Krizë në majën e regjimit iranian - Ultrakonservatorët denoncojnë “grusht shteti”
Dobësimi i armëpushimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka thelluar përplasjet brenda Republikës Islamike, ku përfaqësuesit e vijës ultrakonservatore po akuzojnë drejtuesit politikë të vendit se po përgatitin një “grusht shteti të butë”.
Në shënjestër janë presidenti Masoud Pezeshkian, kryetari i Parlamentit dhe kryenegociatori Mohammad Bagher Ghalibaf, si dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi. Radikalët i akuzojnë ata se kanë tradhtuar parimet e Revolucionit Islamik duke negociuar me administratën Trump për përfundimin e luftës dhe lehtësimin e sanksioneve.
Përplasjet u shfaqën hapur gjatë ceremonive mortore për Ali Khamenein. Sipas raportimit të CNN-it, disa pjesëmarrës i thirrën Pezeshkianit “vdekje kompromisaxhiut”, ndërsa Araghchi u detyrua të largohej pasi automjeti i tij u godit me gurë nga një grup që e akuzonte për “tradhti” dhe “dorëzim”.
Kriza është përforcuar nga mungesa e udhëheqësit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur publikisht që nga emërimi. Ai mungoi edhe në ceremonitë kryesore të varrimit të të atit dhe nuk dërgoi as mesazh të shkruar. Burime të larta iraniane ia kanë atribuuar mungesën plagëve të marra gjatë sulmit që vrau Ali Khamenein dhe shqetësimeve për sigurinë, por gjendja e tij e plotë mbetet e paqartë.
Sipas historianit dhe analistit Arash Azizi, pamundësia e ultrakonservatorëve për të komunikuar drejtpërdrejt me liderin e ri ka ushqyer pretendimin se Pezeshkian dhe Ghalibaf po marrin kontrollin real të shtetit. Megjithatë, deri tani nuk ka prova për një përpjekje konkrete për grusht shteti; termi përdoret nga kundërshtarët e marrëveshjes për të përshkruar zhvendosjen e pushtetit drejt institucioneve politike dhe Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Deputeti Kamran Ghazanfari ka akuzuar drejtuesit se po forcojnë Këshillin e Sigurisë në kurriz të Liderit Suprem dhe Parlamentit, duke e cilësuar këtë si një “grusht politik shteti” që po zbatohet hap pas hapi.
Në thelb, përplasja zhvillohet mes krahut që kërkon përfundimin e luftës dhe lehtësimin e sanksioneve, dhe ultrakonservatorëve që kundërshtojnë kompromisin me Uashingtonin dhe kërkojnë ruajtjen e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit. Mungesa e Mojtaba Khameneit dhe fuqizimi i Gardës Revolucionare e kanë bërë edhe më të paqartë se kush e ushtron realisht autoritetin më të lartë në Iran.