Kur feja dhe shkenca pajtohen: Shtatë shekuj më parë dijetari musliman, Ibn Kajim el Xheuzijeh, i hodhi poshtë teoritë e Tokës së sheshtë
Saturday, 02 May 2026 10:20
Nga hoxhë Florian Leli
Një prej dijetarëve myslimanë të hershëm që foli dhe mbrojti qartë sfericitetin e Tokës ishte edhe imam Ibn Kajim el Xheuzijeh. Në librin me titull “Miftah daris seadeh” që në shqip do të thotë “Çelësi i Botës së Lumturisë” ai trajtoi çështje të rëndësishme në lidhje me astronominë, astrologjinë dhe qasjen fetare dhe islame ndaj tyre. Në pjesën e dytë të librit, Ibn Kajim foli gjatë për lidhjen e astronomisë së hershme me botëkuptimet fetare pagane dhe bestytnitë e kota. Në trajtesën e tij të gjatë ai bëri një ndarje të qartë mes asaj që është astronomi shkencore e pranuar dhe asaj që është një astrologji pseudoshkencore dhe e mbuluar me bestytni dhe përfytyrime fetare dhe filozofike të rreme.
Lexuesit do t’i paraqesim vetëm disa çështje të trajtuara nga Ibn Kajimi në këtë libër dhe kush dëshiron një zgjerim të mëtejshëm mund t’i rikthehet librit në fjalë. Një nga temat që Ibn Kajimi trajton në këtë libër është eklipsi. Për eklipsin e Diellit ai thotë: “Shkaku i eklipsit të Diellit është pozicionimi i Hënës mes trupit të Diellit dhe vështrimeve tona. Hëna, tek ata, është një trup i ngurtë dhe i errët. Orbita e saj është nën orbitën e Diellit dhe atëherë kur Hëna ndodhet në një vijë me një nga dy nyjet hënore, atë ngjitëse (ar. er ra’s) dhe atë zbritëse (ar. edh dheneb), ose afër tyre, dhe bëhet bashkë me Diellin, Hëna e pengon dritën e Diellit, ashtu siç e pengon reja diellin derisa të kalojë në anën tjetër. Nëse Hëna e ka këndin zero atëherë ajo e pengon tërësisht shikimin e Diellit prej nesh (eklipsi i plotë i Diellit) e nëse ajo ka kënd atëherë e eklipson Diellin në varësi të këndit që ka (eklipsi i pjesshëm) ...”
Thotë “Nëse thuhet: Përmasat e Hënës janë shumë më të vogla se të Diellit. Si atëherë Hëna e eklipson të gjithë Diellin? I thuhet: Hëna e mbulon trupin e Diellit sepse ajo është pranë nesh ndërsa Dielli larg nesh. Në dy gjëra me madhësi të ndryshme, nëse trupi i vogël është më afër të madhit atëherë madhësia e e të madhit duket më qartë sesa madhësia e tij atëherë kur trupi i vogël është larg tij. Sa më shumë të largohet trupi i vogël nga i madhi dhe t’i afrohet vrojtuesit, aq më shumë zvogëlohet madhësia e të madhit (në krahasim me të voglin) derisa të arrijë në atë pikë sa nuk dallohet se cili është më i madh (barazohen në shikim). Përvoja empirike dëshon për këtë”. Vëll. 2, f. 272-273.
Shënim: Shejhulislam Ibn Tejmije në “Xhamiul Mesail” vëll. 3, f. 191 përmend që Dielli është 160 herë më i madh se Toka, ndërsa Hëna është 40 herë më e vogël se Toka. Pra Dielli është 6400 herë më i madh se Hëna. Kjo sipas përllogaritjeve të kohës së tyre. Përllogaritja e përmasave të Hënës në krahasim me Tokën është shumë e afërt me përllogaritjet e sotme, ndërsa Dielli në përllogaritjet e sotme është shumë herë më i madh. Sidoqoftë në parim ka qenë e njohur që Dielli është shumë herë më i madh se Toka dhe shumë e shumë herë më i madh se Hëna.
Më tej, për eklipsin e Hënës thotë: “Ndërsa shkaku i elipsit të Hënës është pozicionimi i Tokës mes Hënës dhe Diellit duke e penguar kështu Hënën nga përfitimi i dritës së Diellit. Errësira e hijes së Tokës e mbulon atë, sepse Hëna nuk zotëron asnjë dritë, por dritën e saj e përfiton prej Diellit”.
