Lidhje


Letra e të burgosurës politike shqiptare në Britani, “fajtore” pse mbron Palestinën

Nga Teuta Hoxha ”Electronic Intifada”

 

Kur je në burg, mëson tre gjëra. Së pari, askush nuk të tregon asgjë. Së dyti, zakonisht je i fundit që zbulon informacione që kanë të bëjnë me ty. Dhe së treti, kërkesat dhe ankesat refuzohen me dy fjalë: “arsye sigurie”. Merrni shembullin e punës sime në bibliotekë, nga e cila më hoqën pa asnjë arsye më 1 gusht 2025. Po kontrolloja orarin tim kur vura re shënimin se isha shkarkuar. Në burgun e mëparshëm, HMP Bronzefield, kisha marrë leje për të punuar si mentore për Shannon Trust, një organizatë që i ndihmon të burgosurit të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit. Punova në atë rol deri në transferimin tim të papritur dhe të menjëhershëm në HMP Peterborough.

 

Vetëm në ditën e tetë të grevës sime të urisë e kuptova qartë vendimin. Të hënën, më 18 gusht, mësova se Filton 24 po monitorohej nga JEXU, Njësia e Përbashkët e Ekstremizmit. Puna ime në bibliotekë u konsiderua e papërshtatshme për shkak të “pikëpamjeve” që kam.

 

“Po çfarë pikëpamjesh kam unë?”- e pyeta oficerin rajonal të antiterrorizmit.

 

“Unë nuk i di pikëpamjet e tua, por ti i përket një grupi të ndaluar”- u përgjigj ai.

 

“Nuk i përkas asnjë grupi dhe as nuk kam asnjë akuzë për anëtarësim në ndonjë grupim. Ky është dënim retrospektiv dhe për këtë jam në burg prej gati një viti” -shtova. Dhe çfarë lidhje mund të ketë me mua ndalimi që ndodhi ndërsa unë isha tashmë e burgosur?

 

Por ai vazhdoi të më pyeste se çfarë mendoja për vendimin e qeverisë britanike për të ndaluar me ligj veprimtarinë e organizatës Palestine Action. Dhe kur unë refuzova të përgjigjem, ai komentoi se isha shumë “e mbyllur në vetvete”.

 

Greva e urisë

 

Në ditën e 26-të të grevës sime të urisë - kur nivelet e ketoneve po arrinin në 5.0 dhe shikimi po më turbullohej - më dhanë më në fund një deklaratë me shkrim që konfirmonte se përjashtimi im nga puna nuk kishte të bëjë me drogat, por se isha konsideruar e papërshtatshme për punën në bibliotekë.

 

Aty shkruhej: “Në korrik 2025, Sekretari i Brendshëm e shpalli Palestine Action si organizatë terroriste sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2000. Veprat penale për të cilat jeni në paraburgim lidhen me këtë ligj. Kjo ndikon në rolet që konsiderohen të përshtatshme për ju. Puna në bibliotekë nuk konsiderohet e përshtatshme”.

 

Akuza për përkatësi në një grup u bë kundër meje nga ekipi operativ në disa raste, dhe me sa duket, kjo iu transmetua publikut të gjerë kur ata telefonuan tek autoritetet e burgut të shqetësuar për shëndetin tim. Pikërisht në atë kohë zbulova se edhe bashkëshortja ime ishte hequr nga puna në bibliotekë dhe ishte caktuar të pastronte tualetet.

 

Edhe të tjerëve u refuzuan punë të përshtatshme për nevojat dhe parimet e tyre të mirëqenies, dhe e gjithë kjo për “arsye sigurie”. Ne të gjithë po ndëshkoheshim në mënyrë retrospektive për shkak të ndalimit.

 

Mësova se pastruesja e mëparshme e bibliotekës kishte një autorizim sigurie më të lartë se unë, edhe pse ajo ishte dënuar për vrasjen e dy prindërve të saj, të cilët i kishte varrosur në oborrin e shtëpisë.

 

Një oficer që po përpiqej të më inkurajonte të ndërprisja grevën e urisë, u përpoq të më qetësonte duke iu referuar incidentit të pengjeve në ambasadën iraniane: “Ai djalë ishte i burgosur këtu në HMP Peterborough dhe në fund ia plotësuan kërkesat”.

 

Mbështetja e Palestinës nuk është terrorizëm

 

Bashkëvuajtësja me të cilën ndaj qelinë ka qenë në HMP Peterborough më gjatë se unë. Ajo konsiderohet si një person i sjellshëm, i dhembshur dhe bujar. Kur ia thashë këtë një oficeri, përgjigjja e tij ironike ishte se “kishte njerëz të mirë edhe në ISIS”.

 

E sigurova se kjo nuk mund të ishte e vërtetë, sepse ISIS hedh njerëz në erë. Kur dëgjova rastësisht dy oficerë t’i thoshin një të burgosuri se të shprehej “Palestina e Lirë” ishte një akt terrorizmi, paraqita një ankesë tek drejtoria për të kërkuar trajnimin e stafit të burgut.

 

Por shumë shpejt e kuptova se ata oficerë thjesht po përsërisnin pikat e diskutimit dhe udhëzimet nga lart. Vetë oficerët nuk dinin asgjë për Palestinën, dhe as nuk mund të shpjegonin se përse sipas tyre mbështetja e Palestinës ishte terrorizëm.

