‘S’jam unë në foto’. Beleri: Zëri që justifikon masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Deklaratat e fundit të Fredi Belerit nuk janë thjesht opinione të një figure të kontestuar. Ato janë një akt i qartë dhune ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj vetë shtetit shqiptar. Në intervistën e tij, Beleri jo vetëm që mohon çdo lidhje me Masakrën e Peshkëpisë një incident ku dy ushtarakë shqiptarë u vranë nga një komando greke por e bën këtë me një cinizëm që ofendon çdo njeri me kujtesë minimale historike. “Nuk jam unë në foto, atëherë isha më i dobët” – një deklaratë që do të ishte qesharake po të mos ishte tragjike. Dhe më tej: “Në atë kohë isha në Qipro, studioja hidraulik.” Alibi që duken të hartuara si prej një manuali amatoresk për shmangie përgjegjësie.
Por pjesa më e rëndë e gjithë retorikës së tij është ajo që lidhet me çështjen çame. I pyetur për fate tragjike të civilëve të dëbuar, për dëshmitë rrëqethëse të masakrave mbi gra e fëmijë, për figurën e Nuredin Dinos dhe eksodin biblik të vitit 1944, Beleri nuk tundi as qerpik. Përkundrazi, me ton të prerë, ai lëshoi një nga frazat më tronditëse të një politikani shqiptar në publik: “Kanë bashkëpunuar me okupatorët nazistë. Kush ka bashkëpunuar, është e padiskutueshme.” Teksa për masakrën e Peshkëpisë tha: ‘S’jam unë në foto’ duke mohuar në mënyrë amatorseke përfshirjen e tij në ngjarjen e Peshkëpisë. Kuptohet po të mos kishte "bekimin" Athinës tashmë do të ishte dënuar me kohë për këtë ngjarrje të errët të historisë shqiptare.
Me ato që thotë, Beleri jo vetëm i shpall fajtorë kolektivisht mijëra shqiptarë të Çamërisë, por justifikon dëbimin e tyre, shfajëson masakrat dhe e vendos veten në krahun e linjës më të errët të nacionalizmit grek. Ai shkon më tej, duke bërë krahasime absurde me dëbimin e gjermanëve nga Polonia apo Çekosllovakia, sikur popullsitë e pambrojtura të Çamërisë të ishin një ushtri pushtuese e Wehrmacht-it.
Kur gazetari i përmendi dëshmitë e grave e fëmijëve të masakruar, ai u mbrojt duke thënë se “ka 2000 vendime gjykatash greke për krime lufte”, sikur drejtësia e një shteti që nuk njeh çamët as si komunitet ekzistues të ishte arbitër universal i së vërtetës. Dhe për pronat? “Brenda BE-së do zgjidhet. Nëse gjykatat greke i diskriminojnë, le të shkojnë në Strasburg.” Pra, e gjithë përgjegjësia zhvendoset tek viktimat, ndërsa shteti që i dëboi rezulton i pastër si bora e janarit.
Në këtë pikë, bëhet e qartë se Beleri nuk flet si përfaqësues i Himarës, as si deputet shqiptar. Ai flet si amplifikator i një narrative të Athinës, e cila prej dekadash synon ta relativizojë tragjedinë çame dhe ta projektojë Himarën si territor pa identitet shqiptar. Në këtë kuptim, dalja e tij publike nuk është rastësi: ajo është pjesë e një misioni ideologjik, ku historia riciklohet sipas interesit dhe viktimat shpallen fajtorë për fatin e tyre.
Në një vend që respekton veten, askush nuk do të toleronte që nga brenda institucioneve të veta të flitet me gjuhën e justifikimit të masakrave dhe spastrimeve etnike. Shqipëria nuk mund të lejojë që dhimbja e saj të ridizenjohet sipas ngjyrave të huaja dhe që krimet e kryera kundër shqiptarëve të zhbëhen me fjali të tipit “kanë bashkëpunuar me nazistët”. Ky është deformim i së vërtetës historike, shkelje e dinjitetit kombëtar dhe provë e qartë se sa dëm mund të sjellë një politikan që operon si instrument i një agjende të importuar.
Sepse kur një figurë e errët e historisë shqiptare justifikon dëbimin e grave dhe fëmijëve në emër të politikës së një shteti tjetër, nuk kemi më të bëjmë me debat por me kapërcimin e vijës së kuqe të dinjitetit kombëtar.