Thotë: “Duke qenë se Toka është një trup i ngurtë dhe dielli lind në njërën anë të saj, atëherë në anën e kundërt të Tokës bie hija e saj, sepse hija e çdo trupi bie në anën e kundërt me burimin e dritës. Atëherë kur dielli lind nga ana lindore, hija e Tokës bie nga ana perëndimore. E kur dielli ndodhet në anën perëndimore, hija e saj anon për nga lindja.
Toka është shumë herë më e vogël se trupi i Diellit dhe hija e saj përhapet në hapësirë në formë konike baza e të cilës është e lakuar me lakimin e Tokës dhe sa më shumë largohet, lakimi i bazës konike zvogëlohet derisa të zhduket.
Duke qenë se diametri i Diellit është më i madh se diametri i Tokës atëherë rrezet e dritës që kalojnë nga Dielli në drejtim të Tokës nuk janë paralele por prerëse dhe duke qenë se lëvizin si drejtëz e drejtë në drejtim të Tokës, atëherë ato e prekin Tokën nga të gjithë anët e saj dhe detyrimisht duhet të takohen në një pikë dhe kështu, hija e Tokës merr formën e një koni, baza e të cilit detyrimisht është në Tokë dhe kulmi i tij aty ku bashkohen pikat.
Sikur diametri i Tokës të ishte i barabartë me atë të Diellit atëherë rrezet e dritës do të ishin paralele dhe hija do të ruante trashësinë e saj deri në fund të hapësirës. Gjithashtu, sikur diametri i Diellit të ishte më i vogël se diametri i Tokës atëherë drejtëzat e dritës do të dilnin prej Diellit prerëse (jo paralele) dhe do të vinin duke u zgjeruar në diametrin e Tokës dhe kështu që hija do të vinte duke u zgjeruar në përpjestim të drejtë me largësinë e saj nga Toka deri në fund të hapësirës. Në këtë rast i bie që Hëna të jetë e mbuluar sa herë që është në krahun e kundërt ndërkohë që realiteti dëshmon për të kundërtën”. Po aty, faqe 273-274.
Më tej Ibn Kajimi flet gjatë për çështje më të ndërlikuara gjeometrike dhe astronomike duke sqaruar çështje për të cilat akoma sot e kësaj dite hidhen dyshime nga disa të paditur.
Shpjegimi i eklipsit, sidomos i atij hënor, në formën e paraqitur nga Ibn Kajimi, bazohet në Tokën sferike, siç është e ditur dhe kuptohet qartë edhe nga lexuesi. Ai është i bazuar në modelin gjeocentrik të kohës, por në të vërtetë, eklipsi si parim është i njëjtë edhe në modelin heliocentrik të kohës sonë dhe dallimet janë thjesht përmirësuese dhe plotësuese.
Vëre se si Ibn Kajimi e pohon që Toka është e lakuar dhe se ajo mund të gjendet mes Diellit dhe Hënës, gjë që është plotësisht e paparanueshme në modelin e Tokës së sheshtë të servirur sot nga disa fantazistë që pretendojnë se Dielli me Hënën sillen rrotull veteve të tyre sipër Tokës!! Shiko se si Ibn Kajimi nuk e shikon aspak në kundërshtim me fenë islame të pohojë faktin që Dielli është shumë e shumë herë më i madh se Toka, rreth 160 herë sipas përllogaritjve të kohës së tyre, gjë që është e pamundur në modelin e sheshtë të Tokës.
Mbase dikush mund të supozojë se ai thjesht po paraqet mendimet e astronomëve por nuk po i mbron ato. Në fakt, ai po i mbron ato dhe po jep shpjegimet e tij në mënyrë pohuese dhe konteksti i fjalëve të tij të gjata nuk lë asnjë mëdyshje. Ai jo vetëm i mbron këto ide, por u kundërvihet me ashpërsi disa myslimanëve që janë përpjekur t’i mohojnë ato, siç do ta mësosh këtë në vazhdim.
Në vazhdim të fjalës së tij Ibn Kajimi thotë: “Atë me të cilën janë dërguar të dërguarit e Zotit e kanë pasur të paqartë dy grupe dhe prandaj kanë humbur në këtë pikë dy grupe dhe u ka shpëtuar kurtheve të tyre ata për të cilët Allahu ka shkruajtur që të jenë të udhëzuar ...”. Po aty, f. 277.