 

Burgimi im, ashtu si i shumë të tjerëve, ishte pasojë e ngatërrimit të mbështetjes për Palestinën me pikëpamjet terroriste dhe ekstremiste. Muajin e kaluar, disa të burgosurve në Bronzefieldiu morën kefijet, shallët simbolikë palestinez me pretekstin se ishin veshje të një organizate terroriste.

 

Në deklaratën e saj, drejtoria e burgut tha se “shallët u sekuestruan sepse kishin shenja të lidhura me PAG (Grupin e Veprimit Palestinez). Disa prej tyre u konfiskuan për dyshime se kishin shenja terroristësh”.

 

Siç e dimë, modelet e kefijes janë një kremtim i identitetit palestinez, ndoshta i krahasueshëm me funksionet e kiltit skocez. Edhe kefija nuk ka lidhje me ndonjë organizatë të veçantë; ajo që konsiderohet si terrorizëm është identiteti palestinez.

 

Ngjyrat e Palestinës

 

Po atë muaj, u ndalova nga rojet e sigurisë pas një vizite nga disa miq. Ata më hoqën dhe më konfiskuan shallin tim të thurur me vija, të cilin e kisha bërë në një punishte në burg. “Ky është flamuri palestinez!”- më thanë ata. Incidenti u pa nga disa të burgosur.

 

“Jo, nuk është”- ia ktheva unë.

 

“Epo, unë i interpretoj këto si ngjyrat e Palestinës!”.

 

“Por nëse vesh një bluzë të kuqe dhe pantallona të bardha, a do ta interpretoni këtë si flamurin anglez?”.

 

“Po”.

 

Të nesërmen, më dërguan në gjyq për shkelje të Rregullit 51 të Burgut: “zotëroja një send të paautorizuar, domethënë një shall të thurur vetë”. Atë ditë vesha një bluzë me flamurin anglez. U mbrojta në prani të 5 oficerëve, në atë që burgu e përshkruan si një mini-gjykatë.

 

Nxora gjilpërat e thurjes dhe leshin që kisha blerë nga burgu, duke u treguar atyre një shall tjetër, këtë herë një të bardhë dhe blu që kisha mësuar ta thurja në një punishte burgu. Ata paraqitën fotografi të shallit tim në një çantë provash, duke deklaruar se këto ishin ngjyrat e Palestinës.

 

“Por sipas kësaj logjike”-  thashë unë, duke ngritur shallin tim blu dhe të bardhë, “a po thur tani flamurin grek, apo flamurin argjentinas, apo ndoshta flamurin izraelit?" “Kjo është nuancë e gabuar e blu për flamurin izraelit”- më thanë ata.

 

“Çfarë kuptimi kanë këto ngjyra për ju?”- më pyetën ata. Unë shpjegova se këto ishin thjesht ngjyra dhe për fatin e tyre të keq, flamuri palestinez i ndan ngjyrat e tij me disa vende të tjera. Kisha renditur disa prej tyre në deklaratën time.

 

Por pretendimet e mia u hodhën poshtë, dhe gjyqtari më tha se këto ishin ngjyrat e Palestinës, ndaj nga ai moment e tutje do të isha nën një mbikëqyrje të veçantë. Shalli nuk do më kthehej.

 

Por ata duhet të jenë konsultuar më pas me ekipet e tyre ligjore, sepse në fund ma kthyen, dhe arsyeja e konfiskimit të tij tani ishte e ndryshme nga ajo e deklaruar në raportin e përpiluar nga gardianët.

 

Disa javë më vonë, ndërsa prisja vizitën e radhës nga miqtë e mi, kalova pranë një murali me flamuj (përfshirë flamurin izraelit) të pikturuar në një mur në seksionin e burgut ngjitur me timin. Por e gjithë kjo nuk kishte asnjë lidhje me flamuj.

 

Ishte gjykimi im i dytë në lidhje me çështjen e Palestinës. Të dyja janë hedhur poshtë.

 

Strategjia që ka përdorur shteti britanik, na ka bërë shënjestër brenda burgut. Ne jemi shënjestër të diskriminimit. Na kanë larguar nga puna dhe na kanë refuzuar, na kanë quajtur terroristë, na kanë ngacmuar rojet, na janë anuluar vizitat, na është bllokuar posta dhe më është dashur të bëj një grevë urie 28-ditore për të plotësuar nevojat e mia themelore.

 

Kërkesat tona për lirim me kusht, na janë refuzuar vazhdimisht dhe kolegët e mi meshkuj po mbahen në kushte çnjerëzore dhe që nxisin depresionin. Por rasti i Filton 24, duhet parë si pjesë e një tabloje më të gjerë.

 

Neve këtu brenda mund të mos na thuhen shumë gjëra, dhe shpesh jemi të fundit që dimë diçka që ka të bëjë me veten tonë, por e qartë si drita e diellit është se ajo që po kriminalizohet nuk është “ekstremizmi”, por vetë identiteti palestinez.

 

Ajo që është ndaluar, është çdo angazhim me identitetin palestinez. Filton 24, është një rast shembullor dhe një paralajmërim për këdo që tregon solidaritet me Palestinën.

 

Shënim: Teuta Hoxha është një nga të burgosurit e “Filton 24”, me akuza që lidhen me veprime të drejtpërdrejta të kryera kundër kompanisë izraelite të armëve Elbit pranë Bristolit në gusht 2024. Ajo është aktualisht në grevën e saj të dytë të urisë, por ky shkrim është shkruar midis grevës së saj të parë dhe të dytë të urisë. Palestine Action është aktualisht e ndaluar sipas ligjit britanik “anti-terror”.

 

 

 

XS
SM
MD
LG