Lidhje


Kush e dështoi Kosovën?

 

Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk mund të analizohet i shkëputur nga historia e luftës së Kosovës dhe nga mënyra se si drejtësia ndërkombëtare ka trajtuar palët e këtij konflikti. Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Gjykata e paraqiti përgjegjësinë si individuale; megjithatë, gjatë gjithë procesit funksionet dhe përkatësia e tyre në UÇK kanë qenë pjesë qendrore e identifikimit të të akuzuarve dhe e narrativës publike rreth procesit. Por, ku përfundon gjykimi i individit dhe ku fillon pesha politike e gjykimit të figurave që përfaqësojnë një pjesë të historisë së UÇK-së?

 

Mbështetjen e Perëndimit gjatë luftës së Kosovës e përjetuam si një triumf historik. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane u shfaqën jo vetëm si aleatë politikë dhe ushtarakë, por edhe si mbrojtës të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Është e pamundur të mohohet roli vendimtar që ndërhyrja perëndimore pati për Kosovën në vitin 1999, por mirënjohja historike nuk duhet të na pengojë ta analizojmë çështjen e Kosovës në një këndvështrim më të gjerë.

 

Pas dështimit në Ruandë dhe tragjedisë së Srebrenicës, besueshmëria e diskursit perëndimor mbi mbrojtjen e civilëve dhe të drejtave të njeriut ishte vënë seriozisht në pikëpyetje. Kosova i dha Perëndimit mundësinë të ndërhynte në emër të mbrojtjes së civilëve.

 

Përveç kësaj, ndërhyrja kishte edhe një dimension gjeopolitik: NATO-ja po ripërcaktonte rolin e saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe po zgjerohej drejt Lindjes. Kosova u bë kështu edhe një pikë përplasjeje ndërmjet vizionit perëndimor të rendit të ri evropian dhe përpjekjes së Rusisë për të ruajtur ndikimin dhe peshën në çështjet e sigurisë evropiane. Kjo nuk do të thotë se lufta e Kosovës ishte një luftë kundër Rusisë, por se kauza shqiptare u gjend në një moment kur interesi humanitar, nevoja e Perëndimit për të riafirmuar autoritetin dhe interesat strategjike përkonin me njëra-tjetrën. Për shqiptarët ishte çështje lirie dhe mbijetese; për fuqitë perëndimore, Kosova kishte njëkohësisht rëndësi morale, politike dhe strategjike.

 

Historia amerikane ofron shumë shembuj të kësaj bashkëjetese ndërmjet parimeve dhe interesave. Në vitin 1976, ndërsa çështja e të drejtave të njeriut po fitonte peshë në debatin amerikan, Henry Kissinger e siguronte privatisht Augusto Pinochetin për mbështetjen e Uashingtonit, në një kohë kur regjimi kilian e justifikonte represionin me luftën kundër komunizmit. Shembulli nuk e zhvlerëson diskursin mbi të drejtat e njeriut, për më tepër tregon se politika e jashtme rrallë ndërtohet vetëm mbi një motiv.

 

Kjo është arsyeja pse viti 1999 duhet lexuar njëkohësisht në dy plane: nevoja reale e shqiptarëve për t’i dhënë fund represionit dhe interesat e fuqive që vendosën të ndërhyjnë. Problemi politik fillon kur përputhja e interesave në një moment historik interpretohet si përputhje e përhershme interesash. Të paktën kështu duket se e ka lexuar një pjesë e politikës shqiptare pas luftës.

 

Në Kosovë, ndërkohë, nuk përballeshin dy forca të barabarta. Përballë UÇK-së, e lindur si rezistencë e armatosur, qëndronte aparati ushtarak, policor dhe institucional i RFJ-së dhe Serbisë. Më vonë, një pjesë e krimeve dhe e përgjegjësisë së këtij aparati u trajtua nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Drejtues të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë u dënuan për krime të kryera në Kosovë. Sipas Kosovo Memory Book, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 u vranë dhe u zhdukën 13 535 persona; ndërsa Tribunali dokumentoi dëbimin ose zhvendosjen me forcë të rreth 740 000 shqiptarëve të Kosovës.
Në vendimet përfundimtare, Nebojša Pavković u dënua me 22 vjet burgim, Sreten Lukić me 20, Nikola Šainović me 18 dhe Vladimir Lazarević me 14 vjet.