Më pas përmend grupin e parë që janë ata astronomë dhe pasues të tyre që duke njohur astronominë shkuan deri aty sa mohuan Zotin, njëshmërinë e tij, dërgimin e profetëve dhe ringjalljen pas vdekjes. Ata janë astronomët paganë dhe disa filozofë të periudhës islame që u përngjasuan atyre.
Ndërsa grupi i dytë që kishte paqartësi për këto çështje ishte nga vetë myslimanët, ose më saktë nga disa prej tyre, të cilët iu kundërvunë të parëve duke refuzuar me të të vërteta e me të pavërteta.
Për këtë grup të dytë Ibn Kajimi thotë: “Grupi i dytë (i myslimanëve) menduan që duhet të refuzohet çdo gjë që ata (astronomët) kanë thënë, me të vërteta e me të pavërteta. Ata kujtuan se nga detyrueshmëria e besimit të profetëve është refuzimi i njohurive të cilat ata (astronomët) i kanë njohur me logjikën e pamohueshme, premisat e të cilave i kanë bazuar në njohjen empirike (shqisore).
Këta (myslimanë) iu kundërvunë atyre dhe dijes të tyre duke u bazuar për refuzimin e saj në premisa dialektike (debatuese) të cilat nuk janë asgjë përpara së vërtetës.
A sikur ata të mos e kishin vepruar këtë krim të madh! Sa mirë do të ishte sikur ata të mos ia mveshnin këto mendime profetëve. Përkundrazi, këta (myslimanë) pretenduan se profetët kanë thirrur në atë që ata supozojnë dhe kështu u bënë shkak që këndvështrimi i mulhidëve (ateistëve, paganëve, filozofëve) ndaj profetëve të ishte negativ dhe rrjedhimisht ata kujtuan se janë më të ditur dhe më të informuar se profetët.
Ata (filozofë) që patën ndonjë mendim pozitiv për profetët thanë: Nuk është se nuk i kanë ditur këto njohuri, por u kanë folur njerëve sipas asaj që kuptonte logjika e tyre, me stilin e masave, ndërsa të vërtetat ua kanë mbajtur të fshehura.
Shkaku që i shtyu të mendojnë kështu ishte pikërisht mohimi i së vërtetës prej këtij (këtij grupi myslimanësh dhe fetarësh) dhe kokëfortësia e tyre në çështje për të cilat është e palejueshme kokëfortësia sepse janë çështje të njohura detyrimisht.
Shembull për këtë mund të sjellim kokëfortësinë që ata kanë shfaqur në lidhje me rrumbullaktësinë e formës së orbitave, sfericitetin e Tokës, faktin që drita e Hënës është e përfituar nga drita e Diellit, faktin që eklipsi i Hënës ndodh për shkak të pengimit të dritës prej pozicionimit të Tokës mes Hënës dhe Diellit, sepse Hëna e përfiton dritën e saj nga Dielli dhe atëherë kur Hëna bie në hijen e Tokës i ndërpritet drita e Diellit, siç e sqaruam më parë.
Shembull i kokëfortësisë së tyre është edhe mohimi shpjegimeve të astronomëve për eklipsin diellor që shkaktohet nga pozicionimi i Hënës mes vrojtuesit dhe Diellit, atëherë kur ato qëllojnë bashkë në dy nyjet hënore në të njëjtën minutë (1/60 e gradës) dhe mohimi i fjalëve të astronomëve për vërtetësinë e ndikimit të shkaqeve të njohura empirikisht dhe rezultateve të tyre, si dhe për aftësitë, vetitë, veprimet dhe ndikueshmërin e tyre (planeteve), për të cilat kanë dëshmuar argumentet logjike dhe dëshmitë e padiskutushme.
Këta (myslimanë) iu kundërvihen atyre duke u përpjekur t’i hedhin poshtë këto njohuri, të nxitur edhe nga kufri dhe mohimi i tyre i Zotit dhe udhëzimet që ata u kanë lënë pasuesve të tyre për t’u qëndruar besnikë parimeve të tyre.
