Lidhje


Dy fitore, dy shoqëri: Kurti dhe vota e lirë, Rama dhe vota e vjedhur

Fitorja e Albin Kurtit në Kosovë nuk ishte thjesht një rezultat elektoral, ajo ishte një akt kolektiv qetësie, një marrëveshje e heshtur mes qytetarëve dhe shtetit se vota ende mund të ketë kuptim. Pa zhurmë, pa kërcënime, pa patronazhistë që numërojnë frymëmarrjet e votuesve, pa ndjesinë se demokracia është një teatër ku rolet janë ndarë paraprakisht. Ishte një fitore mbarëpopullore, jo sepse të gjithë mendonin njësoj, por sepse shumica pranoi rregullat e lojës dhe besoi se vota e saj nuk do të përdhosej.

 

Në anën tjetër të kufirit, fitorja e Edi Ramës në Shqipëri ngjan më shumë me një ritual të konsumuar pushteti sesa me një proces demokratik emancipues. Një fitore e shoqëruar nga akuza të vazhdueshme për manipulim, blerje votash, presion institucional dhe një aparat patronazhistësh që e shndërrojnë qytetarin në objekt mbikëqyrjeje. Këtu vota nuk është akt i lirë, por një transaksion: një vend pune, një ndihmë ekonomike, një favor i vogël për një nënshtrim të madh. Parimet shiten lirë, sepse varfëria nuk është vetëm ekonomike, por morale.

 

Nga këndvështrimi sociologjik, këto dy realitete nxjerrin në pah dy mentalitete thellësisht të ndryshme. Në Kosovë, pavarësisht plagëve historike dhe problemeve reale, vota shihet ende si mjet për të ndërtuar shtetin. Ka një ndjenjë patriotike funksionale: jo nacionalizëm folklorik, por vetëdije se shteti është i brishtë dhe kërkon përgjegjësi qytetare. Albin Kurti fitoi sepse mishëroi këtë narrativë idenë se politika mund të jetë e ashpër, por jo kriminale, ideologjike, por jo banditeske.

 

Në Shqipëri, përkundrazi, është normalizuar një mentalitet spekulativ, ku politika nuk shihet si shërbim publik, por si skemë për pasurim dhe kontroll. Patronazhisti është simboli më i qartë i këtij degradimi: një figurë që përfaqëson shkrirjen e shtetit me partinë, të frikës me interesin, të varfërisë me manipulimin. Këtu qytetari nuk voton si subjekt sovran, por administrohet si dosje. Demokracia nuk vritet me tank, por me Excelin ku çdo bindje është e kontrolluar nga patronazhisti i lagjes.

 

Analitikisht, diferenca nuk qëndron vetëm te liderët, por te marrëdhënia që shoqëria ka me pushtetin. Në Kosovë, pushteti ende sfidohet, në Shqipëri, ai tolerohet ose blihet. Njëri model prodhon konflikt politik, por edhe shpresë, tjetri prodhon stabilitet artificial dhe një qetësi mortore që mban erë frike dhe lodhjeje morale. Aty ku vota mbrohet, lind përgjegjësia, aty ku vota shitet, lind degradimi moral dhe institucional.

 

Tonaliteti përbaltës nuk është i drejtuar ndaj individit të varfër që shitet për mbijetesë ose atij që shitet për interes apo shoqëri, por ndaj sistemit që e ka bërë shitjen e votës një normë, një strategji pushteti. Kriminalizimi i politikës në Shqipëri nuk është aksident, por metodë. Dhe për sa kohë parimet do të kenë çmim, demokracia do të mbetet një iluzion me fletë votimi.

 

Fitorja e Kurtit dhe fitorja e Ramës janë dy pasqyra: në njërën shohim se çfarë mund të jetë politika kur qytetari respektohet, në tjetrën, çfarë ndodh kur qytetari reduktohet në mjet. Dhe dallimi mes tyre nuk është vetëm politik , është civilizues.

XS
SM
MD
LG