SPAK kërkon pushimin e çështjes për Pjerin Ndreun, i akuzuar për shpërdorim detyre
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar pushimin e çështjes penale ndaj Pjerin Ndreut, i cili po hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas procedurës, gjyqtarja Etleva Deda, e cila është caktuar me short elektronik për këtë çështje, do të vendosë datën e seancës gjyqësore. Ajo do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për pushimin ose vazhdimin e procesit penal.
Pjerin Ndreu u kallëzua nga Partia Demokratike në Lezhë në vitin 2023, lidhur me tenderin për ndërtimin e trotuarit në rrugën Lezhë-Shëngjin, në lagjen Xhenjo. Sipas denoncimit të PD-së, tenderi u dha gjatë periudhës së fushatës zgjedhore dhe në mënyrë të paligjshme, pasi aksi rrugor ishte në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), dhe jo të Bashkisë Lezhë.
Ndreu u thirr për të dhënë dëshmi në SPAK në korrik të vitit 2024, ku deklaroi publikisht se kishte dhënë shpjegime si person nën hetim. Përveç tij, në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë, të cilët kanë qenë të përfshirë në tenderin për ndërtimin e rrugës.
Vendimi përfundimtar për pushimin ose vijimin e çështjes do të merret pas shqyrtimit nga gjykata./JOQ