Lidhje


Aleanca e errët: Pse S.ionizmi dhe F.ashizmi janë dy anë të së njëjtës medalje

Pavarësisht admirimit të ndërsjellë që ekziston midis sionistëve dhe fashistëve, ata zakonisht shihen si lëvizje të ndara politike. Megjithatë, kur i vështrojmë përmes lentes së racizmit, kolonializmit dhe imperializmit perëndimor, lidhjet midis tyre bëhen krejtësisht të qarta.

 

Nga Alana Lentini “Mondoweiss”

 

Pavarësisht admirimit të ndërsjellë të sionistëve dhe fashistëve, si historikisht ashtu edhe sot, përgjithësisht konsiderohet e padobishme që sionizmi të karakterizohet si fashizëm. Megjithatë, vështrimi i fashizmit nga perspektiva e “traditës radikale” ndihmon që ky i fundit të shërbejë si një koncept i vlefshëm për të kuptuar sionizmin. Kjo traditë vë theksin te racizmi, kolonializmi dhe imperializmi, të gjitha të rrënjosura në idetë supremaciste të qytetërimit perëndimor.

 

Në përkufizimet popullore, fashizmi shpesh shkëputet nga nacionalizmi dhe lidhet më fort me autoritarizmin. Izraeli e prezanton veten si një demokraci liberale, si rezultat i një projekti kombëtar për vetëvendosje, madje edhe si një manifestim antikolonial autokton.

 

Ky vetë-prezantim bie ndesh me idetë mbizotëruese mbi fashizmin. Por, kjo qasje është qëllimisht e paqartë. Historia e fashizmit dominohet nga historianë liberalë, të cilët kryesisht nuk i shohin racizmin, kolonializmin dhe imperializmin si elemente qendrore të tij. Përkundrazi, ata priren ta shohin fashizmin thjesht si një devijim të projektit politik evropian.

 

Ndërkohë, intelektuali revolucionar dhe i burgosuri politik, Xhorxh Xheksoni, shkroi në vitin 1972 se fashizmi nuk ka mbetur pa një përkufizim të qartë për fajin tonë. Ai thoshte se kjo ndodh për shkak të “këmbënguljes sonë për një përkufizim të ngurtë e të plotë... duke kërkuar simptoma identike nga një komb te tjetri”.

 

Në fakt, fashizmi është ende në zhvillim e sipër. Për politologun radikal, Sedrik Robinsonin, teoritë mbi fashizmin nuk janë konsideruar “të denja për t’u analizuar”, sepse mendimi politik i njerëzve me ngjyrë trajtohet gjithmonë si derivat i diçkaje tjetër.

 

Përkundrazi, kultura popullore dhe mediat ushqehen nga studime që e ndërtojnë fashizmin si “ekstremizëm të krahut të djathtë” ose si “autoritarizëm neurotik”. Sipas tyre, “fashizmi i mirëfilltë” mbeti i kufizuar vetëm në Evropën e periudhës midis dy Luftërave Botërore.

 

Këta teoricienë perëndimorë e kishin të vështirë ta shihnin fashizmin si diçka tjetër përveç “anës së errët të qytetërimit perëndimor”, me të cilën u flirtua shkurtimisht, por që në fund u refuzua. Teoricienët radikalë, vazhdon Robinsoni, bazoheshin në përvojat e popullatave me ngjyrë.

 

Prandaj, ata nuk e shihnin fashizmin si një “tipar kombëtar” të Spanjës, Italisë apo Gjermanisë, por si një produkt të përbërë nga mjetet ideologjike dhe teknologjike të të gjithë qytetërimit perëndimor. Qasja e tyre u formësua nga “disfatat shkatërruese” që popujt me ngjyrë pësuan në Kubë, Haiti dhe Liberi.

 

Kjo kishte ndodhur shumë kohë përpara se Musolini të pushtonte Libinë. Në fakt, ata u mobilizuan masivisht kundër pushtimit të Etiopisë në vitin 1935. Siç shkroi Du Boisi, ata e kuptuan se “kombet e tjera kanë bërë pikërisht atë që po bën Italia”. Italia donte thjesht një pjesë të “byrekut kolonial” që fuqitë e tjera evropiane e kishin mbajtur për vete.

 

Kolonizimi italian i Afrikës Lindore u pa si sulmi i fundit në një varg krimesh ndaj jetës së njerëzve me ngjyrë, ku përfshihej edhe skllavëria. Siç vëren Robinsoni, “antifashizmi u shtri spontanisht në të gjithë botën e njerëzve me ngjyrë”.

 

Jo të gjithë intelektualët ndoqën të njëjtën qasje. Për shembull, Xhejmsi prirej të mbante anën e marksistëve, të cilët e shihnin fashizmin si rezultat të përplasjes midis kapitalizmit dhe komunizmit. Kapitalistët e shihnin fashizmin si shpëtimin e tyre nga lëvizja punëtore revolucionare.

 

Por kur Xhorxh Padmori iu rikthye çështjes në vitin 1956, ai pa se në lojë ishte diçka më shumë: fashizmi ishte shenja e “një agresioni të ri të evropianëve në Afrikë”. Du Boisi e pa këtë që në fillim të viteve 1930.

