Informacione të vyeshme për një Ramazan të suksesshëm/Trajtimet mjekësore që prishin agjërimin
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të 10-të në Xhedah të Mbretërisë së Arabisë Saudite, më 23–28 Ṣafar 1418h (28 Qershor – 3 Korrik 1997), pasi shqyrtoi punimet kërkimore të dorëzuara pranë Akademisë në lidhje me trajtimet mjekësore që prishin agjërimin, dhe rekomandimet e Simpoziumit të 9-të të Fikhut Mjekësor të organizuar nga Organizata Islame e Shkencave Mjekësore, në bashkëpunim me Akademinë dhe institucione të tjera, të mbajtur në Kazablanka, Mbretëria e Marokut, më 9 – 12 Ṣafar 1418h (14–17 Qershor 1997), pasi dëgjoi diskutimet mbi këtë temë me pjesëmarrjen e dijetarëve të fikhut dhe specialistëve të mjekësisë, duke marrë parasysh provat juridike nga Kurani dhe Suneti si dhe mendimet e dijetarëve të fikhut, vendosi si më poshtë:
Së pari: Substancat e mëposhtme nuk e prishin agjërimin
1. Pikat në sy ose në vesh, larja e veshëve, pikat ose spërkatja në hundë, për sa kohë që substanca që arrin në fyt nuk gëlltitet.
2. Tableta që vendosen nën gjuhë për të trajtuar anginën (therjen) në gjoks ose ndonjë sëmundje tjetër, me kusht që të mos gëlltitet ajo që arrin në fyt.
3. Çdo gjë që futet në vulvë, qoftë supost, shpëlarës, ureteroskop apo mjet për ekzaminim mjekësor.
4. Futja e ureteroskopit në mitër, pajisja intrauterine (spirale) ose ndonjë pajisje tjetër të ngjashme.
5. Çdo gjë që hyn në traktin urinar të mashkullit dhe femrës: sondë, ureteroskop, substanca radiopake, ilaç ose lëng për pastrimin e zorrëve.
6. Mbushja e dhëmbëve ose heqja e dhëmballëve, pastrimi i tyre me misvak ose furçë dhëmbësh, me kusht që të mos gëlltitet ajo që arrin në fyt.
7. Larja e gojës, gargara, spërkatës për kurimin parcial të gojës, me kusht që të mos gëlltitet ajo që arrin në fyt.
8. Injeksionet në lëkurë, injeksionet intramuskulare ose intravenoze, duke përjashtuar çdo injektim me lëngje ushqyese (serumet).
9. Gazi i oksigjenit.
10. Anestezia me avull, me kusht që pacientit të mos i injektohen lëngje ushqyese.
11. Çdo gjë që depërton në trup përmes lëkurës, si kremrat, pomadat ose manikotat e lëkurës, që përmbajnë substanca kurative ose kimike.
12. Futja e sondës për koronografi apo kurimin e venave të zemrës apo organeve të tjera.
13. Futja e laparoskopit përmes murit të barkut për ekzaminimin e zorrëve apo operacionin e tyre.
14. Biopsia e mëlçisë ose organeve të tjera, me kusht që të mos shoqërohet me marrje solucionesh.
15. Fibroskopia ose gastroskopia, me kusht që të mos shoqërohet me marrje lëngjesh ose substanca të tjera.
16. Futja e çfarëdo instrumenti ose substance kurative në tru ose në palcën kurrizore.
17. E vjella e pavullnetshme, përveç të vjellave të qëllimshme (të provokuara).
Së dyti: Mjeku musliman duhet t’i rekomandojë pacientit, që ta shtyjë trajtimet e sipërpërmendura, deri pas iftarit, nëse një shtyrje e tillë nuk është e dëmshme për shëndetin e tij.
Së treti: Shtyhet marrja e vendimit për rastet e mëposhtme, për shkak të nevojës për studim më të thelluar…
Rezoluta nr. 219 (3/23)
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të 23-të në Medinën e Ndritshme, më 19-23 Safar 1440h (28 Tetor – 1 Nëntor 2018), në plotësim të vendimeve për trajtimet mjekësore që e prishin agjërimin me nr. 93 (1/10) morri në shqyrtim në këtë sesion çështjet e caktuara si vijon:
Inhalatori (pompa) i astmës.
Gjakderdhja dhe kupat.
Marrja e gjakut për analiza laboratorike, dhurimi i gjakut ose pranimi i gjakut.
Hemodializa dhe dializa peritoneale.
