Lidhje


Të rindërtohet shtëpia e Pavarsisë në Vlorë !

Nga: Floriar Arapi

 

Ne të gjithë botën zakonisht arritjet e lavdishme historike janë të lidhura me disa ndërtesa, kala, kështjella, objekte kulti etj, në të cilat këto lavdi dëshmohen dhe me të cilat kombet krenohen dhe brezat pasardhës prekin me duart e tyre arritjet e kombeve te tyre.

Fatkeqësisht si shumë gjëra që ne shqiptarët kemi shkatërruar, është edhe emblema e themelimit të shtetit shqiptar, shtëpia në të cilën u ngrit flamuri i mëvetësisë në Vlorë, ose ndryshe sarajet e Vlorajve.

 

Kompleksi i sarajeve të Vlorajve ishte një kompleks madhështor i përbërë prej dy godinave kryesore të mëdha, njëra me gjeresi 83 metra me tre kate të cilat quheshin Sarajet e Haremeve (privatësisë, vendi i grave dhe familjes) dhe godina tjetër me gjeresi 70 metra e cila quhej Selamllëku, vendi i burrave dhe pritjes se miqve. Kompleksi ishte i rrethuar me një mur 8 metra të lartë dhe siperfaqja e brendshme e tij ishte 40 mijë metra katror. Pra praktikisht kishte tiparet e një keshtjelle duke dëshmuar vlerat aristokratike të familjes se Vlorajve, dhe nëpërmjet kësaj familje njëkohësisht edhe vlerat aristokratike të shqiptarëve.

 

Pse u prishën ? Është e cuditshme se si në një periudhe kaq të afërt historike (më pak se 100 vjet), shqiptarët nuk kanë një përgjigje zyrtare se pse u prishen sarajet me të rëndësishme të kombit shqiptar, vendi ku u shpall pavarsia. Sipas disa të dhënave sarajet e Vlorajve iu shiten Bashkisë së Vlorës në vitin 1919. Më pas çuditërisht ato u prishën në vitet 1925-1926 dhe për prishjen e tyre jepen tre versione: 1. U prishën nga Bashkia e Vlores dhe kryetari i saj Qazim Kokoshi, për shkak të urrejtjes personale 2. U prishën nga tërmeti dhe nuk u restauruan, dhe më pas u prishën komplet 3. U prishën nga vetë Vlorajt (Eqerem Beu) sepse ato herë banoheshin dhe herë jo, dhe nuk restauroheshin.

 

Megjithë versionet e ndryshme një gjë është e sigurt, qeveritë shqiptare për 90 e disa vjet nuk u kujdesën kurrë për këto saraje kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar. Ato u shkatërruan dhe duket se egziston një tentative edhe për zhdukjen e tyre për të mos lënë asnjë gjurmë memorie.

“Armiqësia” apo “tradhëtia” ndaj këtyre sarajeve fillon që aty se publikut shqiptar nuk i është bërë e qartë se në cilin vend është ngritur flamuri dhe shumë njerëz kanë njohurinë e gabuar se flamuri është ngritur në godinën që më pas u vendos qeveria në Skelë, duke u bazuar tek fotoja që u bë në njëvjetorin e pavarsisë. Në këtë mënyrë këto saraje praktikisht, janë fshirë nga memoria historike e populli shqiptar.

 

Më pas, një fakt tjetër që tregon mospërkujdesjen e shtetit shqiptar ndaj këtyre sarajeve, është ai se nuk është kryer asnjë hetim i plotë për tu vertetuar arsyeja pse këto saraje janë prishur.

 

Për të mos folur më tej, për rindërtimin e këtyre sarajeve aty ku kanë qenë dhe ashtu siç kanë qenë. Në të gjithë botën e civilizuar ka pasur tërmete apo luftëra ku janë rrënuar objektet e rëndësishme historike, kulturore apo fetare, mirëpo me të mbaruar lufta ato janë rindërtuar apo rikontruktuar menjëherë. Në rastin e sarajeve ku u shpall themelimi i shtetit shqiptar, askush nuk është kujtuar të përmendi rindërtimin e tyre.

