Lidhje


Kurthi i paqes: Pse normalizimi i marrëdhënieve me I.zraelin është një mjet për kolonizimet e tij të mëtejshme

E shitur vazhdimisht si një rrugë drejt stabilitetit, historia dëshmon se marrëveshjet arabe të normalizimit, kanë prodhuar vetëm ekspansionizëm të dhunshëm, destabilizim rajonal dhe pandëshkueshmëri për shtetin izraelit...

 

Nga Xhozef Masad “Middle East Eye”

 

Një nga shtyllat e palëkundura të politikës së SHBA-së në Lindjen e Mesme, është ”normalizimi” i marrëdhënieve arabe me Izraelin. Synimi i qartë është izolimi i palestinezëve, duke i privuar ata nga çdo mbështetje logjistike, politike apo morale nga fqinjët e tyre.

 

Kjo strategji e vjetër, synon të shuajë përgjithmonë rezistencën palestineze, duke e rrethuar atë me “aleatë” të rinj të Izraelit. Edhe pas ngjarjeve dramatike të tetorit 2023, kjo linjë nuk u rishikua.

 

Përkundrazi, Uashingtoni e përshpejtoi atë si të vetmen zgjidhje të mundshme. Që nga Marrëveshjet e Abrahamit në vitin 2020, ky proces i ka kapërcyer kufijtë tradicionalë arabë drejt vendeve me shumicë myslimane si Kazakistani apo Indonezia.

 

Edhe pse gjenocidi në Gaza ka pezulluar disa nisma, si ato me Arabinë Saudite dhe Libinë, filozofia sioniste mbetet e njëjtë me atë të viteve 1920: nëse nuk merret dot miratimi i popullit të kolonizuar, ai duhet blerë nga elitat e shteteve përreth.

 

Iluzioni i Jabotinskit dhe realiteti i regjimeve

 

Për të kuptuar rrënjët e kësaj strategjie, duhet parë figura e Vladimir Jabotinskit, një udhëheqës revizionist sionist dhe themelues i lëvizjes që më vonë do të formonte partinë Likud. Jabotinski njihej për qëndrimet e tij radikale.

 

Ai besonte se arabët nuk do t'i pranonin kurrë vullnetarisht sionistët në tokat e tyre, ndaj duhej ngritur një “mur i hekurt” ushtarak. Megjithatë, ai sugjeroi se miratimi arab mund të blihej me para ose ndihmë politike nga fuqitë perandorake.

 

Gabimi i tij ishte mendimi se këto shtete drejtoheshin nga nacionalistë antikolonialistë që kërkonin largimin e Britanisë apo Francës. Jabotinski nuk parashikoi dot se regjimet arabe do të transformoheshin në monarki dhe diktatura, që e shihnin Izraelin dhe mbrojtjen e SHBA-së si një partner jetik për të ruajtur fronet e tyre.

 

Sot, mbështetësit e normalizimit të raporteve pretendojnë se marrëdhëniet me Izraelin shërbejnë si mjet presioni ndaj tij. Por 5 dekadat e fundit, kanë treguar se çdo hap drejt normalizimit ka sjellë vetëm tkurrje të të drejtave të popullit palestinez.

 

Kompromisi i gabuar: Nga rezistenca tek të qenit një nënkontraktor i Tel-Avivit

 

Një shembull tragjik i këtij procesi mbetet transformimi i OÇP-së (Organizatës për Çlirimin e Palestinës). Përmes bisedimeve sekrete në vitet 1970 në Evropë, ajo kaloi nga një lëvizje çlirimtare në një subjekt që kërkonte “dialog” mbi baza minimaliste me të majtën sioniste.

 

Duke propozuar një shtet palestinez vetëm në Bregun Perëndimor dhe Gaza, Jaser Arafati bëri lëshimin më të madh historik: njohjen e të drejtës së Izraelit mbi 78 për qind të tokës historike. Ky ndryshim shënoi transformimin e luftës nga çlirim kombëtar në një kërkesë modeste për administrim territorial.

 

Ndërsa OÇP-ja priste legjitimitet nga Perëndimi, presidenti egjiptian Anuar Sadat i dha goditjen përfundimtare unitetit arab. Pa u konsultuar me kolegët e tij, Sadati zgjodhi një rrugë vetjake, duke vizituar Jerusalemin në vitin 1977 - një akt që u pa si tradhti nga pjesa tjetër e botës arabe dhe që çoi në përjashtimin për një dekadë të Egjiptit nga Lidhja Arabe.

