Mungesa e fuqisë punëtore, eksperti: Të punësohen pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian
Në një periudhë kur tregu i punës në Shqipëri po lëngon për fuqi punëtore duke shtrirë duart edhe nga vendet e treta, ekspertët sugjerojnë mbushjen e këtij hendeku me pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.
Lënia pas dore e këtyre pakicave në vend duke mos u parë si një potencial për tregun e punës, vërehet edhe në dokumentin e strategjisë së mbrojtjes sociale 2024-2030. Në të cilin pranohet papunësia e lartë për këto kategori.
“Më shumë sesa një paragraf një lloj përcaktimi sesi do ndodh integrimi i romëve egjiptianë nga situatë me ndihmë ekonomike në tregun e punës do të thotë që nuk ka një gjë serioze për ta”, shprehet Gentjan Serjani, ekspert për politikat e drejtësisë sociale. Për komunitetin rom dhe egjiptian në Shqipëri, pjesëmarrja në tregun e punës mbetet shumë më e ulët (54%), ndërsa përfshirja e grave është mjaft më e ulët (29%). Niveli i lartë i mosarsimimit por dhe diskriminimit social sipas ekspertëve i pengon këto pakica të punësohen, por trajnimet do të ishin ura lidhëse sipas tyre.
“Për aq kohë sa ne e kemi të lartë numrin e të rinjve që i përkasin minoriteteve por kemi dhe problemet e tjera atëherë na duhet një politikë e mirë tranzitore që këta të rinj nga paarsimimi dhe papunësia të integrohen në tregun e punës”, thotë eksperti.
Të dhënat më të fundit që përkojnë vitit 2021, tregojnë se 45.3% e punëkërkuesve romë të papunë dhe 13.9% e punëkërkuesve egjiptianë të papunë ishin pa arsim fillor dhe shumica përfitues të ndihmës ekonomike./Nga TPZ.al