Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut merr shtetësinë shqiptare - Shndërrimi i Shqipërisë në bazë për sionizmin
Lajmi i ditës që ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, ka marrë shtetësinë shqiptare mund të duket në pamje të parë si një episod ceremonial, një gjest simbolik në shenjë falënderimi për mbështetjen e dhënë shqiptarëve në qytetin më të madh të Amerikës. Mund të duket edhe si mënyra tashmë e zakonshme sesi kryeministri Edi Rama i ndërton marrëdhëniet personale të politkës së jashme të Shqipërisë.
Por kur ky zhvillim vendoset në kontekstin e lëvizjeve të fundit strategjike të qeverisë – në kushtet e luftës në Lindjen e Mesme – ai merr një tjetër peshë, dhe shndërrohet në element që ushqen një narrativë shumë më të ndërlikuar dhe problematike.
Përveç vizitës në Shqipëri pak kohë para se mandati i tij të përfundonte, Adams-i u shfaq ndër të tjera edhe në Izrael, duke bërë deklarata të dyshimta sa i takon interesit publik të detyrës si kryebashkiak i Nju Jorkut. Gjatë kalimit në Jerusalemin Lindor të pushtuar, ai iu drejtua komunitetit hebre me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Ju kam shërbyer si kryebashkiak”. Sigurisht, kjo mund të lexohet si mesazh i një zyrtari në largim që falenderon hebrenjtë e Nju Jorkut – por e artikuluar nga një territor i pushtuar, tregon edhe mbështetje të hapur për pushtimin.
Pavarësisht raporteve të mira me Izraelin gjatë tranzicionit tonë politik, vitet e fundit qeveria e Edi Ramës nuk është kufizuar në marrëdhënie standarde diplomatike me Tel Avivin, por ka ndërtuar raport të drejtpërdrejtë, të artikuluar dhe pa shumë filtra. Vizita e tij në Izrael më 26 janar, takimi me Benjamin Netanyahun, fjalimi në Knesset dhe mesazhet që ai dha aty nuk janë kuptuar thjesht si shprehje miqësie por si pozicionim i qartë pro. Nga ana tjetër shumica dërrmuese e vendeve të botës po zgjedhin të ruajnë një ekuilibër të kujdesshëm mes interesave të tyre dhe ndjeshmërisë së fortë publike që lidhet me atë çfarë regjimi sionist ka bërë në Lindjen e Mesme.
Izraeli sot ndodhet në një situatë të komplikuar ndërkombëtare. I izoluar diplomatikisht nga pjesa më e madhe e vendeve perëndimore, i përfshirë në konflikte të hapura në disa fronte, nga Gaza te Libani e Siria, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, qeveria e Netanyahut po përballet me presion dhe kritika të forta si dhe një përpjekje të vazhdueshme për delegjitimim në arenën ndërkombëtare. Në këtë klimë, çdo aleat që i rreh shpatullat publikisht dhe pa ekuivok – siç Edi Rama po bën – merr vlerë shumë më të madhe sesa thjesht një partner i zakonshëm diplomatik.
Rama po e shndërron Shqipërinë në bazë të sionizmit
Shqipëria nuk po ndjek modelin tradicional evropian të balancës, por po zgjedh të artikulohet pa hezitim pro sionizmit të qeverisë së Netanyahut. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për ta shpallur Iranin si sponsor të terrorizmit – një hap që përveç SHBA-ve dhe Izraelit, asnjë vend tjetër në Evropë nuk e ka ndërmarrë – është ndoshta shembulli më i fortë i këtij orientimi, duke e vendosur Tiranën në linjë të hapur me interesat e Tel Avivit në rajon.
Zhvillimet e tjera në terrenin shqiptar e bëjnë situatën edhe më problematike. Investimet e huaja në sektorin imobiliar janë rritur ndjeshëm dhe mes tyre, është gjithnjë e më shpesh prania e kapitalit izraelit, duke ndryshuar jo vetëm dinamikat ekonomike, por edhe perceptimin për drejtimin që po merr vendi. Në qytete bregdetare dhe zona strategjike, këto investime nuk lexohen vetëm si zhvillim ekonomik, por edhe si shenja të një pranie të dukshme të Tel Avivit.