Pajisjet që depërtojnë në anus, si klizma, supostët apo endoskopët.
Operacionet me anestezi të përgjithshme.
Këshilli pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura pranë Akademisë rreth temës dhe pasi dëgjoi diskutimet e zgjeruara që u zhvilluan rreth saj vendosi si më poshtë:
Prishës të agjërimit janë veprimet e qëllimshme të ngrënies, pirjes, marrëdhënieve seksuale -dhe të ngjashme me to- dhe e vjella.
Pjesa e brendshme e trupit që e prish agjërimin për shkak të asaj që hyn në të është: ajo që kalon fytin deri tek aparati tretës, dhe arrin në stomak, qoftë kjo lëndë ushqyese ose joushqyese, përmes metodës së zakonshme ose të pazakontë.
Çfarë nuk e prish agjërimin:
Pompa e astmës nuk ndikon në vlefshmërinë e agjërimit, sepse ajo synon sistemin e frymëmarrjes, dhe sasia e ilaçit të saj që arrin në stomak është shumë e vogël, e falshme, e paqëllimshme dhe është më e pakët se ajo që arrin në stomak nga mbetjet e shpëlarjes së gojës (gjatë abdesit) dhe nga pastrimi (i dhëmbëve) me misvak.
Marrja e gjakut për analiza laboratorike ose për dhurim.
Çdo gjë që hyn përmes anusit, si injeksion, supost, endoskop dhe pomadë, përveç injeksioneve me lëndë ushqyese.
Manikotë për largimin e ndjenjës së urisë.
Liposuctioni (largimi i dhjamërave) përveç rasteve kur kjo shoqërohet me injektim të lëngjeve ushqyese.
Endoskopi ose kontrolli mjekësor me gishta.
Gjakderdhja/flebotomi dhe kupat (hixhame).
Humbja e vetëdijes për shkak të anestezisë së përgjithshme për një pjesë të ditës, edhe nëse humbja e vetëdijes vazhdon deri në fund të ditës, me kusht që anestezia të jetë kryer gjatë agjërimit dhe të mos jetë shoqëruar me marrje lëngjesh.
Çfarë e prish agjërimin:
Çfarëdo që hyn në sistemin tretës, kalon gojën dhe faringun dhe ajo që shkrin ose tret ushqimin, pra ajo që mbërrin në ezofag dhe në zorrë.
Çfarëdo që e ushqen trupin e agjëruesit, nëpërmjet çdo depërtimi natyror, siç janë injeksionet me lëndë ushqyese, sepse kjo ngjan me ushqimin dhe bie ndesh me qëllimin e agjërimit.
Respiratori me avull i mushkërisë për trajtimin e astmës, e prish agjërimin, sepse sasia që arrin në stomak prej tij është shumë më e madhe se sasia e falshme.
Transfuzioni i gjakut, sepse ai përmban një sasi të madhe uji.
Hemodializa, dhe dializa peritoneale, sepse transmetojnë një sasi të madhe uji, kripërash dhe sheqeri.
Kapsulat inhalatore të astmës, që përmbajnë pluhur të thatë, sepse një pjesë e tij është substancë që arrin në stomak.
Rekomandimet:
1. Mjeku luan një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e domosdoshmërisë ose nevojës për kryerjen e ndërhyrjeve terapeutike ose diagnostike, të cilat mund ta prishin agjërimin. Nëse një procedurë e tillë nuk është e domosdoshme dhe mund të shtyhet në kohën e ushqimit, atëherë mjeku duhet t’ia tregojë këtë pacientit të tij.
2. Duhet punuar në ngritjen e ndërgjegjësimit të pacientëve për çdo gjë që ka të bëjë me kryerjen e adhurimit prej tyre në mënyrë korrekte dhe të pranuar sheriatikisht. Pacienti gjithashtu, duhet të konsultohet me njerëz të besueshëm të dijes, për të sqaruar paqartësitë e çështjeve të agjërimit.
3. Të informohet pacienti që ka insuficiencë renale, nga i cili nuk pritet shërim, që të mos agjërojë, në mënyrë që të ruaj jetën e tij, sepse ai është i justifikuar, dhe këtë ai duhet ta kompensojë përmes ushqimit (fidjes) të një nevojtari për çdo ditë të pa agjëruar.
Allahu e di më së miri.
Burimi: Kararat ue Teusijat Mexhma el-Fikh el-Islami ed-Deuli, botimi i katërt viti 1442h- 2020 e.s./Nga faqja zyrtare e Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë