Analiza: Si po kriminalizojnë kompanitë izraelite të rinjtë shqiptarë përmes fitimeve të shpejta
Në Shqipëri, debati për praninë gjithnjë e më të shtuar izraelite nuk mund të kufizohet vetëm te investimet, teknologjia, real estate-i apo marrëveshjet në sektorë strategjikë. Shqetësimi më i errët dhe më urgjent është një tjetër: call center-at mashtrues, një industri që po përdor të rinjtë shqiptarë si fuqi punëtore për mashtrime financiare ndërkombëtare.
Analiza e BIRN mbi call center-at mashtrues në Shqipëri e përshkruan këtë fenomen si një rrezik të thellë social: jo vetëm si krim ekonomik, por si mekanizëm kriminalizimi për një brez të tërë të rinjsh. Zyrat moderne në Tiranë, me kompjuterë, kufje, gjuhë të huaja dhe emra kompanish si IOTA Network, Espiron Studio, Koppa Network, Victory Communication, Zeta Studio apo Upstream Creative, në shumë raste nuk janë qendra normale shërbimi, por fasada të një ekonomie mashtrimi.
Rasti më i fundit, “Ghost Call”, e tregon qartë përmasën e problemit. Sipas BIRN, grupi përdorte platformat ALHPASCRYPTO, CAPITALMARKET24 dhe GOLDCAPITAL24, të identifikuara fillimisht nga autoritetet austriake për mashtrime ndaj qytetarëve në Vjenë dhe zona të tjera të Austrisë gjatë periudhës 15 qershor 2023 – 30 korrik 2024. Viktimat ishin nga Austria, Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Greqia, Kanadaja dhe SHBA, ndërsa dëmi i dyshuar shkon mbi 50 milionë euro.
Skema ishte dyfishe. Fillimisht viktimat joshnin me premtime për investime në bursa që nuk ekzistonin. Më pas, pasi humbnin paratë, kontaktoheshin sërish nga persona që hiqeshin si përfaqësues studiosh ligjore dhe premtonin rikuperim fondesh kundrejt një pagese fillestare prej 500 eurosh në një llogari në “Boin Baze”. Pra, viktima mashtrohej një herë si investitor dhe herën e dytë si i dëmtuar që kërkonte shpëtim.
Në këtë dosje konkrete, emrat janë të gjithë shqiptarë. Kjo do të thotë se nuk ka ende provë publike që kompanitë e përmendura të jenë në pronësi izraelite apo të kenë administratorë izraelitë. Por megjithatë, kjo nuk e shuan shqetësimin. Përkundrazi, e zhvendos çështjen drejt një pyetjeje më të thellë: nga vjen modeli, teknologjia, know-how, platforma dhe arkitektura e këtij mashtrimi?
Modeli i call center-ave të Tiranës lidhet me historinë ndërkombëtare të mashtrimeve me binary options, Forex, CFD dhe kriptovaluta, një industri që sipas investigimeve ndërkombëtare ka pasur një bazë të fortë në Izrael përpara se të zhvendosej drejt vendeve më të dobëta institucionalisht, si Ukraina, Gjeorgjia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Pra, lidhja me Izraelin nuk duhet kërkuar gjithmonë te pronësia formale në QKB. Në skema të tilla, fasadat janë zakonisht lokale: kompani shqiptare, administratorë shqiptarë, kapital minimal, zyra me qira dhe operatorë vendas. Por kontrolli real mund të qëndrojë te shtresa e fshehur: software-i, CRM-ja, databazat e viktimave, platformat e rreme, sistemet e pagesave, skriptet, trajnimet dhe organizatorët ndërkombëtarë.
Këtu dalin rastet e tjera të rëndësishme. Në rastin e Blue Energy Call, është raportuar përdorimi i Panda TS/Panda CRM, platformë dhe sistem i lidhur me kompani izraelite. Në dosjen Capital SHPK 1001 / FX-Leader, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq një shtetas izraelit bashkë me 38 shqiptarë për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash, me dëm mbi 2 milionë euro, përmes platformave si CFD-Tradingplattform dhe FX-Leader.
Në rastin Milton Group, Shqipëria shfaqet si një nga nyjet operacionale të një rrjeti ndërkombëtar të lidhur me ekosistemin izraelito-gjeorgjian të mashtrimeve financiare. Ndërkohë, raste si Airsoft, Puma TS apo precedenti ballkanik Gal Barak/Tradologic tregojnë se në këtë industri software-i, CRM-ja dhe truri teknik shpesh janë më të rëndësishëm se fasada lokale e call center-it.
Kjo është arsyeja pse dukuria e pranisë izraelite në Shqipëri nuk duhet parë vetëm përmes shifrave zyrtare të investimeve direkte. Në letër, stoku i investimeve direkte nga Izraeli mbetet modest: rreth 6 milionë euro në fund të tremujorit të parë 2025 dhe më pak se 7 milionë euro në fund të tremujorit të tretë 2025. Por në terren, prania duket më e zgjeruar: numri i bizneseve izraelite raportohet të ketë kaluar nga 42 në vitin 2023, në 39 në vitin 2024, dhe më pas në 105 në vitin 2025.
