Lidhje


Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe përpjekjet e tij për një vilajet shqiptar

Qëllimi i Kuvendit (Lidhja e Prizrenit) është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirtë, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Abdyl Frashëri

 

Abdyl Frashëri është një nga figurat qendrore të Lidhjes së Prizrenit, si dhe një nga aktivistët më të shquar të këtij organizimi politik mbarëshqiptar, që e shtriu ndikimin e Lidhjes në të gjithë Toskërinë dhe Shqipërinë e Jugut.

 

Në pranverë të vitit 1877, Abdyl Frashëri hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë. Në këtë situatë tepër të vështirë, kur luftohej për jetë a vdekje, Abdyli hartoi platformën e re politike dhe ideologjike me synimin mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila i kundërvihej platformës që përpunuan qarqet politike të Stambollit, që synonte mbrojtjen e kufijve të Turqisë në Europë. Synimi politik i platformës së Abdyl Frashërit ishte: trojet shqiptare të shpërndara në atë kohë në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës të bashkoheshin në një vilajet të vetëm me emrin “Vilajeti i Shqipërisë” dhe, me krijimin e kushteve të favorshme për shqiptarët, synimi i mëtejshëm i kësaj platforme do të ishte: krijimi i Shtetit Autonom ose i Shtetit të Pavarur të Shqipërisë. 

 

Abdyl bej Dume-Frashëri njohur thjesht si Abdyl Frashëri (Frashër1839 – Stamboll, 23 tetor 1892) ka qenë deputet shqiptar në Mexhlisin Osman, dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.

 

Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.

 

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

 

Për sa kohë ishte deputet në parlamentin osman Abdyl Frashëri mori pjesë gjallërisht në jetën parlamentare, duke diskutuar për të gjitha pikat që kishin rëndësi. Në një seancë parlamentare shtroi pyetjen, se cili është shkaku i prapambetjes së Perandorisë Osmane dhe i mbarë viseve që zotëronte. Tri janë arsyet u përgjigj ai “e para, padituria, e dyta despotizmi; e treta, paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit”. Vlerësimi i Abdyl Frashërit në parlamentin osman për një sistem arsimor masiv dhe laik në vend të rrjetit shkollor të kufizuar dhe dogmatik, me metoda mësimore moderne paraqet pikëpamjet iluministe si një patriot demokrat. Fitorja e Rusisë, Traktati i Shën Stefanit i cili vendosi në kurriz të shqiptarëve, insistimi i fuqive të shteteve perëndimore për të ruajtur status quonë për Perandorinë Osmane, tani ishte një sfidë për ideologun e lëvizjes kombëtare shqiptare.

 

Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri u shqua si udhëheqësorganizatordiplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i komisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.

 

Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.

 

Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellur prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan tek Mahmud bej Biçakçiu. Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tre vjet, që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua dhe u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

 

Përmblodhi dhe përgatiti: Redaksia

 

XS
SM
MD
LG