Ron Yeffet është ndoshta së fundmi emri më i përmendur i shtetasve izraelitë që investojnë në sektorë të sigurisë dhe strategjikë të Shqipërisë. Kompania “Timak Defence” ku ai zotëron shumicën e kapitalit – kompani që prodhon pajisje dhe automjete ushtarake – është e lidhur me kompaninë shtetërore “Kayo”, pasi kjo e fundit zotëron 20% të kapitalit të të parës. Për më tepër, roli i Yeffet duket se shkon përtej investimit, në ndikim të drejtpërdrejt në qeverinë Rama – një eksponent i opozitës e akuzoi atë për emërimin e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë. Nga Yeffet, apo nga qeveria shqiptare, nuk ka ardhur asnjë përgënjeshtrim apo reagim për këtë deklaratë.
Dimensioni teknologjik e evidenton edhe më shumë problemin. Shqipëria ka investuar në dixhitalizim, nga e-Albania te sistemet e sigurisë kibernetike, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare përfshirë ato izraelite. Në 2023, Shqipëria nënshkroi me Izraelin një “Memorandum Mirëkuptimi” për të shkëmbyer informacion dhe marrë ekspertizë e trajnime në fushën e sigurisë kibernetike. Në vitin 2025, qeveria e Shqipërisë njoftoi se kompania izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies” do të ndërtojnë qendrën e parë të të dhënave të Shqipërisë, më të madhen në rajon. Pra të dhënat e integruara të shtetasve shqiptarë do të jenë të aksesueshme edhe nga kompani të lidhura me qeverinë e Izraelit. Më herët, prej nisjes së sulmeve kibernetike të iranianëve të “Homeland justice” në vitin 2022, Shqipëria e ka përfocuar sigurinë e vetë në këtë sektor në bashkëpunim edhe me kompani izraelite – aty ku “patrullojnë” izraelitët përfshihet pa dyshim edhe e-Albania që disponon të dhënat e shqiptarëve.
Ndërkaq, edhe retorika e Edi Ramës ka luajtur rolin e saj. Deklaratat e tij forta si ajo e 2025-ës nga Berlini “...ejani në Shqipëri. Ne mezi presim të kemi sa më shumë hebrenj të jetë e mundur në Shqipëri”, apo ajo e bërë gjatë një interviste për Jerusalem Post “Është e rëndësishme që brezat e rinj izraelitë të vijnë në Shqipëri”, apo edhe një tjetër deklaratë e mëhershme se “më shumë turistë nga Izraeli dhe bota hebreje duhet të vijnë në Shqipëri”, kanë krijuar një atmosferë ku kufiri mes partneritetit strategjik dhe varësisë bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Dhe pikërisht këtu, marrja e shtetësisë shqiptare nga ana e Eric Adams-it merr një kuptim tjetër. Nuk është më vetëm historia e një politikani, mik i Edi Ramës, që merr një pasaportë të dytë, por një episod që lidhet me lobimin dhe shtrirjen në vendin tonë të interesave të Izraelit sionist dhe kolonialist ku politika, ekonomia dhe siguria ndërthuren në një mënyrë që e bën të vështirë ndarjen mes tyre. Ku mbaron Eric Adams, ish-kryebashkiak i Nju Jorkut dhe mik e mbështetës i shqiptarëve dhe ku fillon Eric Adams, mik dhe lobues i qeverisë gjenocidale të Izraelit, dhe ndoshta edhe i Edi Ramës?
Në fund, pyetja që mbetet nuk është thjesht nëse Shqipëria po afrohet me Izraelin – kjo tashmë duket e qartë – por se deri në ç’masë po e shndërron Edi Rama vendin tonë në bazë për sionizmin e shtetit gjenocidal. Çfarë pasojash mund të ketë ky orientim personal që shefi i qeverisë po i jep një vendi të tërë në kontekstin e luftës në Lindjen e Mesme dhe një bote ku balancat janë gjithnjë e më të brishta? E sigurt është që kur interesat ndërthuren në mënyra të paparashikueshme, çdo zgjedhje strategjike – si kjo ku Edi Rama na ka futur symbyllurazi me Izraelin e Netanyahut – është njëkohësisht një bast i madh dhe i rëndë për të ardhmen.