Lidhje


Me rrogë 15 mijë € muaji si punonjëse e kryegylenistit Klod Allajbeu, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala i fal shefit oligark 25 MLN €

Pavarësisht faktit që SPAK vijon hetimet për aferën e njohur të hemodializës, qeveria shqiptare duket se po përgatit një tjetër manovër financiare që favorizon Spitalin Amerikan.

 

Sipas burimeve për mediat, me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe firmat e Ministres së Shëndetësisë Evis Sala dhe Ministrit të Financave Petrit Malaj, pritet që kontrata e koncesionit të zgjatet me pesë vite të tjera, një vendim që i garanton këtij spitali edhe 25 milionë euro të tjera përfitim.

 

Koncesioni i hemodializës, me vlerë 120 milionë euro, iu dha Spitalit Amerikan në pronësi të Klodian Allajbeut dhe përfundon më 10 shkurt 2026.

 

Ligjërisht, pas kësaj date, shërbimi duhet t’i rikthehej spitaleve publike të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Por, sipas burimeve të brendshme, Rama ka dhënë urdhër që Spitali Amerikan të vazhdojë të ofrojë shërbimin edhe pas skadencës, duke anashkaluar detyrimet ligjore.

 

Ministrja Evis Sala raportohet se ka përgatitur një urdhër të brendshëm që i jep zgjatje kontratës deri në vitin 2031. Kostoja shtesë llogaritet rreth 25 milionë euro, të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit, pesë milionë euro çdo vit. Me këtë vendim, koncesioni i hemodializës zgjatet faktikisht në 15 vite, duke arritur një vlerë totale prej 150 milionë eurosh me TVSH.

 

Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë se Sala i ka dërguar zyrtarisht Petrit Malajt kërkesën për krijimin e fondit shtesë prej 25 milionë eurosh për Spitalin Amerikan. Thuhet se pagesat do të kryhen me urdhër verbal nga Rama, ndërsa dokumentacioni do të firmoset nga dy ministrat përkatës. Kjo është e njëjta procedurë që, sipas burimeve, kanë ndjekur më parë edhe ish-ministrat Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu për marrëveshje të ngjashme, të realizuara pa vendim qeverie dhe vetëm me urdhra ministrorë.

 

Fituesi i vërtetë mbetet sërish Klodian Allajbeu, i cili vijon të mbajë monopolin e shërbimit të dializës në pesë qytete të rëndësishme të vendit. Lidhjet mes tij dhe qeverisë janë të njohura publikisht: Evis Sala, aktualisht ministre e Shëndetësisë, është gjithashtu rektore e “Western Balkans University”, një institucion privat në pronësi të Spitalit Amerikan, ku sipas burimeve përfiton një pagë mujore prej 15 mijë eurosh.

 

Edi Rama dhe Klodian Allajbeu janë bashkautorët e projektit të koncesionit të hemodializës, të miratuar që në vitin 2015. Kujtojmë se më 18 qershor 2024, SPAK regjistroi çështjen penale për këtë aferë, ndërsa më 24 shkurt 2025, BKH mori në pyetje vetë pronarin e Spitalit Amerikan.

 

Megjithatë, pavarësisht hetimeve që janë ende në zhvillim, qeveria duket e vendosur të derdhë miliona euro të tjera në këtë kontratë të diskutueshme, në kundërshtim me çdo standard ligjor dhe financiar./joq

XS
SM
MD
LG