Përderisa këta (myslimanë) u thonë astronomëve: Kjo që ju pretendoni është në kundërshtim me sheriatin dhe përfundimi i tij është femohim dhe përgënjeshtrimi i profetëve, atëherë atyre nuk është se u futet ndonjë dyshim në lidhje me dijet e tyre, por u futen dyshime në vërtetësinë e sheriatit dhe në zemrat e tyre bie shumë vlera e profetëve.
Dëmi që këta (myslimanë) i shkaktojnë fesë dhe asaj me të cilën janë dërguar profetët është nga dëmet më të mëdha. Ky dëm është i ngjashëm me dëmin që ateistët i shkaktojnë fesë.
Këtu po flasim për dy lloje dëmesh; dëmi i atyre që e cënojnë fenë dhe dëmi i atyre që e përkrahin fenë por pa ia ditur mënyrën, prandaj thuhet: Armiku i logjikëm shkakton më pak dëm sesa miku i paditur, sepse miku të bën dëm andej nga duhej të të bënte dobi. Prandaj duhet që të logjikshmin ta bësh në anën tënde si mik dhe të mos i japësh mundësi që të bëhet armiku yt duke e joshur atë me rrëzimin e fesë”. Çelësi i Lumturisë së Dy Botëve, vëll. 2, f. 278-279.
Shiko, Allahu na udhëzoftë të gjithëve, se si Ibn Kajimi këtë grup myslimanësh dhe fetarësh që përpiqet të mohojë njohuritë e sakta dhe të padiskutueshme të përfituara nga shkenca e astronomisë e konsideron si një grup të dëmshëm që me kokëfortësinë e tij i ka sjellur dëme të konsiderueshme fesë duke i larguar njerëzit prej saj.
Këto fjalë Ibn Kajimi i ka thënë rreth shtatë shekuj më parë, atëherë kur astronomia ishte akoma e pazhvilluar mirë në lidhje me mjetet matëse dhe vëzhguese dhe vëzhgimi i qiellit bëhej kryesisht me sy të lirë. Këtë fakt Ibn Kajimi e cek vetë po në këtë libër. Çfarë do të thoshte Ibn Kajimi për këtë grup që sot jo vetëm vazhdojnë të mohojnë jo vetëm këto çështje të cilat janë kthyer në një domosdoshmëri logjike dhe shkencore, por listës së tyre i kanë shtuar edhe shumë çështje të tjera.
A nuk janë ky grup njerëzish, në këndvështrimin e Ibn Kajimit, pengesë që shumë njerëz sot ta pranojnë islamin?! Sa herë që shumë njerëz dëshirojnë të njihen me islamin, del ky grup dhe u thotë që ju duhet të besoni këto modele primitive Tokës me gjysëmsfera xhami, me dy poçe mbi të, përndryshe ju keni kundërshtuar atë për të cilën kanë thirrur të dërguarit e Zotit. Shumë njerëz, të vënë para thirrjeve të tilla, e duke e pasur të pamundur të mohojnë ato njohuri të domosdoshme dhe të padiskutueshme të logjikës dhe të shkencës, e përfytyrojnë islamin si një fe të kotë, në kundërshtim me realitetin dhe larg së vërtetës. Kështu, ky grup myslimanësh, me naivitetin dhe paditurinë e tyre bëhen pengesë për pranimin e islamit prej njerëzve dhe dëmi që shkaktojnë është shumë i madh. Ky është kuptimi i fjalëve të Ibn Kajimit.
Në fakt, unë personalisht, në marrëdhënien time me këtë grup, jam shumë herë më i butë se sa Ibn Kajimi.
Shiko gjithashtu se si Ibn Kajimi përmend si shkak nxitës që ky grup i myslimanëve flasin kështu edhe faktin që shumë studiues të astronomisë nuk janë myslimanë, madje në shumë raste janë paganë ose filozofë. Paganët dhe filozofët në kohën e tyre, ateistët dhe NASA në kohën tonë. Sipas Ibn Kajimit ky nuk mund të jetë një shkak i mjaftueshëm për të mohuar të drejtën dhe të vërtetën që ata pohojnë, atë të vërtetë që kanë përfituar nga përvoja dhe studimet e tyre. Kokëfortësia në këtë rast çon në rrugë të gabuar. Fakti që ai që e zbulon një të vërtetë shkencore ose arrin të njohë atë që të tjerët nuk e kanë njohur është një pabesimtar, pagan apo filozof qoftë, nuk duhet të na pengojë për të pranuar atë të vërtetë, sepse në të vërtetat shkencore dhe logjike njerëzit janë të barabartë. Ashtu siç mund ta zbulojë një të vërtetë shkencore një mysliman, po ashtu mund ta zbulojë edhe një pabesimtar. Fjalët e Ibn Kajimit në këtë pikë janë shumë të qarta.
