Komunikimi përmes ëndrrave: A vërteton ky zbulim shkencor botën përtej materiale?
Thursday, 17 October 2024 09:08
Një zbulim i madh shkencor ka befasuar botën e neuroshkencës, ku një kompani start-up në Kaliforni, REMspace, ka deklaruar se kanë provuar se ëndrrat e ndërgjegjshme (lucid dreams) mund të hapin rrugën për një formë të re komunikimi. Në një eksperiment të fundit, REMspace – një kompani neuroteknologjike që fokusohet në përmirësimin e gjumit dhe nxitjen e ëndrrave të ndërgjegjshme, arriti të fusë dy pjesëmarrës në një gjendje ëndrre të ndërgjegjshme, ku ata shkëmbyen një mesazh me njëri-tjetrin. Kjo është hera e parë që komunikimi përmes ëndrrave është vërtetuar në mënyrë shkencore.
Por çfarë janë ëndrrat e ndërgjegjshme në të vërtetë? Sipas REMspace, praktikuesit janë të vetëdijshëm që po ëndërrojnë, ndërsa ndodhen ende brenda ëndrrës.
Eksperimenti u realizua me pajisje të zhvilluara enkas për të gjurmuar valët e trurit dhe të dhënat polysomnografike të pjesëmarrësve. Gjatë eksperimentit, një server gjeneroi një fjalë të rastësishme në një gjuhë të re, Remmyo (gjuha e parë elektromiografike), e cila u dërgua në veshët e pjesëmarrësve përmes kufjeve gjatë ëndrrave të tyre. Pjesëmarrësi i parë mori dhe përsëriti fjalën gjatë ëndrrës. Tetë minuta më vonë, pjesëmarrësi i dytë ra në një gjendje të ndërgjegjshme dhe mori të njëjtin mesazh, të cilin e konfirmoi kur u zgjua.
Për më tepër, të dy pjesëmarrësit ndodheshin në shtëpi të ndryshme, duke dëshmuar kështu fuqinë e kësaj teknologjie të re të komunikimit përmes ëndrrave.
Michael Raduga, themeluesi dhe CEO i REMspace, e quajti këtë një zbulim që do të ndryshojë mënyrën se si ne e shohim komunikimin. “Deri dje komunikimi në ëndrra dukej si fantashkencë. Nesër do të jetë aq i zakonshëm sa nuk do të mund të imagjinojmë jetën pa këtë teknologji,” tha ai.
REMspace synon të mundësojë komunikimin në kohë reale përmes ëndrrave të ndërgjegjshme deri në vitin 2025. Ky zbulim hap një derë të re për aplikacione të panumërta komerciale, duke na sjellë më afër një të ardhmeje ku komunikimi përmes ëndrrave mund të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë./JOQ