Lidhje


Drejtësia e para: Pse duhet rishkruar plani i paqes për Gazën

Nga Ranjan Solomon “Middle East Monitor”

 

Paqja e vërtetë, nuk do të vijë nga marrëveshjet e shkruara në Uashington apo Jeruzalem, por nga dhënia fund e padrejtësisë, kur palestinezët të munden të ecin të lirë në tokën e tyre, kur të zbrazen kampet e refugjatëve, kur kërkimi i faljes të zëvendësojë arrogancën, dhe kur të dy popujt të qëndrojnë të barabartë para ligjit të njerëzimit.  E ashtuquajtura marrëveshje për Gazën, e shpallur me shumë bujë nga Uashingtoni, nuk është as e drejtë dhe as legjitime. Është një trofe për Donald Trumpin dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, një ushtrim cinik vetë-promovimi i maskuar si diplomaci.

 

Për njerëzit që kanë më shumë rëndësi - banorët e Gazës, palestinezët, kombet arabe, historitë e të cilëve janë të lidhura me territorin - nuk kishte vend në tryezë. Madje nuk u konsultua as OKB-ja, mandati i të cilës është të mbrojë të pushtuarit dhe të ndërmjetësojë arritjen e paqes.

 

Prandaj, ajo që i është dhënë botës në këtë rast, nuk është një marrëveshje paqeje, por një maskaradë politike, një marrëveshje e shkruar nga pushtuesi për të pushtuarin. Paqja e vërtetë, nuk mund të imponohet nga ata që janë bashkëpunëtorë në shkatërrimin e Gazës.

 

Marrëveshjes i mungojnë elementët themelorë të drejtësisë. Ajo nuk parashikon fundin e pushtimit, asnjë angazhim për dëmshpërblimi e palestinezëve për dekadat e zhvendosjeve dhe shkatërrimit, dhe asnjë njohje të sovranitetit palestinez apo të drejtës së rikthimit.

 

Ajo që ofron është një iluzion i ricikluar - iluzioni se dikush mund të ndërtojë paqe mbi rrënojat, duke ruajtur muret ndarëse të aparteidit, pikat e kontrollit dhe bllokadat. Civilët që kanë duruar bombardimet që nga tetori i vitit 2023, urinë e fëmijëve dhe shembjen e spitaleve, e shohin qartë këtë: nuk ka asnjë grimë drejtësie në marrëveshjen që injoron vuajtjet e tyre.

 

Zgjidhja me dy shtete, e cila cilësohej dikur një kompromis moral për bashkëjetesën, është bërë prej kohësh e vjetruar nga ekspansionizmi i pamëshirshëm i Izraelit. Vendbanimet e reja hebreje, e kanë ndarë Bregun Perëndimor në enklava të izoluara; teksa Gaza është shndërruar në rrënoja, dhe banorëve të saj nuk u njihen të drejtat më minimale.

 

Një “shtet” pa kontroll mbi kufijtë, hapësirën ajrore ose ekonominë e tij nuk është sovran, ai është thjesht i nënshtruar. Në parim, një shtet unitar dhe demokratik ku palestinezët dhe hebrenjtë jetojnë si të barabartë, do të ishte shprehja më e vërtetë e drejtësisë.

 

Megjithatë, sot duket i pamundur edhe ky vizion, sepse si mund të bashkëjetojnë palestinezët me ata që kanë bombarduar, kanë lënë të uritur dhe vrarë familjet e tyre pa u ndëshkuar? Nëse do të ringjallet formula e zgjidhjes dy shtete, ajo nuk duhet të jetë një tjetër version bosh i Marrëveshjeve të Oslos, që vetëm sa e legjitimuan dominimin e Izraelit.

 

Ai duhet të kthehet në kufijtë e vitit 1967, Jeruzalemi Lindor duhet të jetë kryeqyteti i Palestinës dhe të ndodhë tërheqja e plotë të forcave izraelite nga territori i pushtuar. Çdo gjë më pak, do të përjetësonte aparteidin nën maskën e kompromisit.

