Lidhje


Si e rrënjosi Britania pandëshkueshmërinë sioniste në Palestinë

Arkitektura koloniale e Britanisë përmes Deklaratës së Balfurit një shekull më parë, vazhdon të përcaktojë dominimin e dhunshëm të Izraelit mbi palestinezët.

 

Nga Ghada Karmi “New Arab”

 

A rrezikojmë të shohim copëtimin përfundimtar të Palestinës dhe fundin e luftës palestineze për liri? Është një mundësi reale, dhe nëse ndodh, do të ishte kulmi i një udhëtimi të gjatë dhe mizor kolonial që iu imponua palestinezëve që nga koha e Deklaratës së Balfurit në vitin 1917 deri më sot.

 

Ky vendim i dëmshëm dhe i pamenduar për të krijuar një “shtëpi kombëtare për popullin hebre” në Palestinë, çoi në mënyrë të pashmangshme në luftën aktuale gjenocidale në Gaza dhe në shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut nga Izraeli kundër palestinezëve, të cilat vazhdojnë ende që nga themelimi i Izraelit.

 

Krimi i madh i Balfurit në vitin 1917, nuk ishte vetëm dorëzimi i kontrollit të Palestinës (të cilën Britania nuk e zotëronte) kolonistëve të huaj, por vendosja e saj nën sundimin e një grupi sionistësh hebrej evropianë me një ndjenjë të madhe pakënaqësie për përndjekjen e tyre historike.

 

Armiqësia e thellë që ata kishin kundër një bote, e cila e kishte lejuar këtë të ndodhte, ushqente bindjen e tyre se bota u detyrohej atyre një dëmshpërblim për vuajtjet e tyre, ndaj oferta e Britanisë për një “shtëpi kombëtare” në Palestinë, ishte diçka që u takonte atyre.

 

Ajo u dha atyre një ndjenjë se e kishin të drejtën për vendin, gjë që ngjalli një bindje arrogante se Palestina u përkiste ekskluzivisht atyre. Ide të tilla, të cilat nuk janë vënë asnjëherë në dyshim ose hedhur poshtë nga mbështetësit perëndimorë të Izraelit, përkundrazi janë pranuar si të vlefshme, kanë çuar në shkatërrime sistematike të Palestinës dhe popullit të saj.

 

Ri-kolonizimi

 

Sot, Gaza është kthyer në rrënoja, të cilat ekspertët e OKB-së vlerësojnë se do të duhen dekada dhe miliarda dollarë për t’u riparuar. Populli i saj, tashmë i reduktuar nga sulmet vdekjeprurëse të Izraelit, mund të mos i mbijetojë një kombinimi vdekjeprurës të urisë, sëmundjeve, një dimri të ashpër, dhunës së pamëshirshme izraelite dhe spastrimit etnik.

 

Në Bregun Perëndimor, sulmet e pamëshirshme të kolonëve, të mbështetura nga ushtria izraelite, kanë çuar në vdekjen e mbi 1000 palestinezëve që nga viti 2023 dhe kanë shkaktuar zhvendosje masive, shkatërrim të fshatrave palestineze dhe evakuim të kampeve të refugjatëve.

 

Jerusalemi Lindor është përfshirë vazhdimisht nga Izraeli në territorin e tij, dhe palestinezët brenda kufijve të Izraelit të vitit 1948 janë të përndjekur dhe frikësuar. Si të mos mjaftonte kjo, një imponim i ri në stil kolonial ndaj Palestinës sapo i është paraqitur OKB-së.

 

I ashtuquajturi “plan i paqes” prej 20 pikash i Donald Trump, në formën e Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u miratua unanimisht më 17 nëntor. Kjo e bën Trumpin kryetar të të ashtuquajturit Bord të Paqes, detyra e të cilit është të mbikëqyrë misionin e “një force ndërkombëtare stabilizimi” për Gazën, një administratë të përkohshme teknokratike palestineze dhe një force policore lokale - të gjitha këto nënkuptojnë ri-kolonizimin e Gazës nga forcat e jashtme.

 

Nëse armët do të kishin heshtur si rezultat i rezolutës së OKB-së, nisma e Trump mund të kishte fituar njëfarë mbështetjeje vetëm mbi këto baza. Por vrasja e përditshme e palestinezëve nga Izraeli nuk është pakësuar për asnjë ditë që nga armëpushimi i shpallur më 13 tetor.

 

Dhe është thjesht qesharake ideja, që financuesi dhe lehtësuesi kryesor i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, i cili mund ta kishte përfunduar atë shumë kohë më parë me një kërcitje gishtash, tani duhet të paraqitet si ‘Shpëtimtari i Gazës’.

 

Një histori e gjatë e bashkëfajësisë së britanikëve

 

E vërteta është se që në fillim të këtij konflikti, zyrtarët e qeverisë britanike ishin shumë të vetëdijshëm për ndjenjat sioniste, dhe e dinin saktësisht se kë po linin që të hynte në Palestinë. Në vitin 1920, vetëm 3 vjet pas Deklaratës së Balfurit, një debat në Dhomën e Lordëve mbi sigurinë e arabëve të Palestinës përballë sionizmit, zbuloi një shkallë të jashtëzakonshme të dhënash rreth projektit sionist.