Kjo prani shfaqet në forma të ndryshme: në teknologji dhe qendra të dhënash, ku është raportuar projekti i Albania Data Center / ADC pranë Tiranës me kompaninë izraelite H.A.P.I Advanced Technologies LTD; në mbrojtje, ku është raportuar partneriteti i KAYO me Elbit Systems për dronë dhe sisteme antidronë; në strukturat rreth TIMAK Defence, ku është përmendur shitja e 49% të aksioneve për 490 euro shtetasit izraelit Ron Yeffet, gjithashtu mik i kryeministrit Edi Rama dhe i akuzuar publikisht nga opozita si ndikues në emërimin e ministrit aktual të Mbrojtjes Ermal Nufi; në financën digjitale, ku është licencuar Jet Bank sh.a., me strukturë pronësie që përfshin subjekte në Holandë, Qipro dhe Izrael dhe me aksionar kryesor të raportuar shtetasin britaniko-izraelit Idan Avishai; si edhe në real estate, ku perceptimi për rritjen e pranisë izraelite është i fortë, edhe pse mungon ende një statistikë zyrtare e plotë për vlerën konkrete të pronave të blera.
Duke u rikthyer te call center-at, BIRN vë në dukje se çështja më e rëndë nuk është vetëm dëmi financiar ndaj viktimave të huaja por edhe dëmi moral dhe social ndaj të rinjve shqiptarë.
Në këto call center-a nuk punësohen kontingjente kriminale. por të rinj të moshës 18–28 vjeç, studentë, të diplomuar, njerëz që dinë gjuhë të huaja dhe që në një ekonomi normale mund të punonin në teknologji, turizëm, administratë, marketing, financë apo shërbime reale.
Në vend të kësaj, një pjesë e tyre mësojnë të bëhen “brokerë” të rremë, të lexojnë skripte mashtruese, të manipulojnë emocionalisht viktima, të fshehin gjurmë dhe të punojnë me platforma fiktive. Kështu ata mësojnë të normalizojnë aktivitetin kriminal si karrierë të përditshme profesionale.
Kjo është kulturë kriminale e normalizuar. Një 22-vjeçar që për dy vjet mëson të mashtrojë pensionistë austriakë, gjermanë apo italianë merr përvojën e një shkolle të mirëfilltë kriminale.
Këtu ne artikulojmë një tjetër kritikë të fortë ndaj Izraelit për modelint transnacional të mashtrimit, ku aktorë, teknologji, platforma dhe rrjete me gjurmë izraelite janë shfaqur vazhdimisht në periferitë e Evropës, duke përdorur vende si Shqipëria si bazë operative dhe të rinjtë shqiptarë si fuqi punëtore të krimit digjital.
Kur një industri mashtrimi u ndalua në Izrael në vitin 2017, por më pas u zhvendos në vende me institucione më të dobëta, atëherë problemi është eksportuar - Software-i, CRM-ja, platformat dhe know-how i kësaj industrie vazhdojnë të shfaqen në skema që godasin Evropën nga Tirana.
Në këtë histori, shteti shqiptar nuk mund të fshihet. Nëse qindra të rinj punojnë në zyra me qindra kompjuterë, qindra telefona, miliona euro dëm, pagesa cash, kompani të regjistruara, kontrata interneti, qira, platforma ndërkombëtare dhe aktivitet shumëgjuhësh, institucionet nuk mund të thonë thjesht se nuk e dinin.
Pyetja është: ku ishin policia, prokuroria, tatimet, QKB, bankat, autoritetet kundër pastrimit të parave, kompanitë e internetit dhe institucionet që duhet të kontrollojnë kapitalin e dyshimtë? Në rastin më të mirë, shteti ka qenë i paaftë dhe në rastin më të keq, nuk ka dashur t’ia dijë.
Shqipëria po përjeton një hyrje të dukshme e të përshpejtuar të aktorëve izraelitë në disa sektorë strategjikë – prani e cila kërkon vëmendje shumë të madhe edhe në sfondin e zhvillimeve te tensionuara globale ku Izraeli është aktor destabilizues i dorës së parë në Lindjen e Mesme. Call center-at mashtrues nuk vjedhin vetëm qytetarë në Austri, Gjermani apo SHBA por edhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë duke i mësuar se krimi mund të shërbejë si karrierë në funksion të parasë së shpejtë.
Shqipëria duhet ta trajtojë këtë gjë si çështje të sigurisë kombëtare, sovranitetit ekonomik dhe mbrojtjes së rinisë, në rast se nuk duam që për pak vite të pyesim veten se kush lejoi që një brez i tërë shqiptarësh te trajnohej për të mashtruar.