Lidhje


Arrestimi i gjeneralit të Asadit në Austri nxjerr në pah fijet e fshehta që lidhnin regjimin Asadist me Mosadin i.zraelit

Arrestimi në Austri i ish-gjeneralit të shërbimeve sekrete siriane, Khaled al-Halabi, ka tronditur opinionin ndërkombëtar jo vetëm për akuzat e rënda të krimeve të luftës, por për atë që fshihet pas kulisave: lidhjet e tij të supozuara me Mossadin izraelit dhe mbrojtjen që gëzoi në Evropë për më shumë se një dekadë. Rasti i Halabit nuk është thjesht një dosje penale – ai është dritarja më e qartë në marrëdhëniet e errëta dhe të padukshme mes regjimeve despotike dhe fuqive që zyrtarisht i paraqiten si armiq.

 

Sipas aktakuzës austriake, al-Halabi ka drejtuar njësitë famëkeqe të inteligjencës së Asadit në Rakka, ku dhjetëra civilë u torturuan, u zhdukën ose u keqtrajtuan mes viteve 2011–2013. Dëshmitë e 21 viktimave, plagët fizike dhe psikologjike, dhe dokumentet e mbledhura nga hetuesit e vendosin Halabin në qendër të makinerisë represive të regjimit sirian. Në çdo standard ndërkombëtar, ai është profili i një zyrtari të lartë të një regjimi autoritar, i përgjegjshëm për mizori dhe shtypje sistematike.

 

Por historia nuk mbaron këtu. Pasi u arratis nga Siria në kulmin e luftës, Halabi jo vetëm që nuk u zhduk në errësirën e emigrimit, por u shfaq në Evropë si një “aset” me vlerë për shërbime të tjera sekrete. Sipas disa raporteve të publikuara në mediat izraelite dhe austriake, ai është marrë në mbrojtje dhe zhvendosur nga Mossadi, i cili dyshohet se ka financuar strehimin e tij në Austri dhe ka ndërhyrë për ta ruajtur nga procedurat ligjore për një kohë të gjatë.

 

Ky paradoks – një kriminel i akuzuar i regjimit Asad që bashkëpunon me inteligjencën izraelite – zhvesh nga retorika fasadën e marrëdhënieve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Në sipërfaqe, Siria dhe Izraeli janë armiq; në prapaskenë, pragmatizmi i rrjetit të inteligjencave e bën armikun partner të heshtur, mjafton që ai të jetë i dobishëm.

 

Lidhja e Halabit me Mossadin është shembulli i gjallë se si regjimet despotike ndërtojnë dhe përdorin figura të errëta që, kur sistemi i tyre nis të lëkundet, shndërrohen në monedhë këmbimi për agjenci të tjera. Për Izraelin, një ish-oficer i gradës së lartë siriane është një depo e vyer informacionesh. Për Austrinë, ai u bë pjesë e një tensioni të gjatë politik mes etikës së drejtësisë dhe aleancave të fshehta të inteligjencës.

 

Arrestimi aktual i Halabit është, në një farë mënyre, rikthimi i rendit moral – por i vonuar dhe i komplikuar. Ai zbulon se si “drejtësia ndërkombëtare” shpesh ngec përballë kurtheve të spiunazhit, marrëveshjeve të padeklaruara dhe interesave të shteteve të fuqishme. Viktimat presin një dekadë për të dëgjuar fjalën “përgjegjësi”, ndërsa aktorët e errët të politikës ndërkombëtare shfrytëzojnë informacionin, jo moralin.

 

Në këtë panoramë, rasti Halabi nuk është thjesht një precedent ligjor. Ai është një mësim i dhimbshëm për mënyrën se si regjimet e dhunshme janë në gjendje të ndërtojnë ura me pushtete që vetë paraqiten si demokratike dhe të perëndimuara; se si aparatet despotike, nga Damasku deri në Tel Aviv, kërkojnë njëri-tjetrin kur kërkimi i interesit strategjik i tejkalon kufijtë ideologjikë.

 

Në fund, pyetja mbetet: sa të tjerë si Halabi janë strehuar në hijet e Evropës? Sa marrëveshje të heshtura ndërtohen mbi vuajtjen e popujve të Lindjes së Mesme? Dhe, më e rëndësishmja, a do të ketë ky arrest një efekt domino apo do të mbetet një rast i izoluar në një botë ku drejtësia vjen vetëm kur i jepet leje?

 

XS
SM
MD
LG