 

Mbetet pyetja nëse këto dënime e pasqyruan plotësisht peshën e përgjegjësisë së një aparati shtetëror që kishte në dispozicion ushtrinë, policinë dhe institucionet e shtetit. Megjithatë, politika shqiptare e mbylli shpejt këtë kapitull dhe vëmendjen e zhvendosi drejt një objektivi tjetër: dialogut me Beogradin dhe integrimit evropian.

 

Në këtë klimë erdhi edhe çështja e Dhomave të Specializuara. Pikënisja ishte raporti i Dick Martyt, i cili ngriti akuza të rënda për krime të pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së. Raporti nuk përcaktonte fajësi penale, por çoi në hetime të reja ndërkombëtare dhe, përfundimisht, në presionin për krijimin e një mekanizmi të posaçëm gjyqësor. Dhomat u krijuan juridikisht përmes ndryshimit kushtetues dhe ligjit të miratuar nga institucionet e Kosovës më 3 gusht 2015. Përballë mundësisë që çështja të zhvendosej në nivelin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina nuk e njihnin Kosovën, udhëheqja kosovare pranoi që mekanizmi të krijohej përmes vetë rendit kushtetues të Kosovës.

 

Këtu qëndron paradoksi politik. Fuqitë perëndimore që kishin ndërhyrë ushtarakisht kundër RFJ-së në vitin 1999, gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë ushtruan presion mbi Kosovën për krijimin e një gjykate të posaçme që do të merrej me krime të pretenduara të lidhura me UÇK-në. Përse, pas Tribunalit për ish-Jugosllavinë, u konsiderua i nevojshëm një mekanizëm i ri dhe kaq specifik?

 

Një pjesë e përgjigjes duhet kërkuar në ndryshimin e klimës politike në Ballkan. Në vitin 2015, Beogradi nuk trajtohej më nga Perëndimi si në vitin 1999. Serbia kishte nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën ishte bërë pjesë e këtij procesi. Më 16 shtator 2015, vetëm pak javë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese për Dhomat e Specializuara, Aleksandar Vučić takohej në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, i cili përshëndeste afrimin e Serbisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike e energjetike.

 

Por është e pamjaftueshme t’i kërkojmë shkaqet vetëm jashtë Kosovës. Presioni ndërkombëtar ka peshë, por ndikimi i tij varet edhe nga kohezioni politik dhe qartësia me të cilën një shtet përcakton interesat e veta. Dhomat e Specializuara e treguan këtë dobësi edhe pse Albin Kurti dhe Vetëvendosja kundërshtuan krijimin e tyre në vitin 2015, ndërsa shumica parlamentare i miratoi.

 

Përçarja kaloi më pas edhe kufirin Kosovë–Shqipëri. Me Open Balkan, Edi Rama mbështeti një politikë bashkëpunimi rajonal me Aleksandar Vučićin, të cilën Albin Kurti e kundërshtoi. Mosmarrëveshjet mes Tiranës dhe Prishtinës u shfaqën më vonë edhe rreth dialogut dhe Asociacionit, deri në anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në vitin 2023. Kështu, një çështje që filloi me raportin Marty dhe përfundoi me një gjykatë të posaçme nxori në pah edhe një problem më të gjerë: mungesën e vazhdimësisë dhe të koordinimit politik shqiptar në çështjet strategjike që lidhen me Kosovën. 16 shtatori është fatura e kësaj paqëndrueshmërie. Me përfundimin e procesit gjyqësor, beteja nuk zhvillohet më vetëm rreth fajësisë së katër individëve, por rreth kuptimit që do t’i jepet këtij aktgjykimi në leximin e luftës së Kosovës.

 

Dhe kështu, nga “marrja” e qeverisë Rama te “servilizmi” i qeverisë LDK–PDK, politikanët shqiptarë vazhdojnë të ndërtojnë kështjella mbi rërë, duke i marrë interesat e përkohshme të aleatëve për garanci të përhershme.

 

XS
SM
MD
LG