Lidhje


SKANDAL në Portonovo, persona të maskuar tërheqin zvarrë banorët gjatë protestës në Zvërnec

 

Banorët e Zvërnecit dhe Pishë Poros, gazetarë, aktivistë të Lëvizjes Bashkë dhe aktivistë të shoqërisë civile nga Trana dhe Vlora kanë dalë sërish në protestë në Portonovë, duke kërkuar rikthimin e tokave dhe ndalimin e punimeve në zonë. Me pankarta në duar 'Prona jonë, e drejta jonë!', banorët protestues pretendojnë se toka është e trashëguar dhe se prej vitesh ndodhen në procese gjyqësore për pronësinë. Protesta është shoqëruar edhe me përplasje mes banorëve dhe efektivëve të cilët janë vendosur para gardhit rrethues.

 

 

Situata është përshkallëzuar, ku persona të maskuar dhe pa uniformë kanë tërhequr zvarrë qytetarët, ndërsa qindra policë ndodheshin përreth. Lidhur me sitauatën ende nuk ka një njoftim zyrtar që sqaron plotësisht rrethanat apo identitetin e personave të përfshirë.

 

Punimet paraprake dhe rrethimi i territorit kanë shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe aktivistët mjedisorë. Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike. Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.

 

 

Lidhur me zhvillimet e fundit në zonë, një reagim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Albanian Digital Solution Sh.A. Rama sqaroi se shteti nuk ka falur asgjë, pasi ajo tokë nuk i përket shtetit, por ka qenë historikisht pronë private. Kreu i qeverisë theksoi se investitorët që po hyjnë në këtë biznes janë seriozë dhe marrëveshjet i kanë bërë drejtpërdrejt me pronarët privatë.

 

Në terren situata vijon të jetën e tensionuar me ndërtimet që vijojnë dhe protestat para tyre, deri në një sqarim të situatës nga institucionet përkatëse.

XS
SM
MD
LG