TRONDIT DOSJA BALLUKU/ SPAK kërkon sërish arrestimin, por kërkesa mbahet e fshehtë?
Sipas burimeve të Mexhlis nga Kuvendi i Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme dyshohet se ka dorëzuar rreth 15 ditë më parë një kërkesë të dytë, ende të pa bërë publike, për heqjen e mandatit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kërkesa, sipas këtyre burimeve, lidhet me akuza të reja që kanë të bëjnë me sekuestrimin e vilës në Dhërmi, e dyshuar si pasuri e fshehur në pronësi të saj.
Ky zhvillim i pretenduar vjen rreth gjashtë muaj pas kërkesës së parë të SPAK-ut, e cila u rrëzua më 12 mars në seancë plenare me 82 vota të mazhorancës. Sipas të njëjtave burime, çështja ka prodhuar tensione edhe brenda administratës së Kuvendit, deri në pretendime për presion ndaj personit që ka protokolluar kërkesën. Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për një kërkesë të tillë, as në faqen e Prokurorisë së Posaçme dhe as në atë të Gjykatës së Posaçme.
Një tjetër version i ngjarjes u artikulua publikisht një ditë më parë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai i bëri thirrje SPAK-ut të mos veprojë me standarde të dyfishta, duke deklaruar se sekuestrimi i vilës në Dhërmi rëndon pozitën penale të Ballukut dhe se Prokuroria e Posaçme duhet t’i drejtohet menjëherë Kuvendit për heqjen e mandatit dhe arrestimin e saj.
Në interpretimin e Bardhit, pra, drejtësia ende nuk ka depozituar një kërkesë të dytë për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Por fakti që ai e ngriti publikisht këtë çështje pa një zhvillim të ri të bërë të ditur zyrtarisht, shton edhe më shumë pikëpyetjet mbi nivelin e transparencës rreth dosjes Balluku.
Në këtë histori, heshtja e mundshme e mazhorancës apo e kryeministrit Edi Rama mund të lexohet politikisht. Ajo që mbetet e pashpjeguar është heshtja e SPAK-ut.
Pyetja kryesore është e thjeshtë: a ekziston realisht një kërkesë e dytë e Prokurorisë së Posaçme, e dërguar në Kuvend rreth 15 ditë më parë? Nëse po, përse nuk është bërë publike? Cili do të ishte justifikimi institucional për mungesën e transparencës në një çështje me peshë kaq të lartë publike dhe politike? Dhe a po krijon heshtja e SPAK-ut hapësirë që mazhoranca të fitojë kohë deri në nisjen e sesionit të ardhshëm parlamentar, pas pushimeve?
Ashtu si në rastin e parë, SPAK-u dhe drejtuesi i tij, Klodian Braho, kanë detyrimin publik të sqarojnë nëse ekziston apo jo një kërkesë e dytë drejtuar Kuvendit për arrestimin e Belinda Ballukut. Në një çështje të kësaj rëndësie, transparenca nuk është zgjedhje politike, por detyrim institucional.