Pra Ibn Kajimi nuk ndalet në pikën që këto që ai përmendi si shembuj janë të vërteta të padiskutueshme, por ai e ve theksin te gabimi metodologjik që këta njerëz kanë në lidhje me këto çështje dhe se kjo metodologji e gabuar e tyre i ka shtyrë ata në gabime dhe dëme të mëdha ndaj fesë.
Prej këtyre çështjeve që Ibn Kajimi përmendi si shembuj, sepse janë shumë më tepër:
1- Sfericiteti i Tokës.
2- Rrumbullaktësia e orbitave.
3- Hëna është trup i errët dhe dritën e përfiton prej Diellit.
4- Eklipsi i Hënës ndodh nga pozicionimi i Tokës mes Diellit dhe Hënës në një formë dhe kënd të caktuar.
5- Eklipsi i Diellit ndodh nga pozicionimi i Hënës mes Tokës dhe Diellit.
6- Planetet, sidomos Hëna dhe Dielli, kanë ndikim në tokë dhe për këtë përmendi shumë raste në faqet e këtij libri, duke pohuar shkaqet e prekshme reale dhe duke mohuar bestytynitë e pavërteta.
7- Dielli është shumë herë më i madh se Toka dhe Toka është shumë herë më e madhe se Hëna.
Të gjitha këto fakte i kanë mohuar dhe vazhdojnë t’i mohojnë edhe shumë përkrahës bashkëkohorë të Tokës së sheshtë, të cilët është shumë vështirë t’i bësh bashkë në një teori të vetme, sepse fantazia e secilit prej tyre ndryshon nga fantazitë e të tjerëve. E vetmja gjë në të cilën ata pajtohen janë vetëm mosparaqitja e përllogaritjeve të sakta dhe të detajuara të skicave kompjuterike dhe projektimeve ilustruese që ata bëjnë. Askush prej tyre nuk jep një teori të plotë të përllogaritur nga të gjitha aspektet, sepse është e pamundur ta bëjnë një gjë të tillë, pasi që janë në kundërshtim me realitetin, çdo shifër që japin përgjithësisht këtu, u rezulton në dhjetë gabime të tjera gjetkë.
Si përfundim, Ibn Kajimi cek aty në libër edhe ndërhyrjen që disa myslimanë bëjnë herë pas herë duke thënë: “Fole gjatë për eklipsin dhe shkaqet e tij dhe solle vetëm ato gjëra për vërtetësinë dhe pavërtetësinë e të cilave nuk ka dëshmuar sheriati”. Po aty, f. 279.
Ibn Kajimi iu përgjigjet këtyre njerëzve duke u thënë: “Sheriati ka ardhur për gjëra më të rëndësishme se këto dhe me dobi më të madhe. Sheriati solli në lidhje me ndodhjen e dy eklipseve udhëzime që lidhen me shkaqet që çojnë në dobinë e umetit në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa shkaqet fizike të eklipsit, përllogaritjet e tij dhe vëzhgimet që kryhen në këtë rast, janë prej dijes mosnjohja e së cilës nuk prish punë dhe njohja e tyre nuk arrin gradën e dobisë së njohjes së asaj me të cilën janë dërguar të dërguarit ...”. f. 279-280.
Pra sheriati, nuk është zbritur që t’u tregojë njerëzve se si funksion lëvzija e trupave në qiell dhe as t’u mësojë atyre çështje të kimisë, fizikës ose astronomisë. Sheriati ka zbritur për të tjera çështje dhe të dërguarit janë dërguar për atë që është më e madhe se kjo. Në një farë mënyre, kjo është përgjigja e Ibn Kajimit edhe për ata që thonë: A ke ajet për këtë e a ke ajet për atë? Kush nga sahabët ka thënë kështu e kush nga të parët ka menduar ashtu? Sidoqoftë këtë çështje do ta trajtojmë në një shkrim të veçantë, padyshim të mbështetur edhe nga fjalët e dijetarëve.