 

Dekadat e negociatave të dështuara - nga Camp David në Anapolis - kanë vërtetuar se gjysmë-masat vetëm sa e inkurajojnë pushtuesin. Paqja nuk mund të lulëzojë nën hijen e padrejtësisë. Marrëveshja Trump-Kushner duhet të anulohet, përveç klauzolës së armëpushimit që ofron një lehtësim të përkohshëm nga masakrat e ushtrisë izraelite.

 

Bota duhet t’i rikthehet punës dhe të hartojë një plan paqeje, të rrënjosur tek e vërteta historike, përgjegjësia morale dhe respekti për identitetin dhe integritetin e popullit palestinez. Asnjë paqe e qëndrueshme, nuk mund të lindë pa pranimin e fajit dhe pendimin.

 

Izraeli duhet të kërkojë falje për luftën gjenocidale që po e zhvillon nga tetori i vitit 2023, një luftë që ka vrarë dhjetëra mijëra civilë, ka lënë fëmijë të uritur dhe ka shkatërruar çdo objekt civil shumë të rëndësishëm. Ai duhet të njohë të drejtën e palestinezëve për rezistencë sipas ligjit ndërkombëtar, një e drejtë e lindur nga pushtimi dhe e mohuar për 77 vjet.

 

Kolonët hebrenj duhet të tërhiqen nga Bregu Perëndimor. Vetë prania e tyre atje, e shkel Konventën e Katërt të Gjenevës dhe përbën një krim lufte. Largimi i tyre nuk është hakmarrje, por drejtësi, një hap drejt çmontimit të një sistemi privilegji të ndërtuar mbi tokën e grabitur.

 

Jeruzalemi duhet të bëhet një qytet ndërkombëtar, i ndarë midis të gjitha besimeve si dhe nga të dy popujt, nën një administrim të përbashkët që pasqyron rëndësinë e tij shpirtërore universale. Asnjë paqe nuk është e mundur, për sa kohë që Jerusalemi mbetet një monopol i pushtetit dhe përjashtimit izraelit.

 

Një Lindje e Mesme pa armë bërthamore, përbën një shtyllë tjetër thelbësore të stabilitetit rajonal. Izraeli, fuqia e vetme bërthamore e rajonit, i ka shpëtuar prej kohësh llogaridhënies nën mbrojtjen e SHBA-së.

 

Armatimet izraelite, duhet t’i nënshtrohen inspektimit ndërkombëtar, i pasuar nga një proces demilitarizimi gradual, jo vetëm i Izraelit, por i të gjitha palëve në rajon. Çarmatimi do të sjellë më pas drejtësinë, dhe nuk do t’i paraprijë asaj. Siguria e vërtetë, është e pandashme nga drejtësia, dhe paqja pa llogaridhënie është një iluzion.

 

Roli i Hamasit, duhet të përcaktohet nga vetë palestinezët, përmes një procesi demokratik dhe transparent, jo të diktuar nga Uashingtoni, Tel Avivi apo Brukseli. Hipokrizia e fuqive perëndimore është shumë e dukshme: ata bëjnë thirrje për demokraci, por refuzojnë të pranojnë rezultatin kur palestinezët votojnë lirisht.

 

Çdo negociatë apo plan paqeje, duhet të përfshijë të gjitha forcat politike palestineze, dhe jo t’i etiketojë në mënyrë përzgjedhëse disa si “terroristë”, teksa shpërblen autorin e vërtetë të terrorit shtetëror. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, mund të jenë pjesëmarrës në dialog, por jo arbitra të tij.

 

Historiku i tyre negativ, i skualifikon ata nga udhëheqja e negociatave. Në vend të kësaj, arkitektura e paqes duhet të zgjerohet për të përfshirë Afrikën, Azinë, Amerikën Latine, Lidhjen Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC).

 

Mekanizmi mbikëqyrës, duhet të jetë i themeluar ndërkombëtarisht nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara, i koordinuar nga një vend i Jugut Global, i respektuar për neutralitetin dhe besueshmërinë e tij morale. Vetëm kjo lëvizje, do të rivendoste ekuilibrin dhe legjitimitetin në një proces të rrëmbyer prej kohësh nga Perëndimi.

 

Izraeli ka pretenduar për dekada të tëra, se është e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme. Megjithatë, demokracitë nuk bombardojnë spitalet, nuk i lënë popullsitë të vdesin urie dhe nuk burgosin komunitete të tëra prapa mureve. Në këtë ekuacion, Izraeli nuk është viktimë, por fuqia pushtuese.

 

Prandaj, ai nuk mund të diktojë kushtet e paqes ndërsa vazhdon të grabitë tokë dhe ujë, të shkatërrojë shtëpi dhe vrasë gazetarë. Komuniteti global duhet ta thotë qartë: Izraeli është vetëm njëra nga palët, dhe jo gjykatësi, juria apo ekzekutori.

 

Për të arritur tek paqja e qëndrueshme, diskutimet duhet të zhvendosen nga siguria tek drejtësia. Siguria pa drejtësi, është shtypje. Paqja pa dinjitet, është dorëzim. Kauza palestineze, nuk është një mosmarrëveshje mbi kufijtë, por një luftë për liri dhe barazi dhe kundër një sistemi kolonializmi dhe supremacie racore të mbështetur nga bashkëfajësia e Perëndimit.

 

Komuniteti ndërkombëtar, duhet të përballet me dështimin e vet moral. Heshtja e shteteve të fuqishme përballë gjenocidit, është një njollë në qytetërimin modern. Organizata e Kombeve të Bashkuara, duhet të rinisë të ushtrojë mandatin e saj origjinal: të mbrojë të dobëtit nga të fuqishmit, të pushtuarit nga pushtuesi.

 

Një mision vëzhgues i përhershëm i OKB-së në Gaza, nën mbrojtjen e shteteve neutrale, mund të ndihmojë në fillimin e rindërtimit të besimit. Shoqëria civile globale, nga universitetet tek sindikatat, duhet që të përshkallëzojë bojkotet dhe sanksionet, derisa Izraeli të nisë të zbatojë ligjin ndërkombëtar.

 

Historia na mëson se asnjë perandori, sado brutale qoftë, nuk ekziston përgjithmonë. Regjimi i Aparteidit në Afrikën e Jugut, u shemb kur ndërgjegjja globale u bashkua me rezistencën e brendshme. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Palestinë.

 

Shpirti i popullit palestinez - i atyre që kanë duruar rrethimin, urinë dhe pikëllimin - mbetet i pathyer. Marrëveshja e Donald Trumpit, nuk është një udhërrëfyes për paqen; por një epitafpër autoritetin moral të atyre që pretendojnë ta ndërmjetësojnë atë.

 

Paqja e vërtetë, nuk do të vijë nga marrëveshjet e shkruara në Uashington apo Jeruzalem, por nga dhënia fund e padrejtësisë - kur palestinezët të kenë mundësi të ecin të lirë në tokën e tyre, kur të zbrazen kampet e refugjatëve, kur kërkimi i faljes të zëvendësojë arrogancën, dhe kur të dy popujt të qëndrojnë të barabartë para ligjit të njerëzimit.

 

Mjaft më! Bota ka parë shumë agime të rreme. Është koha t’i jepet fund pushtimit, të çmontohet aparteidi, dhe të njihet e drejta e Palestinës për të jetuar e lirë, sovrane dhe e plotë. Deri sa të vijë ajo ditë, çdo “marrëveshje” që shpërfill drejtësinë, nuk është gjë tjetër veçse një fitore boshe për të fuqishmit dhe një tradhti ndaj të shtypurve.

 

XS
SM
MD
LG