta sulmi më serioz ndaj marrëdhënieve me publikun që Izraeli
ka përjetuar që nga themelimi i tij!”. Ndërkohë, ministri i tij i mbrojtjes akuzoi prokuroren ushtarake për shpifje gjaku dhe nxitje të antisemitizmit.
Gazetari të cilit iu zbuluan videot u kërcënua aq shumë saqë media ku punon ka punësuar truproja për ta mbrojtur atë. Në dy vjet luftë, vetëm një ushtar u dënua për rrahjen e të burgosurve palestinezë në Sde Teiman. Ai u dënua me vetëm 7 muaj burg, një vendim që organizatat e të drejtave të njeriut e kritikuan si shumë të butë.
“Ushtria në Izrael konsiderohet ende e shenjtë” - thotë eksperti izraelit i së drejtës ndërkombëtare Eitan Diamond nga Qendra Ndërkombëtare e së Drejtës Humanitare Diakonia. Përveç kësaj, thotë ai, qeveria Netanjahu ka krijuar një kulturë politike “që ushqehet me urrejtje”.
“Një ushtri që lejon që krimet të bëhen normë, nuk është në gjendje të ndjekë penalisht krimet individuale” - shton eksperti. Diamond thotë se është e rëndësishme që Gjykata Ndërkombëtare Penale të vazhdojë hetimet e saj, pavarësisht rezistencës së SHBA-së dhe Izraelit.