“Mund të goditemi direkt nga Moska”, BE ka gati planin për dërgimin e misioneve trajnuese në Ukrainë
Bashkimi Europian ka tashmë gati planin për dërgimin e misioneve trajnuese në Ukrainë, si pjesë e bashkëpunimit me Kievin në luftën kundër Rusisë. Media e njohur gjermane, Die Welt, zotëron dokumentin konfidencial i cili titullohet, ‘Rishikimi Strategjik i Misionit Trajnues të BE në Ukrainë’.
Dokumenti do të diskutohet në takimin e ardhshëm nga Ministrja e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Bashkimit Europian. Në dokument përcaktohet qartë se Kievi pret deri në 150. mijë rekrut të rinj si rezultat i mobilizimit të majit, si dhe do të krijohen dhjetë brigada të reja këmbësorie.
Megjithatë, Bashkimi Europian është tepër skeptik për këtë plan. “Kur stërviteni në territorin ukrainas, situata e përgjithshme e kërcënimit për ushtarët e BE-së është "kritike". Fakti që Rusia mund të arrijë çdo pjesë të Ukrainës me raketa balistike dhe dronë do të rezultonte në nivelin më të lartë të kërcënimit për personelin ushtarak të BE-së”, thuhet në dokumentin e BE.
Diplomatët të cilët po diskutojnë një sipërmarrje të tillë të rrezikshme besojnë se mund të shihen nga Moska si palë ndërluftuese.
“Ushtarët e BE-së mund të shihen nga Rusia si të përfshirë në mënyrë aktive në konflikt dhe për këtë arsye të shkaktojnë reagime të paparashikueshme kinetike. Këtu përfshihet edhe gjuajtja me dron dhe raketa nga Deti Azov, Rusia dhe Bjellorusia, por edhe shpërthimi i granatave, sabotazhet dhe sulmet kibernetike. Kërkesa e Shërbimit të Jashtëm Diplomatik Europian është e qartë: “plane të fuqishme evakuimi” nevojiten në çdo rast”, citon A2 CNN, referuar dokumentit të BE.
Franca është një nga vendet kryesore të BE e cila dëshiron absolutisht që evropianët të përmbushin kërkesën e Kievit dhe, përveç stërvitjes aktuale, të trajnojnë edhe ushtarë në Ukrainë. Parisi mbështetet nga shtetet baltike, Polonia, Danimarka dhe Suedia.
Qeveria federale gjermane, nga ana tjetër, është kundër trajnimit të ushtarëve ukrainas në terren. Ajo ka frikë nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe rreziqet e pallogaritshme. Qëndrimi i Berlinit deri më tani është mbështetur nga Malta, Austria, Sllovenia dhe Hungaria./gazetatema