 

Më vonë ai shkroi: “Unë e dija që Hitleri dhe Musolini po luftonin komunizmin dhe po përdornin racizmin për t’i bërë disa të bardhë të pasur dhe të gjithë njerëzit me ngjyrë të varfër. Por vetëm më vonë e kuptova se kolonializmi i Britanisë dhe Francës kishte saktësisht të njëjtin objektiv dhe metoda”.

 

Kjo i bën jehonë deklaratës së famshme të Eme Sezerit: nazizmi ishte manifestimi i asaj që u ishte bërë tashmë popujve jo-evropianë, përpara se kjo dhunë të kthehej brenda kontinentit.

 

Një “lëvizje e vërtetë fashiste” ekzistonte edhe në Palestinë në vitet 1920-1930. Kjo ishte veçanërisht e dukshme brenda lëvizjes revizioniste të Zhabotinskit, e cila kundërshtonte qasjen më graduale të sionizmit laburist.

 

Dan Tamiri sugjeron se fashizmi shfaqet në periudha krize, ndaj nuk është çudi që lindi edhe në atë që ai e quan “shoqëri moderne hebraike”. Megjithatë, ashtu si shumica e studiuesve

 

që fshijnë ekzistencën e palestinezëve, edhe ai anashkalon peshën që raca ka në këtë mes.

 

Për shumë njerëz është ende e paimagjinueshme që sionistët mund të ishin fashistë. Kjo ndodh për shkak të rolit qendror të antisemitizmit në fashizmin evropian. Megjithatë, fashistët sionistë si Aba Ahimeiri, një admirues i Osvald Shpenglerit, besonin se fashizmi nuk kishte lidhje të natyrshme me antisemitizmin.

 

Prandaj, sipas tij, një sionist mund të ishte fashist. Në fakt, sionistët evropianë - qofshin të krishterë apo hebrenj = ishin shpesh antisemitë dhe racistë njëkohësisht. Teodor Hercli i shpalli antisemitët si “miqtë më të besueshëm” të sionizmit.

 

Ai kundërshtoi emigrimin hebre në Angli e Amerikë, me pretendimin se ata “mbartnin farat e antisemitizmit”. Në vitin 1897, ai përshkroi figurën e “Maushlit”, një personazh të shëmtuar e të deformuar, të cilin nuk e shihte si pjesë të së njëjtës race me “sionistin hebre”.

 

Dokumentohet gjithashtu se sionistët penguan shpëtimin e hebrenjve nga nazistët. Ralf Shonmani vëren se Organizata Sioniste Botërore refuzoi dy të tretat e hebrenjve gjermanë që kërkonin imigrim, pasi ata shiheshin si “pak të dobishëm” për projektin e kolonizimit. Sionizmi zbaton dominimin racor mbi palestinezët.

 

Aftësia për të kolonizuar tokën e një tjetri bazohet te besimi se ai tjetri është inferior, më pak se njerëzor, ose krejtësisht i eliminueshëm. Deklarata të tilla dëgjohen rregullisht nga udhëheqësit sionistë gjatë gjenocidit aktual.

 

Bashkëpunimi sionist me fashizmin italian tregon rëndësinë e racës për të dyja lëvizjet. Ndonëse thonë se Musolini i miratoi ligjet racore vetëm në vitin 1938, Robinsoni tregon se ai besonte te supremacia racore shumë më herët. Marrëdhënia e tij me sionistët ekzistonte sepse ai i shihte ata si “agjentë të dobishëm” për të destabilizuar britanikët dhe për të ndihmuar në “tulatjen” e popullsive në Libi.

 

Shumë hebrenj italianë e mbështetën Musolinin sepse besonin te projekti i tij kolonial. Siç vëren Shira Klajni, ata mendonin se reputacioni i Italisë varej nga pushtimet. Kështu, sionistët nuk shihnin asnjë përplasje midis ambicieve të Italisë në Afrikë dhe aspiratave të tyre në Palestinë.

 

Fiksimi i sionizmit me “Judaizmin muskulor” të Maks Nordaut pasqyronte besimet eugjenike të kohës. Eksperimentet mjekësore mbi hebrenjtë arabë dhe mbi të burgosurit palestinezë ishin pjesë e kërkimit për të gjurmuar linjën gjenetike të “Homo Israelensis”.

 

Eugjenizmi sionist, ka si qëllim të formojë një “fortifikatë të Evropës kundër Azisë”, siç e thoshte Hercli, për të cilin “evropianizmi” ishte sinonim i të qenit i bardhë. Themeluesit sionistë si Artur Rupini dëshironin të pranoheshin si tërësisht evropianë.

 

Këtë mund ta arrinin vetëm duke imituar nacionalizmin evropian në Palestinë. Sot, sionizmi është “maja e shtizës” së racizmit supremacist perëndimor. Ai vazhdon të ndërtojë lidhje me lëvizjet fashiste globale, nga Donald Trampi te Havier Milei dhe Viktor Orbani.

 

Natyra globale e fashizmit u vu re nga Xhorxh Xheksoni, i cili thoshte se ne shpesh mashtrohemi nga skenat nacionaliste pa e kuptuar karakterin e tij ndërkombëtar. Sionizmi është pjesë e kësaj lëvizjeje që lindi nga kriza e kapitalizmit, por që nuk u zhvillua kurrë pa tiparin e tij kryesor: supremacizmin racor.

 

Fakti që gati e gjithë popullsia izraelite sot ecën në një hap me një projekt gjenocidal, e bën sionizmin fashist në të gjitha dimensionet e tij.

XS
SM
MD
LG