 

Lordët raportuan mbi kërkesat e një “Komisioni Sionist” të vetëshpallur me seli në Jerusalem, nën mbrojtjen ushtarake britanike, për të pasur një zë në të gjitha vendimet e politikës britanike. Po ashtu, sionistët donin lëshime për punët publike në një mënyrë “arrogante dhe jashtëzakonisht jopolitike”.

 

Disa lordë mendonin se problemet në Palestinë vinin për shkak të veprimeve dhe sjelljes së sionistëve, shumë prej të cilëve ishin “ekstremistë” dhe silleshin sikur të ishin pronarë të Palestinës. Hebrenjtë që kishin ardhur në Palestinë si emigrantë nga Rusia, Polonia dhe Rumania, kishin “krijuar një trashëgimi të lashtë, me të cilin nuk kanë asnjë lidhje”.

 

Lordët këmbëngulën që Britania të mos ua lehtësonte rrugën këtyre hebrenjve për të pushtuar “Tokën e Premtuar”, dhe as ta shndërronte atë në një vendgrumbullim për të gjithë “banditët sionistë të Evropës”. Asgjë nuk duhej bërë kundër dëshirave të popullsisë palestineze për të “përkëdhelur pritjet e njerëzve të shpërndarë në të gjithë botën”.

 

Komisioni Palin, i ngritur në të njëjtin vit i bëri jehonë fuqimisht këtyre pikëpamjeve. Ai i akuzoi sionistët për “padurim, mungesë maturie dhe përpjekje për ta detyruar Administratën Britanike që të ndërhynte” dhe t’u jepte atyre një shtet hebre.

 

Shumë administratorë britanikë në Palestinë, dhanë dorëheqjen ose u shkarkuan nga puna, vetëm sepse vunë në dyshim sjelljen e sionistëve në këtë kohë. Ankesat e tyre drejtuar autoriteteve në Londër u injoruan. Jo shumë kohë më pas, në vitin 1929, Komisioneri i Lartë i Palestinës, Xhon Shanselor, parashikoi “ekstremet e arrogancës” së hebrenjve, nëse ata do të bëheshin ndonjëherë shumicë në Palestinë.

 

Megjithatë, asnjë nga këto nuk e devijoi qeverinë në Londër nga vazhdimi i mbështetjes së projektit sionist deri në themelimin e Izraelit në vitin 1948. Në vitet e fundit të sundimit britanik mbi Palestinën, sionistët ishin edhe më të paepur dhe sfidues në marrëdhëniet e tyre me autoritetet, duke kryer akte terrorizmi kundër britanikëve.

 

Megjithatë, falë mbështetjes britanike, sionistët arritën të krijonin shtetin e tyre hebre, megjithëse kjo nuk ua pakësoi kurrë oreksin për të fituar më shumë, apo pikëpamjen e tyre për veten si një popull i veçantë, i cili, për shkak të historisë së tij, nuk mund të gjykohej si të tjerët.

 

Kjo pandëshkueshmëri e vetë-përcaktuar, e ushqyer nga mbështetësit perëndimorë të Izraelit, ka karakterizuar që atëherë veprimet e autoriteteve izraelite. Gjenocidi në Gaza, egërsia, sadizmi dhe shthurja e tij, nuk është vetëm produkt i qeverisë së “krahut të djathtë” të Izraelit.

 

Ai mbështetet edhe nga shumica e publikut hebre izraelit, që ka qëndrime të ngjashme ndaj të drejtave të palestinezëve.

 

Dhe është historia e gjatë e “veçantisë” së pretenduar hebraike, ajo që na ka sjellë në këtë pikë. Përgjegjësia e vërtetë për fatin tragjik të Palestinës, u takon pikërisht patronëve perëndimorë të një projekti sionist, të cilin e dinin se do t’i impononin një shoqërie arabe të vendosur, kohezive dhe paqësore, të pafajshme nga çdo krim i kryer kundër hebrejve, një popull me pretendime absurde dhe me një shpërfillje arrogante për të tjerët.

 

Siç pritej, sionistët e shkatërruan atë shoqëri dhe e zëvendësuan atë me një entitet agresiv, ekspansionist dhe të dhunshëm që ka sjellë rrezik dhe paqëndrueshmëri në të gjithë Lindjen e Mesme dhe botën përtej. Ishte një gabim i përmasave historike, për të cilin ata nuk mund të falen kurrë.

 

Shënim: Ghada Karmi, ish-studiuese në Institutin e Studimeve Arabe dhe Islame, Universiteti i Exeterit, Angli. Ajo lindi në Jerusalem dhe u detyrua të largohej nga shtëpia me familjen e saj si rezultat i krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Familja u zhvendos në Angli, ku ajo u rrit dhe u arsimua. Karmi ushtroi profesionin e mjekes për shumë vite, duke punuar si specialiste në shëndetin e emigrantëve dhe refugjatëve. Gjatë viteve 1999-2001, Karmi ishte bashkëpunëtore e Institutit Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare, ku drejtoi një projekt të madh mbi pajtimin Izrael-Palestinë.

XS
SM
MD
LG