Lidhje


Izraeli ne krah të serbëve për krijimin e Serbisë së Madhe. Kontrata e lobimit të Dodik

 

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinë, Elmedin Konaković, ka bërë publike dokumente që, sipas tij, dëshmojnë se njerëz të afërt me ish-presidentin e Republika Srpska, Milorad Dodik, kanë lidhur në shtator 2025 një kontratë lobimi me vlerë 4 milionë dollarë me kompaninë kanadeze “Dickens & Madson”. Firma drejtohet nga izraelito-kanadezi Ari Ben-Menashe, ish-operativ i inteligjencës izraelite. Sipas Konakoviqit, 3 milionë dollarë janë paguar, ndërsa 1 milion mbetet për t’u shlyer. Objektivi i deklaruar i marrëveshjes: lobim pranë administratës amerikane dhe presidentit Donald Trump për të promovuar shkëputjen e RS-së nga Bosnjë e Hercegovina, si dhe për të dobësuar arkitekturën institucionale të vendit.

 

Dokumentet, sipas ministrit, përfshijnë synime konkrete:

 

1. Promovimin e shkëputjes së Republika Srpskës nga Bosnjë e Hercegovina;

2. Mosmbajtjen e zgjedhjeve në RS;

3. Mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe përfundimin e mandatit të Christian Schmidt.

 

OHR-ja është mekanizëm thelbësor i krijuar nga Marrëveshja e Paqes e Daytonit, që i dha fund luftës 1992–1995 dhe garanton funksionimin e rendit kushtetues. Sipas Konakoviqit, kontrata është regjistruar në SHBA dhe synon ndikim të drejtpërdrejtë në qarqet vendimmarrëse amerikane.

 

Dimensioni politik i çështjes bëhet edhe më domethënës nëse shihet në vijën kohore të Dodikut. Vetëm pak muaj më parë ai konsiderohej i izoluar ndërkombëtarisht dhe subjekt sanksionesh, ndërsa ishte përfshirë në përplasje të forta me institucionet shtetërore dhe OHR-në. Pas procesit gjyqësor të nisur në dhjetor 2023, ai u dënua me një vit burg (i konvertuar në gjobë) dhe me ndalim politik gjashtëvjeçar, përpara se të shkarkohej nga posti i presidentit të RS-së. Sot, në një kthesë të fortë narrative, ai shfaqet si figurë që kërkon mbështetje direkte në Uashington për një projekt shkëputjeje, duke u përpjekur të transformojë statusin e tij nga i sanksionuar në aktor që kërkon ripozicionim strategjik.

 

Kjo strategji shoqërohet me dy vizita të fundit ndërkombëtare me peshë. Më 29 janar, Dodik vizitoi Izraelin, ku zhvilloi takime dhe artikuloi publikisht qëndrime për sovranitetin dhe të drejtën për vetëvendosje. Më 7 shkurt, ai vizitoi Shtetet e Bashkuara, ku ngriti hapur çështjen e pavarësisë së RS-së. Për analistët, kjo sekuencë – Tel Aviv më pas Uashington – nuk është e rastësishme: përfshirja e një ish-zyrtari të inteligjencës izraelite në kontratën e lobimit dhe intensifikimi i kontakteve me qarqet amerikane sugjerojnë një përpjekje për të ndërtuar një kanal të koordinuar ndikimi, që disa e lexojnë si afrimi i një boshti izraelito-serb në funksion të agjendës së RS-së.

 

Debati në Sarajevë është i ashpër. Institucionet shtetërore paralajmërojnë se një lobim i tillë, nëse konfirmohet dhe prodhon efekt politik, do të përbënte sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës. Mbështetësit e Dodikut e konsiderojnë si të drejtë për përfaqësim ndërkombëtar; kundërshtarët e shohin si eskalim të projektit separatist me mbështetje të jashtme. Në qendër të zhvillimeve mbetet pikërisht kjo kontradiktë: nga figurë e izoluar dhe e sanksionuar, Dodik po përpiqet të ripozicionohet si aktor që kërkon bekim në Uashington për një rishkrim të kufijve politikë në Ballkan.

XS
SM
MD
LG