Lidhje


Nga një ndërgjegje e harruar në një ndërgjegjje selektive. Komuniteti hebraik reagon për ardhjen e Kanye West në Shqipëri

Në një reagim publik, Komuniteti Hebraik Shqiptar e ka cilësuar të papranueshme mundësinë e një koncerti të Kanye West në Shqipëri, duke e lidhur me përgjegjësinë morale dhe rrezikun e normalizimit të figurave të përfshira në deklarata të dënueshme antisemitiste. Në tekstin e tyre theksohet se “heshtja nuk është neutralitet, është lejim” dhe se Shqipëria duhet të “vendosë vija të kuqe”, duke e paraqitur këtë si një çështje standardesh etike dhe jo thjesht kulture apo argëtimi. Reagimi ka ngjallur debat, sidomos për shkak të kontrastit që disa kritikë shohin mes këtij qëndrimi të fortë dhe mungesës së deklarimeve të ngjashme për krizat humanitare në Gaza.

 

Reagimi i Komunitetit Hebraik Shqiptar ndaj mundësisë së një koncerti nga Kanye West në Shqipëri po na paraqitet si një apel i fortë moral. Ai flet për “vija të kuqe”, për trashëgimi historike dhe për përgjegjësi kolektive. Në pamje të parë, është një qëndrim që kërkon integritet. Por kur vendoset në një kontekst më të gjerë global, lind një pyetje e pashmangshme: a është kjo ndërgjegje konsistente, apo selektive?

 

Sepse ndërkohë që një artist dënohet për retorikë antisemite, bota është dëshmitare e një realiteti shumë më të rëndë në Gaza, një gjenocid, një krizë humanitare që ka prodhuar mijëra viktima, përfshirë civilë dhe fëmijë. Dhe përballë kësaj, komuniteti hebre në Shqipëri zgjodhi heshtjen totale. Madje më keq se kaq, rabini kryesor i vendit, Yoel Kaplan, u përfshi personalisht në gje.nocid , në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si pjesë e “gje.nocidit të I.zraelit në Gaza” . Dhe kjo e bën më të rëndë "krizën morale" në deklaratat e komunitetit hebre në Shqipëri.

 

Nëse argumenti është se Shqipëria duhet të mbrojë një “kapital moral” të trashëguar nga periudha e Holokaustit atëherë kjo trashëgimi nuk mund të funksionojë si një mekanizëm selektiv. Sepse morali historik nuk është pronë e një komuniteti të vetëm, por një detyrim universal për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, pavarësisht identitetit.

 

A mund të flitet për “vija të kuqe” kur këto vija zhduken përballë vuajtjeve të një populli tjetër? Shkrimi ngre shqetësimin për ndikimin e figurave publike dhe fuqinë e tyre për të formësuar narrativa. Por kjo logjikë duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë. Sepse në një botë të ndërlidhur, narrativat që justifikojnë ose minimizojnë dhunën dhe vrasjet kolektive kanë pasoja shumë më të mëdha sesa një koncert apo një deklaratë individuale.

 

Argumenti për ndarjen e artistit nga arti kritikohet si “iluzion”. Por a nuk është edhe ndarja e moralit nga konteksti një iluzion po aq i rrezikshëm? Një komunitet i caktuar që e ka vuajtur vet dhunën dhe shkatërrimin, që reagon fort ndaj fjalëve, por qëndron e heshtur përballë akteve mizore ndaj një populli tjetër, rrezikon të humbasë busullën e saj etike. Sepse historia nuk gjykon vetëm atë që thuhet, por edhe atë që lihet pa u thënë.

 

Shqipëria vërtet ka një histori të rrallë gjatë Holokausti, një histori që e vendos në anën e duhur të njerëzimit. Por pikërisht kjo histori kërkon një standard më të lartë, jo një aplikim selektiv të parimeve. Nuk mjafton ti kujtosh shqiptarëve të kaluarën pa e jetuar atë (parimet morale të sa) në vendimet e së tashmes.

 

Në fund, ajo që mundet të thuhet për rastin konkret është se nëse një ndërgjegje që zgjedh kur të flasë dhe kur të heshtë, nuk është më ndërgjegje, është kalkulim.

 

Dhe një shoqëri që e ndërton moralin mbi kalkulim, rrezikon që një ditë të mos ketë më asnjë lidhje me moralin dhe as me ndërgjegjen .

XS
SM
MD
LG