 

Nëse vendi ku u shpall pavarsia do te ishte një ndertesë jo dinjitoze në aspektin material mbase mund te konsiderohej si arsye për prishjen e tyre, por godina në fjalë jo vetëm qe ka qenë dinjitoze, por madheshtore duke e krahasuar me parametrat bashkëkohor. Pra arsyeja nuk është kjo.

 

Po cila mund te jete arsyeja e mosperkujdesjes, mos rindërtimit dhe gati e fshehjes së kësaj godine ?

 

Nëse nuk do te ishte budallallëku, arsyeja e vetme e shkatërrimit dhe e fshehjes së saj do te ishte tradhëtia. Të shkatërrosh një nga objektet kryesore identitare të shtetit tënd, nuk ka si të jetë ndryshe. Megjithëse budallallëku, injoranca, hajdutëria dhe babëzia i ka karakterizuar rregullisht qeveritë apo elitat tona, një fjalë popullore thotë: hajduti është armiku më i madh i një kombi (vendi) sepse ai për para tradhëton vendin e tij dhe bëhet me armikun. Nuk mund të flitet pa fakte që prishja e këtyre sarajeve mund të jetë mirefillti një kospiracion apo tradhëti e qëllimshme kombëtare, por një gjë është e sigurt, që kjo prishje u ka interesuar në mënyrë fantastike interesave të armiqve të shqiptarëve, pra atyre që thonë se shqiptaret nuk kanë pasur civilizim dhe aristokraci.

 

Sa dinjitoz ka qenë ky kompleks ? Me parametrat e dhëna të këtyre godinave, 83 metra Sarajet e Haremit me 3 kate dhe 70 metra Sarajet e Selamllëkut me dy kate, po bëjmë një krahasim me Independence Hall në Pensilvani, vendi ku shpall pavarsia e Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

 

Mbase për dikë krahasimi tingëllon i pavend, mirëpo ndërtesa ku u shpall pavarsia e SHBA, sipas hulumtimeve të mia rezultoi te ishte një ndërtesë rreth 63 metra e gjerë. Pra ndërtesa ku u shpall pavarsia e Shqipërisë është me madhe se ndërtesa ku u shpall pavarsia e SHBA. Ndërkohë që amerikanët e kanë ruajtur si sytë e ballit dhe më pas e kanë rindërtuar duke i shtuar edhe një kullë sahati mbi të, budallenjtë apo maskarenjtë shqiptarë e kanë prishur dhe nuk janë kujtuar kurrë ta rindërtojnë.

 

Sarajet e pavarsisë si destinacion turistik. Duke qëndruar përsëri tek Independece Hall në Amerikë, ky objekt është pothuajse rregullisht çdo vit vendi më i vizituar në ShBA. A nuk mund të ishin sarajet e pavarsisë, vendi më i vizituar në Shqipëri ?! A nuk do ishin fitimprurëse edhe për ekonominë e Vlorës dhe të Shqipërisë ?!

 

Sarajet e Vlorajve nuk janë vetëm vendi i shpalljes së pavarsise, por ato janë njëkohësisht krenari për nivelin aristokratik që kishin arritur bejlerët vendas duke përfaqsuar popullin shqiptar. Ato janë krenari për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë.

 

Budallallëkut, babëzisë dhe maskarallëkut duhet ti thuhet ndal. Trashëgimënia kulturore historike duhet ruajtur dhe duhet rindërtuar. Ndërtimet e reja duhet të ndalohen urgjentisht nga qendrat historike të qyteteve. Rindërtimi i sarajeve të pavarsise është një detyrë dhe domosdoshmëri për çdo shqiptar që e do vendin e tij.

XS
SM
MD
LG