 

Strategjia “përça dhe sundo” përmes paqes së veçantë

 

Vizita e Sadatit në Jerusalem nuk ishte thjesht një akt diplomatik, por një pranim de-facto i aneksimit të qytetit nga Izraeli, pasi ai foli në Knesetin izraelit në një kohë kur asnjë vend tjetër nuk e njihte Jerusalemin si kryeqytet.

 

Kjo lëvizje e shkatërroi frontin e përbashkët arab, duke i dhënë Izraelit mundësinë të negocionte me çdo shtet veç e veç, dhe duke i vënë kundër njëri-tjetrit interesat e tyre. Sapo Egjipti, fuqia më e madhe ushtarake arabe, doli nga ekuacioni i luftës përmes Traktatit të Paqes të vitit 1979, Izraeli u ndje i lirë të vepronte në veri.

 

Pa frikën e një lufte në dy fronte, ushtria izraelite pushtoi Libanin Jugor në vitin 1978 dhe sërish në 1982. Këto sulme vranë dhjetëra mijëra civilë palestinezë e libanezë, duke treguar se “paqja” me këtë shtet ishte në fakt një dritë jeshile për agresion të papenguar ndaj të tjerëve.

 

Autonomia si maskë për aneksimin e mëtejshëm

 

Marrëveshjet e Kemp Dejvidit midis Egjiptit dhe Izraelit ofruan vetëm një “autonomi” të turbullt për palestinezët, një koncept të cilin Shaim Uajzman (udhëheqësi i parë sionist) e kishte ofruar që në vitin 1930 si një lëshim maksimal.

 

Kjo autonomi nuk parashikonte krijimin e një shteti, ushtrie apo kontrolli mbi burimet ujore. Ndërsa diplomacia fliste për paqe, kryeministri Menahem Begin nisi një program masiv kolonizimi për të mbushur Bregun Perëndimor me vendbanime hebraike.

 

Ky model u bë rregull: pas çdo lëshimi arab, Izraeli u përgjigj me fakte të kryera në terren. Menjëherë pas paqes me Egjiptin, Izraeli aneksoi zyrtarisht Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë e Golanit në pjesën siriane. Madje edhe nismat si Plani i Paqes i Mbretit saudit Fahd (1981), që ofronte njohje totale të Izraelit në këmbim të tërheqjes së tij në kufijtë e vitit 1967, u pritën me përbuzje dhe me masakrat e Sabrës dhe Shatilës në Liban.

 

Paqja si një licencë për gjenocid

 

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve i viteve 1990 (Marrëveshja e Oslos dhe ajo e Jordanisë) e ktheu Autoritetin Palestinez në një nënkontraktor të sigurisë në rajon. Në vend që të ndalte zgjerimin e kolonive hebreje në Palestinë, ky sistem e mbrojti atë duke përdorur policinë palestineze për të shtypur rezistencën kundër pushtimit.

 

Kjo gjë çoi në shpërthimin e Intifadës së Dytë, e cila vërtetoi dështimin e të ashtuquajturit “proces paqeje”. Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020 janë pika kulminante e kësaj qasjeje të bazuar tek pandëshkueshmëria.

 

Ato i dhanë Izraelit sigurinë se mund të ushtronte një dhunë ekstreme, madje edhe gjenocidin aktual në Gaza, pa u përballur me sanksione nga fqinjët arabë. Përkundrazi, raportohet se disa shtete që janë afruar me të vitet e fundit falë këtyre marrëveshjeve, kanë ndihmuar në anashkalimin e bllokadave tregtare ndërkohë që masakra në Gaza vazhdonte.

 

Sot, Benjamin Netanjahu flet hapur për një “Izrael të Madh”, duke treguar se për Tel-Avivin normalizimi nuk është fundi i konfliktit, por thjesht zgjerimi i hapësirës koloniale.

 

Shënim: Xhozef Masad, është profesor në Universitetin e Kolumbias dhe ekspert i historisë intelektuale arabe

 

*Ky material është ripublikuar nga burime të hapura dhe shërben vetëm për informim. Qëndrimet e shprehura nuk janë domosdoshmërisht të redaksisë.

XS
SM
MD
LG