Opozita dhe aleatët i bëjnë presion qeverisë Modi/Peticion në gjykatën e lartë të Indisë për të ndaluar eksportet e armëve drejt Izraelit
Një peticion është paraqitur në gjykatën më të lartë indiane, duke kërkuar një udhëzim për qeverinë federale për të ndaluar licencat për firmat indiane që eksportojnë armë në Izrael, transmeton Anadolu. Çështja Gjyqësore e Interesit Publik, e ngritur nga një grup qytetarësh, thotë: “India është e detyruar nga ligje dhe traktate të ndryshme ndërkombëtare që e obligojnë të mos furnizojë armë ushtarake për shtetet fajtore për krime lufte, pasi çdo eksport mund të përdoret në shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, raportoi Press Trust of India.
Qeveria e Indisë Narendra Modi po përballet me kritika jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe nga aleatët e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Izraelit, i cili është akuzuar ndërkombëtarisht për kryerjen e gjenocidit.
Disa liderë politikë kanë nënshkruar një deklaratë duke dënuar atë që ata e përshkruajnë si "gjenocid të urryer ndaj popullit palestinez nga Izraeli" dhe po i kërkojnë qeverisë së tyre të punojë për "paqe dhe drejtësi".
Partia Janata Dal (E bashkuar) – një nga aleatët kryesorë të Modit, mbështetja e të cilës është thelbësore për mbijetesën politike të qeverisë së tij – së fundi iu bashkua opozitës në thirrjen për ndalimin e furnizimeve me armë për ushtrinë izraelite, e cila ka vrarë më shumë se 40,000 njerëz në enklavën e rrethuar palestineze.
JD (U) është një aleate e Partisë Bharatiya Janata (BJP) në pushtet dhe pjesë e qeverisë së Aleancës Demokratike Kombëtare (NDA).
Ky zhvillim pasoi një vizitë të fundit nga një grup aktivistësh nga Lidhja e Parlamentarëve për Al-Kuds, një organizatë e pavarur që koordinon përpjekjet parlamentare globale në mbështetje të çlirimit palestinez.
Më herët, një grup qytetarësh në Indi i kishin shkruar ministrit të Mbrojtjes së vendit, duke i kërkuar që të ndalonte procesin e licencimit që u mundëson eksportuesve të dërgojnë armë dhe municione në Izrael.
Izraeli, duke shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Sulmet kanë rezultuar në më shumë se 40.800 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 94.300 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Bllokada e vazhdueshme ndaj Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet izraelite kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuzat për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./AA