Kur e 'moralshmja' gjunjëzohet përpara patronazhimit
Nga Marlind Laçi
Shoqëria shqiptare, përtej çdo analize akademike apo politike, përballet sot me një problem të thellë që nuk është thjesht intelektual është mbi të gjitha moral. Në një kohë kur pritej që institucionet e moralit dhe të ndërgjegjes publike të ishin zëri kritik ndaj pushtetit dhe mbrojtës të të dobëtit, ato shpesh janë kthyer në zëdhënës të nënshtrimit. Ironikisht, pikërisht ata që duhej të predikonin guximin për t’u mosbindur ndaj padrejtësisë, janë të parët që rreshtohen përkrah pushtetit gjithmonë në anën e fortit.
Është e çuditshme dhe tejet e pavend që strukturat fetare, arsimore e kulturore që supozohet të transmetojnë vlera dhe drejtësi morale rrallëherë artikulojnë një qëndrim kritik kur padrejtësia prek të pambrojturit. Në raste të tilla, heshtja e tyre është një papërgjegjshmëri morale ndaj vetë misionit të tyre. Literatura fetare, pavarësisht besimit që përfaqëson, nxit njeriun të ngrihet kundër së keqes, të mbrojë të dobëtin dhe të dënojë padrejtësinë. Por në realitetin shqiptar, shpesh ndodh e kundërta.
Më shqetësues se heshtja është patronazhimi politik i një pjese të klerit. Ky fenomen është vërejtur hapur në ngjarje të ndryshme publike, ku disa përfaqësues fetarë janë shfaqur jo si udhërrëfyes shpirtërorë, por si figurantë në skena politike. Një shembull i tillë u pa gjatë thirrjeve për protestën në mbështetje të UÇK-së në sheshin “Skënderbej” (që në rast se nuk do kishte sfond të theksuar partiak e ideologjik duhej mbështetur fuqimisht) e cila ngjante më shumë me një manifestim elektoral për pasionet makiaveliste të politikanëve sesa me një shprehje të ndërgjegjes kombëtare. Prania e figurave politike si Ali Ahmeti dhe Alfred Moisiu e theksoi edhe më shumë këtë tendencë. Në fakt, ishte tejet interesante se si një pjesë e konsiderueshme e klerit mysliman dëgjonte me kërshëri dhe mallëngjim fjalimin e Moisiut, i cili në këtë komunitet fetar u bë i famshëm për deklaratat e tij të stilit “rekonkuististik”, në limitet e patologjikes ndaj myslimanëve shqiptarë.
Në këtë kontekst, deklarata e ish-presidentit Alfred Moisiu asokohe në statusin e Presidentit të Republikës më 5 nëntor 2005 në Londër, gjatë Forumit të Oksfordit, ku ai u shpreh se:
“Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët… Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.”
Një deklaratë e tillë, përveçse e pasaktë dhe e mbushur me paragjykime, shërben si dëshmi e mungesës së ndjeshmërisë morale e fetare që shpesh shfaqet në diskursin publik. Ajo ngjalli me të drejtë reagime të forta, sepse jo vetëm që cënonte besimin e shumicës së shqiptarëve, por edhe thellonte ndasitë kulturore e shpirtërore nga përfaqësuesi kryesor i unitetit kombëtar në një vend që për dekada është përpjekur të ndërtojë bashkëjetesë ndërfetare. Por ky aspekt tregon edhe papërgjegjshmërinë dhe papjekurinë e plotë kulturore e politike e të mallëngjyerve nga kjo palë për figurën e Alfred Moisiut.
Së fundmi, një tjetër shfaqje e kësaj krize morale u pa në rastin e keqinformimeve të lidhur me thirrjet për protesta paqësore nga xhamia më e madhe në vend. U pretendua se thirrje të ngjashme për të mbushur sheshet në tubime ishin bërë më herët në solidarizim me popullin palestinez, gjë që nuk është e vërtetë. Ky paralelizëm i pavend mes çështjes së Gazës dhe asaj të Gjykatës Speciale për liderët e UÇK tregon se, kur fetarja vihet në shërbim të interesit politik për devizën nacionalizmi si vend-strehim i fundit i atyre që Shqipërinë, shqiptarët dhe trojet etnike shqiptare i kanë konsideruar si plaçkë lufte apo si pajë martese, atëherë moraliteti humbet çdo vlerë dhe, në vend të së vërtetës, lind propaganda.
Shoqëria shqiptare nuk ka mungesë intelektualësh ka mungesë ndërgjegjeje morale. Ajo nuk vuan nga mungesa e dijes, por nga mungesa e guximit për të artikuluar të vërtetën. Derisa zërat e ndërgjegjes të mos jenë më në shërbim të pushtetit, por të drejtësisë, Shqipëria do të vazhdojë të përballet me një krizë që asnjë reformë politike nuk mund ta zgjidhë: krizën e moralit publik.