“Narko-shteti i Edi Ramës po kërcënon Europën, BE ka mbyllur sytë”
Një hetim i medias ndërkombëtare Follow the Money, në bashkëpunim me BLAST, ngre akuza të rënda se krimi i organizuar shqiptar është thellësisht i infiltruar në shtetin shqiptar dhe ka lulëzuar gjatë dekadës së fundit. Në qendër të raportimit është dëshmia e ish-inspektorit të policisë Dritan Zagani, i cili nga azili në Zvicër e përshkruan Shqipërinë si një “narko-shtet”, ku figura të larta politike dhe institucionale dyshohet se kanë mbrojtur ose lehtësuar aktivitetet kriminale.
Sipas hetimit, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, rrjetet kriminale shqiptare janë forcuar dhe zgjeruar ndjeshëm në Europë, veçanërisht në Itali, Belgjikë, Britani dhe Spanjë, duke dominuar tregjet e kanabisit dhe kokainës.
Raportet e Europol-it dhe dëshmitë e prokurorëve italianë e rendisin mafian shqiptare mes pesë grupeve kriminale më të rrezikshme në kontinent, me kontroll mbi porte kyçe si Antverpeni dhe Roterdami.
Hetimi përmend raste konkrete ku ish-zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshirë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-ministrin Taulant Balla, janë përfshirë ose përmendur në hetime ndërkombëtare për lidhje me trafikantë droge. Ndërkohë, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e krijuar për të luftuar krimin e organizuar, kritikohet se nuk është realisht e pavarur dhe se përdoret për të goditur rivalë politikë.
Pavarësisht këtyre akuzave, Bashkimi Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, çka ngre pikëpyetje për standardet e Brukselit. Ish-zyrtarë dhe ekspertë të cituar nga Follow the Money shprehen të habitur pse Europa vazhdon të mbështesë Tiranën, ndërkohë që korrupsioni dhe ndikimi i krimit të organizuar mbeten të përhapura. “Europa po mbyll sytë ndaj realitetit në Shqipëri,” përfundon ish-ministri Arben Ahmetaj./joq
*Ky material është ripublikuar nga burime të hapura dhe shërben vetëm për informim. Qëndrimet e shprehura nuk janë domosdoshmërisht të redaksisë.