Ranë duke mbrojtur Atdheun e tyre të shtrenjtë, Shkodrën tonë, mirënjohje dhe përulje, brez pas brezi!
Nga Muhamed Sytari/Dom Lazër Shantoja, në vitin e largët 1915, shkruante:
“Ktu mi ket fang, ku veç do lule të zbeta
Badrash kan çilë me gjeth të prehtë si shpata,
Ku drita ma së mretnon, së mretnon ma jeta
Por deka e nata
Me zemër të vrazhdë prej dhimet krejt shporue
Ktu para vorrit t’and në giuj tuj ra
Të mramin të përshëndetun sot po due me të çue
Të falem, Riza!
“Kerametin! Ma këndo mue një Jasinë Sherifë!”
Ditëve të fundit, iu përkushtova leximeve mbi rrethimin e Shkodrës nga serbo-malazezët, në prag të pavarësimit dhe pas tij. Bashkëbisedova në heshtje me disa personazhe dhe ndjeva dhembje, por edhe shumë krenari! Fillimisht, ishte zonja Hortense von Zambaur, ajo që u kthye në burim emocional për leximin e ngjarjeve të atyre muajve të vështirë për Shkodrën dhe banorët e saj. Por, jo vetëm ajo.
-Gjurmët e krenarisë dhe qëndresës tipike të burrave të besës, i gjeta te personaliteti legjendar i Heroit të Madh të Shkodrës, komandantit të paharruar, Hasan Riza Pasha. Ndërkohë, nuk mund të kaloja indiferent para shënimeve me vlerë nga At Gjergj Fishta dhe Dom Lazër Shantoja, për të lexuar nëpërmjet vargjeve të tyre, por edhe dëshmive të ndryshme, madhështinë e Hasan Riza Pashës, por jo vetëm…
“Rrethimi i Shkodrës (10 tetor 1912-22 prill 1913)”, është ditari i gruas së konsullit austriak në Shkodër, që është përkthyer në shqip nga i nderuari, Ferit Hafizi. (Pavarësisht faktit se ky ditar është përkthyer nga gjermanishtja në shqip dhe është botuar në vitin 2006, akoma sot, lexohet sikur të sapo kishte dalë nga shtypi.)
Këto rreshta mund t’i kisha shkruar edhe para disa ditësh, kur kisha edhe shkase të tjera përtej leximeve në prag të rënies së Komandantit, por, nuk desha ta përziej madhështinë e emrit dhe veprës së tij me asgjë tjetër, që gjithësesi, do ta shpërqendronte vëmendjen nga lufta e paepur dhe qëndresa burrërore e shkodranëve kundër agresionit serbo-malazez në një kohë dobësie dhe, thuaj, gati-gati në pabesi..!
I qëndrova besnik zonjës së konsullit austriak, e cila, në ditarin e saj, në shënimet e datës 31 janar 1913, duke iu referuar ngjarjes së një nate më parë, shkruan: “Një natë tragjike! Hasan Rizaja, komandanti i fortesës dhe vali i Shkodrës, është vrarë… Rrugës duke u kthyer në shtëpi, pasi doli nga Esat Pasha, ra në një pritë prej tre vetash që e qëlluan nga prapa… Hasan Rizaja u shemb përtokë, aty ku ishte në rrugë dhe sot në mëngjes, në orën 2, vdiq. Në orën 10 u varros…” – (Ditari i cit., f. 53-54).
Ndërkohë, Hamdi Bushati, duke iu referuar revistës “Cirka”, 1928, teksa përshkruan Komandantin, citon: “Hasan Riza Pasha me shkencën e vet strategjike ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë ushtarake si mbrojtës i Shkodrës në rrethimin historik të saj që, ndonëse i huej, tue krye në kuptimin ma të plotë detyrën e tij, kjo një ndër shkaqet jo ma të mramet që Shkodra muejt me qenë pjesë e pandame e nanës Shqipni. Me vullnetin e pathyeshëm të Hasan Riza Pashës u ndalue turri i ushtrive të besëlidhuna balkanike…” – (Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, bot. i 2-të, Shkodër, 2005, v. 1, f. 365).
Natyrshëm, nga pozita e një lexuesi të rregullt të historisë, shënimet e kohës së rrethimit të Shkodrës nga serbo-malazezët, na dëshmojnë momente dhe tabllo të mbushura me bombardime, predha, vrasje, uri, skamje, tymnaja e frikë në mesin e popullatës.
Dëshmohen edhe fragmente, që mendoj se duhen kujtuar herë pas here, në leximet e historisë së vendit tonë dhe përkujtimin e tyre.
Kam dëshirë të ndaj me ju disa nga këto dëshmi:
“27 tetor 1912. Fshatarët nga zonat e periferisë vërshojnë në qytet. Malazeztë, gjatë marshimit të tyre, u vënë zjarrin fshatrave…
18 tetor 1912. Mijëra shkodranë myslimanë kanë rrokur armët dhe janë betuar që të vdesin për Atdheun…
19 tetor 1912. Në ndërtesën e Bashkisë u ngrit flamuri i gjelbër i Profetit. Lajmëtari publik (tellalli) bën thirrje që të luftojnë e të vdesin për Atdheun. Myslimanët janë të mbushur me entuziazëm dhe të shumtë janë ata që vrapojnë me armë në duar nëpër trashe.
25 nëntor 1912. Një shpallje e vendosur në mur, e nënshkruar nga Hasan Rizaja dhe Esat Pasha, njofton banorët e Shkodrës se ai që shprehet për dorëzimin e qytetit, do të varet!
28 nëntor 1912. (Dita e pavarësimit. -M.S-). Turqit e tregojnë veten edhe një herë si mbrojtës shumë të fortë.
30 nëntor 1912. Sot, gati sa nuk vdiqa! Bombardimi filloi përsëri në orën 2 e gjysmë dhe ka zgjatur deri në orën 6 pa një çerek.
4 dhjetor 1912. Tregojnë se në trashe ka rënë një gjyle me peshë 100 kilogram dhe me diametër 24 centimetër. Kjo bën punë, jo shaka! Po sikur të bjerë në qytet një gjyle e tillë? O Zot, ç’do të bëhet me ne?
3 janar 1913. Bie shi; koha është e zymtë, ashtu si gjendja e jonë shpirtërore…
6 janar 1913. Sonte, në mbrëmje, e ndezëm përsëri pemën e krishtlindjeve. Hasan Rizaja, nëpërmjet kolonel Fahri Beut, i ka dërguar burrit tim një fotografi. Heroi i rrethimit të Shkodrës është i veshur me uniformë ushtarake, me një qëndrim si Napoleoni. Sido që të përfundojë kjo luftë, emri i tij do të shënohet përjetë në analet e historisë!” – (Ditari i cit., f. 18-44).
Dhe, shënimet e zonjës austriake vazhdojnë e vazhdojnë, duke dëshmuar shumë dhembje, frikë e tmerr, si një përjetim real i një lufte “barbare”, (sikurse e cilëson ajo në një vend në ditarin e saj), kundër një qyteti dhe një populli, që asnjëherë nuk ia kthyen shpinën as e lanë në baltë!
Lexova, në kontekstet e këtyre shënimeve modeste, edhe vargjet e Fishtës, pas propozimit të bërë nga Hasan Riza Pasha, për “një marsh shqip për me ua mësue ushtarëve shqiptarë që ta këndonin tue shkue në stërvitje. At Gjergj Fishta ia përgatiti marshin dhe ia dërgoi. Pasha ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague strofë e lirë ari turke” – (Hamdi Bushati, v. 1, f. 369).
Ja disa nga fjalët e marshit të gjatë:
“Prej kah lenë e merr hana
Mu çue shekulli kundra nesh
Djelm kreshnikë na bani nana vetëm na iu dalim ndesh
…
Kush të jetë djal në ushtri të Sulltanit
Kush të jetë djal që deken ban
Të dalin sot ai në fushë të mejdanit
Me dhanë jetën për vatan.” – (Hamdi Bushati, v. 1, f. 369).
Dhe, si kurorë, mbi imazhin e kujtimit të paharruar të trimit të madh të kohëve të mbrame, Hasan Riza Pasha, më vijnë ndër mend disa vargje të Dom Lazër Shantojës, që në vitin e largët 1915, do të shkruante:
“Ktu mi ket fang, ku veç do lule të zbeta
Badrash kan çilë me gjeth të prehtë si shpata,
Ku drita ma së mretnon, së mretnon ma jeta
Por deka e nata
Me zemër të vrazhdë prej dhimet krejt shporue
Ktu para vorrit t’and në giuj tuj ra
Të mramin të përshëndetun sot po due me të çue
Të falem, Riza!
…
Hasan, Hasan, ku je? Qi ma mi kodra
Në kto vende shejte më gjak fatosash, la
S’po të shof? Ty sot tuj te thirrun asht marë Shkodra,
Ku je Riza?…” – (Dom Lazër Shantoja, VEPRA, Shkodër, 2005, f. 38).
E, për fund, fjalët e fundit të Heroit të Madh të Shkodrës, (thuajse i harruar në ditët e sotme, ai dhe ushtarët e tij, shehidët e nderit, që dhanë jetën për mbrojtjen e Shkodrës nga rrethimi serbo-malazez), i cili, në shtratin e vdekjes tha edhe këto fjalë: “Ju la amanet djalin tem, por mos i thoni se më kanë vra, por ra duke luftue! Betohuni se do të qëndroni për mbrojtjen e atdheut deri në vdekje!”.., dhe: “Kerametin! Ma këndo mue një Jasinë Sherifë!” – (Hamdi Bushati, v. 1, f. 373)
.
Rahmet pastë i nalti Hasan Riza Pasha! Rahmet paçin shehidët e naltë shkodranë, që ranë duke mbrojtur ATDHEUN e tyre të shtrenjtë, Shkodrën tonë! Mirënjohje dhe përulje, brez pas brezi! /Nga Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, publikuar në Facebook/